Kërko

Papa me autoritetet belge: kombet të mësojnë nga historia e të shmangin katastrofat

Në fjalën e tij të parë në Belgjikë, vend – “urë e Evropës”, Françesku denoncoi me forcë: “Jemi afër një lufte gati botërore”. Ati i Shenjtë u lut që kontinenti i vjetër “ta vërë jetën në plan të parë” dhe dënoi fuqishëm abuzimet e anëtarëve të Kishës me të miturit

R.SH. – Vatikan

Dita e dytë e udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Luksemburg e Belgjikë. Ati i Shenjtë, që mbërriti mbrëmë në Bruksel, i bëri një vizitë kortezie mbretit Filip Leopold Lodeëijk Maria, në kështjellën neogotike të Laeken, rezidencë mbretërore vetëm pak larg nga kryeqyteti belg. Papa përshëndeti edhe kryeministrin e Belgjikës, por, pa dyshim, takimi më i rëndësishëm i paradites së sotme ishte ai me autoritetet e me përfaqësuesit e shoqërisë civile.

Evropa ka nevojë për Belgjikën

Ashtu si në Luksemburg, Ati i Shenjtë Françesku vuri në dukje se madhështia e këtij shteti të vogël, në kufi me Francën e Gjermaninë, nuk vjen nga madhësia, por nga “historia e tij e veçantë, e cila bëri që, menjëherë pas përfundimit të Luftës II Botërore, popujt evropianë, të lodhur dhe të rraskapitur, duke nisur një rrugë serioze pajtimi, bashkëpunimi dhe integrimi, e panë Belgjikën si seli të natyrshme të institucioneve kryesore evropiane”. Belgjika është urë, nënvizoi Papa, urë ndërmjet kontinentit dhe ishujve britanikë, ndërmjet zonës gjermanishtfolëse e asaj frëngjishtfolëse, ndërmjet veriut e jugut të Evropës. Këtu, secili me gjuhën, mendësinë e bindjet e veta, takon të tjerët në dialog me ta, duke e ruajtur identitetin vetjak, por pa e konceptuar atë si pengesë. Belgjika është urë, që promovon tregtinë, i lidh dhe i bën qytetërimet të dialogojnë, prandaj, është e domosdoshme për të arritur paqen dhe për të hedhur poshtë luftën.

“Evropa ka nevojë për Belgjikën – vërejti Ati i Shenjtë - për të vazhduar rrugën e paqes dhe të vëllazërimit ndërmjet popujve, që e përbëjnë atë. Ky vend u kujton të tjerëve se, kur - mbi bazën e justifikimeve nga më të ndryshmet dhe më të paqëndrueshmet - fillojmë të mos respektojmë më kufijtë dhe traktatet dhe ia lëmë armëve të drejtën për të krijuar ligjin, duke e përmbysur atë ekzistues, hapet vazoja e Pandorës dhe të gjitha erërat nisin të fryjnë me forcë, duke e lëkundur shtëpinë nga themelet dhe duke kërcënuar ta shkatërrojnë atë. Në këtë moment historik, besoj se Belgjika ka një rol shumë të rëndësishëm. Jemi afër një lufte gati botërore”.

Kisha Katolike të dëshmojë fenë e saj në Krishtin

Pajtimi e paqja nuk janë të dhëna një herë e përgjithmonë, theksoi Papa. Duhet kujtuar gjithnjë e kaluara për të mos rënë në të njëjtat gabime e Belgjika është e çmuar për kujtesën e kontinentit evropian, pasi vë në dispozicion të tij argumente të pakundërshtueshme për një veprimtari kulturore, shoqërore e politike, e cila e përjashton luftën si opsion, investon në të ardhmen, duke ia hapur dyert jetës e shpresës, “për t’i bërë ballë si dimrit demografik, ashtu edhe ferrit të luftës!”, vuri në dukje Françesku dy probleme kryesore të vendeve evropiane, duke u kërkuar me forcë të bëjnë fëmijë.

