Papa Francesco Papa Francesco

Papa: kushtojini vëmendje njerëzve të margjinalizuar dhe të varfër

Në fjalimin dorëzuar Akademisë Papnore të Shkencave, Françesku shpreh shqetësimin për ndikimin e fortë të njerëzimit në natyrë e ekosisteme dhe fton të marrim parasysh përfitimet dhe implikimet serioze negative të Inteligjencës Artificiale, e cila mund të "formojë opinionin publik, të ndikojë në zgjedhjet e konsumatorëve dhe të ndërhyjë" në proceset zgjedhore”. Papa rekomandon marrjen parasysh të "dimensioneve të pandryshueshme njerëzore dhe etike të përparimit shkencor dhe teknologjik"

R.SH. / Vatikan

Zhvillimi i Inteligjencës Artificiale "mund të rezultojë i dobishëm për njerëzimin, për shembull në promovimin e inovacioneve në fushat e mjekësisë dhe të kujdesit shëndetësor, si dhe duke ndihmuar në mbrojtjen e mjedisit natyror dhe duke mundësuar përdorimin e qëndrueshëm të burimeve të ndryshme në dritën e ndryshimeve klimatike". Kështu pohon Papa Françesku, në fjalën dorëzuar pjesëmarrësve të asamblesë plenare të Akademisë Papnore të Shkencave.

Për shkak të një gripi të lehtë, Papa nuk e mbajti audiencën që ishte në program, por megjithatë dërgoi fjalimin e tij. "Siç e shohim - nënvizon Ati i Shenjtë -, mund të ketë edhe implikime serioze negative për popullatën, veçanërisht për fëmijët dhe të rriturit më më brishtë e më të rrezikuar. Gjithashtu është është e nevojshme të njihen dhe të parandalohen rreziqet e përdorimit manipulues të Inteligjencës Artificiale për të formuar opinionin publik, për të ndikuar në zgjedhjet e konsumatorëve dhe për të ndërhyrë në proceset zgjedhore”.

"Ndikimi i formave të inteligjencës artificiale në popujt dhe në komunitetin ndërkombëtar - vazhdon Papa - kërkon vëmendje dhe studim më të madh. Më vjen mirë të di se Akademia Papnore e Shkencave po punon, nga ana e saj, për të propozuar rregulla të përshtatshme që kanë si qëllim parandalimin e rreziqeve dhe promovimin e përfitimeve në këtë fushë të ndërlikuar”.

Përballë “sfidave serioze sociale” me të cilat po përballet bota, Papa nënvizon më pas nevojën për një “diskutim publik gjithëpërfshirës” që “jo vetëm të informohet nga disiplina të ndryshme shkencore, por edhe nga pjesëmarrja e të gjithë komponentëve shoqërorë”. Dhe për këtë arsye Ati i Shenjtë shpreh vlerësimin për "qëllimin e Akademisë papnore të Shkencave, që në konferencat e saj të ndryshme, u kushton vëmendje njerëzve të mënjanuar dhe të varfër, si edhe e përfshinë urtinë e tyre në diskutimet e saj", duke ripohuar se për Kishën, siç thuhet në Mesazhin për Ditën Botërore të Paqes 2024, "dinjiteti i çdo personi dhe vëllazëria që na lidh si anëtarë të një familjeje njerëzore duhet të jetë në bazën e zhvillimit të teknologjive të reja", ndërsa "zhvillimet teknologjike që nuk çojnë për një përmirësim të cilësisë së jetës së mbarë njerëzimit, përkundrazi ato përkeqësojnë pabarazitë e konfliktet, nuk mund të konsiderohen kurrë përparim të vërtetë”.

23 shtator 2024, 12:50