Kërko

Takimi i Papës me pedagogët e Universitetit Katolik të Louvain Takimi i Papës me pedagogët e Universitetit Katolik të Louvain

Papa me pedagogët e universitetit katolik të Louvain-it: “zgjerojini kufijtë e dijes”

Sot pasdite, Papa u takua me pedagogët e Universitetit Katolik të Louvain-it, qytet rreth 26 kilometra nga Brukseli, ku Ati i Shenjtë shkoi për 600-vjetorin e themelimit të këtij institucioni, më i lashti katolik në botë. “Zgjerimi i kufijve të dijes dhe shndërrimi në një vend të hapur për njeriun dhe shoqërinë është misioni i madh i Universitetit”, u tha Françesku

R.SH. – Vatikan

“Zgjerojini kufijtë! Bëhuni kërkimtarë jo të qetë të së vërtetës dhe mos e shuani kurrë pasionin, për të mos u dorëzuar para përtesës së mendimit. Bëhuni protagonistë në krijimin e një kulture të përfshirjes, dhembshurisë, vëmendjes për më të brishtët dhe për sfidat e mëdha të botës në të cilën jetojmë”. Me këto fjalë iu drejtua Papa sot pasdite, pedagogëve të Universitetit Katolik të Louvain-it, qytet rreth 26 kilometra nga Brukseli, ku Ati i Shenjtë shkoi për 600-vjetorin e themelimit të këtij institucioni, më i lashti katolik në botë. U themelua me bulën papnore “Sapientie immarcessibilis” të Papës Martini V, më 9 dhjetor 1425. Aktualisht, ndahet në dy pjesë, njëra në gjuhën fiaminge e tjetra, në frëngjisht. Në vitin akademik 2024-2025, të dyja pjesët e këtij Universiteti Katolik do të kremtojnë 600-vjetorin e themelimit me ekspozita, takime, konferenca dhe ngjarje të tjera.

Universiteti nxit pasionin për kërkimin e së vërtetës

Papa përmendi menjëherë detyrën e tij: “Të japë një formim të gjithanshëm që secili të ketë mjetet e nevojshme për të interpretuar të tashmen e për të projektuar të ardhmen”. “Është bukur të mendosh se Universiteti krijon kulturë, krijon ide, - vërejti Françesku - por sidomos, nxit pasionin për kërkimin e së vërtetës, në shërbim të përparimit njerëzor. Në veçanti, universitetet katolike, si ky, janë të thirrur të japin kontributin vendimtar të tharmit, të kripës dhe të dritës së Ungjillit të Jezu Krishtit dhe të Traditës së gjallë të Kishës, gjithmonë e hapur për skenarë dhe propozime të reja”.

Misioni i Universitetit katolik

Në një qytet si Louvain-i, që njihet nga më të shumtit për birrën “Stella Artois” e për Tregun e Vjetër, sheshin me më shumë bare dhe pub-e për metër katror në Evropë, spikat historia e të ashtuquajturave “begine”, gra të pamartuara, ose vejusha, që edhe pse nuk bënin kushte si murgeshat, zotoheshin të qëndronin të dlira dhe t’u bindeshin rregullave kishtare, duke u tërhequr në vetmi, për një jetë meditimi dhe lutjeje, por sidomos për një jetë bamirësie. Ato, universiteti katolik dhe kisha gotike e vitit 1305 dëshmojnë për rrënjët e thella të krishtera të këtij vendi. Duke përmendur historinë biblike të Jabesit, nga Libri i Kronikave, që iu lut Zotit t’ia zgjerojë kufijtë, Papa u kërkoi pedagogëve katolikë “t’i zgjerojnë kufijtë e dijes”, jo duke shtuar nocione e teori, por duke e kthyer formimin akademik e kulturor në një hapësirë jetësore, që e kupton jetën dhe flet për të.

