Papa mbërrin në Indonezi e takon të varfër dhe emigrantë
R.SH. – Vatikan
Fillon me afërsi për më të varfërit dhe emigrantët shtegtimi 12-ditor i Papës Françesku në Azi dhe Oqeani. Ati i Shenjtë mbërriti sot në mëngjes në Indonezi, i pari ndër katër vende, që ai do të vizitojë gjatë këtij udhëtimi të 45-të apostolik ndërkombëtar, më i gjati i papnisë. Menjëherë pas ceremonisë së shkurtër të mirëseardhjes në aeroportin ndërkombëtar të Xhakartës, në prani të ministrit për Çështjet Fetare, Papa shkoi në nunciaturën apostolike, ku takoi një grup refugjatësh, fëmijësh jetimë, të moshuarish dhe njerëzish të pastrehë. Refugjatët mirëpriten nga Shërbimi i Jezuitëve për Refugjatët, fëmijët jetimë rriten nga murgeshat dominikane, ndërsa për të moshuarit, emigrantët e të pastrehët kujdeset dega indoneziane e Bashkësisë së Shën Egjidit. Në ditën e tij të parë në Indonezi, Ati i Shenjtë nuk pati impenjime të tjera, edhe për t’u shplodhur nga udhëtimi i gjatë prej mbi 13 orësh fluturim me avion nga Roma, në krahasim me të cilën Xhakarta është pesë orë përpara. Veprimtaritë më intensive fillojnë nesër.
Takimi i djeshëm me të pastrehët
Papa Françesku u takua me nevojtarë edhe dje, para se të nisej nga Vatikani. Rreth pesëmbëdhjetë burra dhe gra të pastrehë vizituan Bergoglio-n në Shtëpinë e Shën Martës, të shoqëruar nga kardinali Konrad Krajewski, Lëmoshtar apostolik. E tema e emigrantëve dhe e shpëtimit të tyre në det hyri me forcë në takimin përshëndetës, që Papa bën zakonisht në avion me gazetarët. “Emigrantët i kam për zemër”, pohoi Françesku gjatë fluturimit për në Indonezi, duke marrë dhuratë nga një gazetar francez një dritë të përdorur nga emigrantët për të sinjalizuar pozicionin e tyre në det, në rastin fatkeq të mbytjes së anijes.
“Emigrantët i kam për zemër”
Gazetari vinte nga një mision dy-javor në anijen Ocean Viking të organizatës “SOS Mediterranee” dhe dritën - të cilën ia dha Françeskut bashkë me bluzën e ekuipazhit të anijes - ia kishte dhënë një emigrant për t'ia çuar Papës. I prekur dukshëm, Ati i Shenjtë falënderoi dhe komentoi: "Faleminderit për gjithçka bëni që të tregoni historitë e emigrantëve. Ata i kam për zemër". Papa kujtoi kështu qartas meditimin e tij në audiencën e përgjithshme kundër dëbimit të migrantëve: "të kthesh mbrapsht emigrantët – pati thënë - është mëkat i rëndë". Po në atë audiencë, ai pati ngritur zërin kundër politikave kufizuese ndaj emigrantëve, si edhe në favor të atyre që punojnë për shpëtimin e tyre në det. Ndër të tjera, çështja e refugjatëve është vendimtare në vendet e Azisë Juglindore, që Françesku po viziton këto ditë, si për shkak të pasojave të katastrofave klimatike, ashtu edhe për shkak të një drame të vazhdueshme - shumë të përmendur nga Bergoglio – atë të grupit etnik Rohingya, refuzuar nga shumë vende.
Bluza e 11-vjeçarit
Gjithnjë në avion, Papa mori si dhuratë nga gazetarët, bluzën e një djali 11-vjeçar të vrarë kohët e fundit në Spanjë, afër Toledos. Fillimisht, u akuzua si vrasës një emigrant, që më pas doli i pafajshëm, por çështja shkaktoi polemika të jashtëzakonshme. Atit të Shenjtë iu dorëzua edhe një letër nga familja e viktimës. Ndërkaq, vinte nga Konferenca Ipeshkvnore e Nikaraguas doreza e një vullnetari, që mbledh objekte plastike të hedhura në det.
80 gazetarë shoqërojnë Papën
"Ju falënderoj për praninë tuaj në këtë udhëtim dhe për shoqërinë tuaj - u tha Françesku rreth 80 gazetarëve, që e shoqëronin. - Do të shihemi sërish në këtë udhëtim, në këtë fluturim të gjatë, mendoj më i gjati që kam bërë ndonjëherë". Nesër, në Xhakartë, në orën 9.30 me orën lokale (4.30 në trevat shqiptare), Papa do të marrë pjesë në ceremoninë zyrtare të mirëseardhjes në Pallatin Presidencial. Më pas, vizita te presidenti në largim i Republikës, Joko Widodo dhe takimi me autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin Diplomatik. Më vonë, takimi privat me sivëllezërit jezuitë në nunciaturë. Pasdite, në orën 16.30 me orën lokale (11.30 në trevat shqiptare) takimi me ipeshkvijtë dhe klerin, në katedralen e Zojës së Madhe, pasuar nga takimi me të rinjtë e Scholas Occurrentes në Shtëpinë e Rinisë dhe nga përurimi i selisë indoneziane të këtyre shkollave për më të varfrit.