Papa në takimin me jezuitët indonezianë Papa në takimin me jezuitët indonezianë

Papa: lironi Aung San Suu Kyi. Gati për ta mirëpritur në Vatikan

“La Civiltà Cattolica” publikon bisedat e Françeskut me jezuitët, që takoi në Indonezi, Timorin Lindor dhe Singapor, gjatë udhëtimit të tij në Azinë Juglindore dhe në Oqeani. Thirrja e Papës për politikanen birmane, arrestuar në vitin 2021, pas puçit në Mianmar: "E prita djalin e saj në Romë. I ofrova mikpritje në Vatikan". Denoncim i ri kundër klerikalizmit dhe disa konfidenca personale: “Zgjohem herët se jam plak, pushoj duke u lutur”

R.SH. – Vatikan

“Kam kërkuar lirimin e zonjës Aung San Suu Kyi dhe e kam pritur të birin në Romë. I ofrova mikpritje në Vatikan, në territorin tonë”. Thirrja për ish-kryeministren birmane, promovuese e të drejtave të njeriut dhe fituese e çmimit Nobel për Paqen, në burg që nga viti 2021, pas puçit ushtarak, ndër temat e trajtuara nga Papa Françesku në bisedat me jezuitët, që takoi në Indonezi, Timorin Lindor dhe Singapor, gjatë udhëtimit të tij në Azinë Juglindore dhe në Oqeani, nga 2 deri më 13 shtator. Revista e jezuitëve “La Civiltà Cattolica” (Qytetërimi Katolik) boton sot, 24 shtator, pjesë të bisedave të Papës në një artikull të nënshkruar nga Át Antonio Spadaro, zv.sekretar i Dikasterit vatikanas për Kulturën dhe Edukimin, që e shoqëroi Atin e Shenjtë në shtegtim.

Tema të shumta

Papa trajtoi tema të shumta, rrëfeu fakte personale, dha këshilla e foli për aktualitetin, si për shembull, për dramën që jeton Mianmari që prej tre vitesh. Në praninë e një sivëllai birman, Françesku foli për Rohingya-t, pakicën myslimane të diskriminuar dhe shpesh viktimë e persekutimit. Kujtoi udhëtimin e tij në Myanmar dhe Bangladesh, në dhjetor 2017, si edhe bisedën me Aung San Suu Kyi, në atë kohë kryeministre e aktualisht në burg, por edhe takimin me Rohingya-t e "përzënë". “E ardhmja e vendit – i tha jezuitit birman - duhet të jetë paqja e bazuar në respektimin e dinjitetit dhe të drejtave të të gjithëve, në respektimin e një rendi demokratik ku të gjithë japin kontributin e tyre për të mirën e përbashkët”. Françesku përsëriti kërkesën për lirimin e Aung San Suu Kyi, duke kujtuar audiencën me djalin e saj në Romë: “I ofrova mikpritje në Vatikan, në territorin tonë. Në këtë moment zonja është një simbol. Dhe simbolet politike duhet të mbrohen. E mbani mend atë murgeshën në gjunjë me duart e ngritura para ushtarëve? Bëri xhiron e botës. Lutem për ju të rinj, që ta keni këtë guxim. Kisha e vendit tuaj është e guximshme”.

Ideali i drejtësisë

Papa përmendi nënat argjentinase të Plaza de Mayo, që luftojnë të dalë në shesh e vërteta për bijtë e nipërit e zhdukur gjatë diktaturës ushtarake. Kjo lëvizje paqësore ka frymëzuar protesta të ngjashme në Indonezi, por edhe në vende të tjera. Ati i Shenjtë kujtoi takimin me nënat e Plaza de Mayo e bëri thirrje të mbrohet gjithnjë ideali i drejtësisë.

Plaga e klerikalizmit

Përveç problemeve shoqërore dhe politike, Françesku u përqendrua edhe në çështjet kishtare, sidomos në “plagën e klerikalizmit”, siç e ka quajtur shpesh. “Në Vatikan – denoncoi ai - ekziston një kulturë e fortë klerikale, të cilën po përpiqemi ngadalë ta ndryshojnë”. "Klerikalizmi është një nga mjetet më delikate, që përdor djalli”.

Mos e lini kurrë lutjen!

Të shumta, këshillat e Papës për misionin e rregulltarëve në Azi. Në veçanti, Françesku nguli këmbë që shërbimi të shoqërohet me lutje. “Unë vetë kam vërtet nevojë për të – pranoi Ati i Shenjtë. - Ngrihem herët, se jam plak. Pas pushimit, që më bën mirë, ngrihem rreth orës 4, pastaj në 5 filloj lutjen: them breviarin dhe flas me Zotin. Nëse lutja është pak si, të themi, 'e mërzitshme', atëherë them Rruzaren. Më pas shkoj në Pallat për audiencat. Ha drekën dhe pushoj pak. Nganjëherë, them një lutje heshturazi përpara Zotit. Lutem e kremtoj Eukaristinë, natyrisht”. Papa tregoi se lutet edhe në mbrëmje e shpesh, e zë gjumi kështu. “Për mua është shenjë se jam i lumtur me Zotin! Mos e lini kurrë lutjen!” E kjo, është këshilla e fundit papnore, me të cilën mbyllet artikulli i Át Antonio Spadaros.

24 shtator 2024, 13:54