“Kisha Katolike – nënvizoi ai rolin e të krishterëve në vend, ku janë më shumë se gjysma e popullsisë - dëshiron të jetë një prani që, duke dëshmuar për fenë e saj në Krishtin e Ringjallur, u ofron njerëzve, familjeve, shoqërive dhe kombeve një shpresë të lashtë e gjithnjë të re; një prani, që i ndihmon të gjithë të përballen me sfida dhe sprova”.

Birësimet e detyruara në Belgjikë

E natyrisht, kjo prani është Jezu Krishti, Lajmin e Mirë të të cilit Kisha e përhap kudo, duke dëshmuar dashurinë për të afërmin, edhe kur bën gabime e dorëzohet para frymës së kësaj bote. Papa përmendi abuzimet me të miturit e, duke lënë mënjanë letrën e shkruar, ngriti zërin, duke i quajtur abuzimet në Kishë “krim, për të cilin ajo duhet të turpërohet e të kërkojë falje, si edhe të përpiqet ta zgjidhë këtë çështje me përvujtëri të krishterë. E të bëjë ç’është e mundur që kjo të mos ndodhë më”. Edhe për një abuzim të vetëm duhet të na vijë turp, theksoi Françesku, i cili foli edhe për fenomenin e “birësimeve të detyruara” në Belgjikë, ndodhur ndërmjet viteve ’50 e ‘70. Pavarësisht se mendësia e atëhershme e konsideronte normale e njerëzit, përfshirë Kishën, mendonin se po vepronin për të mirën e fëmijëve, Françesku denoncoi praktikën e adoptimit të të sapolindurve, kur ata vinin nga një nënë e pamartuar. Madje, pati raste kur vajzave nuk u jepej as mundësi për të zgjedhur nëse dëshironin ta mbanin vetë fëmijën apo ta jepnin për birësim.

“Si pasardhës i Shën Pjetrit Apostull, i lutem Zotit që Kisha të gjejë gjithmonë në vetvete forcën për t’i bërë të qarta gjërat dhe për të mos iu përshtatur kulturës mbizotëruese, edhe kur kjo kulturë përdor - duke i manipuluar – vlera, që rrjedhin nga Ungjilli, por për të arritur rezultate të padrejta, duke shkaktuar vuajtje të rënda e përjashtime”.

Përgjegjësit e kombeve të kenë frikë nga gjyqi i ndërgjegjes

 Së fundi, Papa u kërkoi përgjegjësve të të gjitha kombeve të mësojnë nga historia e Belgjikës për t’u kursyer popujve fatkeqësi e mundime në të ardhmen.

“Lutem që qeveritë të dinë të marrin përsipër përgjegjësinë, rrezikun dhe nderin e paqes dhe të dinë të shmangin rrezikshmërinë, poshtërimin dhe absurditetin e luftës. Lutem që ata të kenë frikë nga gjyqi i ndërgjegjes, i historisë dhe i Zotit, dhe të ndryshojnë vështrimin e zemrat, duke vënë gjithmonë në plan të parë të mirën e përbashkët”.

“En route, avec Espérance”

Ati i Shenjtë përmendi moton e udhëtimit të tij në Belgjikë, En route, avec Espérance(Për udhë, me Shpresë), e duke komentuar faktin se fjala “shpresë” është shkruar më gërmë të madhe, e mbylli fjalimin e tij me nënvizimin:

“Shpresa nuk është diçka që mbahet në çantën e shpinës gjatë rrugës; ...jo, shpresa është dhuratë e Zotit dhe mbahet në zemër! Atëherë, dua t'jua lë juve dhe të gjithë burrave e grave, që jetojnë në Belgjikë, këtë urim: të keni gjithmonë mundësinë për ta kërkuar e për ta pranuar këtë dhuratë nga Shpirti Shenjt, për të ecur së bashku me Shpresë në rrugën e jetës dhe të historisë”.

27 shtator 2024, 10:41