Papa kujton meshtarin që dje u shpall i Lum në Meksikë
R.SH. - Vatikan
Papa Françesku kujtoi gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit se "dje në Qytetin e Meksikos u lumturua Moises Lira Serafin, meshtar, themelues i Kongregatës së Misionareve të Bamirësisë së Marisë së Papërlyer, i cili vdiq në vitin 1950 pas një jete të kaluar duke ndihmuar njerëzit të përparojnë në fe dhe në dashuri të Zotit”.
"Zelli i tij apostolik - tha Papa - inkurajon meshtarët që të japin veten pa rezerva për të mirën shpirtërore të popullit të shenjtë të Zotit". “Një duartrokitje për të Lumin e ri!”, përfundoi Françesku, duke iu drejtuar besimtarëve të mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit e shtoi: “unë shoh flamujt meksikan atje”.
I Lumi i ri At Moisés riprodhoi në vetvete "imazhin e Krishtit, zemërbutë e të përvujtë" dhe këtë fytyrë të Jezusit e rrënjosi "edhe në jetën e bijave të tij shpirtërore, Misionareve të Dashurisë së Marisë së Papërlyer, duke i udhëhequr në udhën e fëmijërisë shpirtërore”. I Lumi i ri At Moisés foli për Zotin si një bir të vërtetë dhe foli për Të "si një babai të vërtetë, duke kumtuar e dëshmuar këtë me një butësi që ishte mbresëlënëse". Ai e jetoi "vogëlsinë" e një biri, duke bërë gjithmonë me gëzim vullnetin e Atit në Qiell, madje edhe kur ishte shumë i sëmurë apo në vështirësi të mëdha.
I Lumi Moisés Lira Serafín ishte gjithashtu edhe një mësues i madh i jetës ë shpirtërore, një rrëfimtar, për shumë njerëz "të cilët i udhëhoqi edhe në zgjedhjen e tyre të jetës". Kështu u shpreh kardinali Marcello Semeraro, prefekt i Dikasterit të Vatikanit për Çështjet e Shenjtorëve, për meshtarin meksikan Moisés Lira Serafín, misionar i Shpirtit Shenjt, i cili jetoi në gjysmën e parë të shekullit të kaluar, në predikimin e Meshës së lumnimit, kremtuar dje, si përfaqësues i Papës Françesku, në Bazilikën e Zojës së Guadalupe, në Qytetin e Meksikos