Papa lutet për viktimat e përmbytjeve në Vietnam dhe Mianmar

Gjatë lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit, Papa ka shpreh afërsinë e tij me popullsitë e Azisë të prekura nga tajfuni Yagi

R.SH. / Vatikan

Popullsive të Vietnamit dhe Mianmarit, të cilët po përballen me pasojat e rënda dhe katastrofike të kalimit të tajfunit Yagi dhe "po vuajnë nga përmbytjet", Papa Françesku u ka shpreh afërsinë e tij gjatë lutjes së Engjëllit të Zotit, kremtuar sot në mesditë në Sheshin e Shën Pjetri në prani të shumë besimtarëve. I pikëlluar nga numri i madh i vdekjeve - mbi 300 në të dy vendet - Papa siguron lutjet e tij për ata që kanë humbur jetën, për të dashurit e tyre dhe për ata që janë përfshirë në dhënien e ndihmave të shpëtimit.

Lutem për të vdekurit, për të plagosurit dhe të shpërngulurit. Zoti i ndihmoftë ata që kanë humbur të dashurit dhe shtëpitë e tyre dhe i bekoftë ata që po ndihmojnë, tha Papa.

Të enjten e kaluar, në një telegram të nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Pietro Parolin, Papa Françesku shprehu ngushëllimet e tij për njerëzit që humbën jetën për shkak të fatkeqësisë së rëndë natyrore dhe shprehu "solidaritetin e tij shpirtëror" me njerëzit "që vuajnë nga pasojat e kësaj fatkeqësie" , duke kërkuar prej Zotit bekime hyjnore të paqes dhe ngushëllimit për të gjithë, në veçanti për autoritetet dhe shpëtimtarët.

15 shtator 2024, 18:36