“Zgjerimi i kufijve dhe shndërrimi në një vend ​​të hapur për njeriun dhe shoqërinë është misioni i madh i Universitetit”, u tha Ati i Shenjtë.

Lodhja shpirtërore dhe racionalizmi pa shpirt

Por cila është gjendja aktuale në shoqërinë e sotme? Nga njëra anë, denoncoi Françesku, kemi hequr dorë nga e vërteta, nga pasioni për ta kërkuar atë, duke e konsideruar çdo gjë relative. Nga ana tjetër, flasim për të vërtetën me një qëndrim racionalist, duke e konsideruar si të vërtetë vetëm atë, që matet dhe eksperimentohet. Këta kufij janë tepër të ngushtë, ngriti zërin Papa. Qëndrimi i parë, vijoi ai, sjell lodhjen shpirtërore. “Kërkimi i së vërtetës është i lodhshëm, sepse na detyron të dalim jashtë vetes, të rrezikojmë, të ngremë pyetje. Prandaj, kur e kemi shpirtin të lodhur, na josh më shumë një jetë sipërfaqësore, që nuk shtron shumë pyetje; ashtu si, në të njëjtën mënyrë, na tërheq më shumë një “fe” e lehtë, puplake, e rehatshme, që nuk vë kurrë në dyshim asgjë”. Qëndrimi i dytë, vijoi Françesku, sjell racionalizmin pa shpirt. “Kur njeriu reduktohet vetëm në materie, kur realiteti ngushtohet brenda kufijve të asaj që është e dukshme; kur arsyeja është vetëm matematikore dhe “laboratorike”, atëherë mungon mahnitja, ajo mrekulli e brendshme, që na shtyn të shikojmë më tej, të shikojmë qiellin, të zbulojmë atë të vërtetë të fshehur, që trajton pyetjet themelore: pse jetoj? ç’kuptim ka jeta? cili është qëllimi dhe destinacioni përfundimtar i këtij udhëtimi?”

Drejt gjithë së vërtetës

Ati i Shenjtë u kërkoi pedagogëve të Universitetit Katolik të Louvain-it t’i kthejnë sytë kah Zoti. “T’i lutemi Hyjit ta bekojë punën tonë, në shërbim të një kulture të aftë për t’i përballuar sfidat e sotme. Shpirti Shenjt, që e kemi marrë dhuratë, na nxit të kërkojmë, t’i hapim fushat e mendimit e të veprimit deri sa të na çojë drejt gjithë së vërtetës”.

Falënderimi për refugjatët

Papa e falënderoi universitetin për mikpritjen, që u ka ofruar refugjatëve. Para fjalimit të tij, të pranishmit panë një video me dëshmi prekëse për ndihmën, që u është dhënë në qytetin e Louvain-it e sidomos në ateneun katolik të tij, i cili i ka pritur krahëhapur e u ka dhënë mundësi për të studiuar. “Për këtë kemi nevojë: - përfundoi Papa Françesku - për një kulturë, që i zgjeron kufijtë, që nuk është "sektare" dhe nuk vendoset mbi të tjerat, përkundrazi, është pjesë e brumit të botës, duke sjellë në të tharmin e mirë, që kontribuon për të mirën e njerëzimit. Kjo detyrë, kjo “shpresë më e madhe”, ju është besuar juve!”

Xhiro me golf-cart në sheshin Tregu i Vjetër

Pas takimit me pedagogët e Universitetit Katolik, një nga studentët më të shquar të të cilit është Erazmusi i Roterdamit, vepra më e njohur e të cilit është “Elozhe për marrinë”, Papa bëri një xhiro me golf-cart në sheshin Tregu i Vjetër (Trashëgimi e UNESCO-s), ku përshëndeti rreth 20 mijë vetë të mbledhur në të e më pas, shkoi për të kaluar mbrëmjen e natën në nunciaturën apostolike, në Bruksel.

27 shtator 2024, 18:20