Papa policisë financiare: pranë njerëzve për të luftuar korrupsionin e promovuar legalitetin
R.SH. - Vatikan
Drejtësia është "e nevojshme", por nuk mjafton për t’i plotësuar ato boshllëqe që vetëm "bamirësia mund t’i plotësojë dhe dashuria mund t'i shërojë": këtë "ju e përjetoni, për shembull, kur organizoni pritjen dhe ndihmën e emigrantëve në rrezik në Mesdhe", në “ndërhyrjet e guximshme” në fatkeqësitë natyrore, apo në luftën kundër “tregtarëve të vdekjes” që menaxhojnë trafikun e drogës. Papa Françesku renditi misionet, plot bamirësi, në fusha të ndryshme të ushtarëve të “Guardia di Finanza” gjatë takimit të sotëm me 300 ushtarë në Sala Clementina, me rastin e 250 vjetorit të themelimit. I pranishëm në audiencë ishte edhe ministri italian i Ekonomisë dhe Financave, Giancarlo Giorgetti.
Papa, duke cituar moton e zgjedhur për këtë përvjetor, "Në traditë është e ardhmja", përshkoi shkurtimisht historinë e trupave ushtarake të “Guardia di Finanza”, të krijuara për shërbimin e mbikëqyrjes financiare dhe mbrojtjen e kufirit, më pas edhe me detyrat e policisë tatimore, ekonomike-financiare si dhe të policisë detare. Papa Françesku nënvizon "misionin e rëndësishëm në fushën e shpëtimit si në det ashtu edhe në mal", duke falënderuar veçanërisht për aktivitetin e shpëtimit të emigrantëve "faleminderit për këtë, faleminderit", tha Papa dhe kujtoi ndihmën e ofruar refugjatëve hebrenj dhe të përndjekurve gjatë dy konflikteve të mëdha botërore.