Takimi i Papës me të rinjtë e Scholas Occurrentes Takimi i Papës me të rinjtë e Scholas Occurrentes

Papa për të rinjtë e Scholas: jo luftës, diskutimi mes miqsh ju ndihmon

Në takimin e fundit të ditës së tij të dytë në Xhakartë, Françesku vizitoi dhe përuroi selinë e re të lëvizjes "Scholas Occurrentes" në Shtëpinë e Rinisë "Grha Pemuda", e para në Azinë Juglindore. Papa foli me tre të rinj për harmoninë dhe paqen dhe përfundoi punën kolektive të "Poliedrit të Zemrës", krijuar nga më se 1500 të rinj indonezianë

R.SH. – Vatikan

         “Lufta ndërmjet nesh është gjithmonë humbje, ndërsa diskutimi na zhvillon”. Ky është thelbi i mesazhit të Papës për të rinjtë në takimin e fundit të ditës së tij të dytë në Xhakartë, vizita në Shtëpinë e Rinisë "Grha Pemuda", selia e re dhe e parë e lëvizjes "Scholas Occurrentes" në Azinë Juglindore. Vizita e tij është festë e edukimit gjithëpërfshirës, ​​e cila mëson se "ndryshimet nuk janë gjë e keqe, por bukuri unike", siç i thotë Papës në dëshminë e saj Christine, një e re viktimë e bullizmit. Festë e Françeskut që diskuton për harmoninë dhe dialogun me të rinjtë. Festë e edukimit “artizanal” të lëvizjes së themeluar në vitin 2013 nga vetë Papa Françesku, me metodologji të reja, që përfshijnë teknologjinë, sportin dhe artin.

Poliedri i Zemrës i plotësuar nga Papa

Një mozaik emocionesh, përshkruar mirë nga "Poliedri i Zemrës", vepra e re kolektive artistike e lëvizjes, një strukturë me materiale natyrore e të riciklueshme realizuar nga më se 1500 të rinj, të cilin Françesku e përfundoi me mesazhin e tij përpara se të largohej. Në qendër të Poliedrit motoja e kombit indonezian “Bhinneka Tunggal Ika” (Bashkim në larmi). Papa u prit me dashuri nga anëtarët e Scholas, që i ofruan dhurata, panë bashkë me të një film mbi muralin e Cascais, plotësuar nga vetë Françesku gjatë DBR-së së Lisbonës. Më pas, u takua me këshillin administrativ të Scholas Occurrentes e, së fundi, në katin e katërt të ndërtesës, u prit nga 200 të rinj indonezianë.

Poliedri i Zemrës
Poliedri i Zemrës

Dëshmitë e të rinjve

         Ati i Shenjtë dëgjoi dëshmitë e të rinjve, si atë të një pedagogeje myslimane, të një të riu të Scholas, që i flet për problemet rinore e shkollore, atë të Kristinës, viktimë e bullizmit. Françesku falenderon dhe ngre gishtin e madh për të shprehur "ok". Më pas merr mikrofonin për të thënë se ka tre gjëra të rëndësishme: çfarë mendojmë, çfarë themi dhe realiteti që përjetojmë. Ekziston "rreziku i të qenit skizofren, dikush që mendon një gjë, por bën një tjetër, nuk ka unitet, por pjekuria e një personi shihet kur mendon, flet dhe jeton në harmoni". Harmonia, për mua, shpjegon Papa, është vendi ku bashkësia ecën së bashku, "duke respektuar larminë, por duke ecur së bashku, ashtu si duhet, pa parë dallimet sociale". Paqja është harmoni, sqaron ai, dhe për ta arritur atë duhet të ndiqni këto parime: “Realiteti është superior ndaj idesë, uniteti është superior ndaj konfliktit dhe tërësia është superiore ndaj një pjese”.

Zgjedhja ndërmjet luftës dhe fyerjes, si edhe "dora e shtrirë"

Jeta duhet të etë e larmishme, po të ishim të gjithë njësoj, do të ishte e mërzitshme, vëren Papa në bisedë me të rinjtë. Në larmi mund të ketë konflikt ose dialog. “Nëse dy vende janë të ndryshme, çfarë të bëjmë? Dialog apo luftë? Dëshira për të pasur gjithçka në dorë shkakton luftë. Fjala e duhur është të ecim së bashku”. Duhet të zgjedhim, nënvizon Papa, ndërmjet luftës dhe fyerjes së njëri-tjetrit, ose "politikës së dorës së shtrirë, të përqafimit, të dashurisë vëllazërore dhe të ecjes gjithmonë përpara me dialog, duke diskutuar, por së bashku". Kur diskutojmë si miq, mund të ndryshojmë mendje, por lufta është gjithnjë disfatë.

Dhuratat dhe Zoja e Butësisë

Të rinjtë i dhuruan Papës shumë objekte të realizuara prej tyre, ose prej bashkëmoshatarëve në vështirësi, ndërsa ai i la si dhuratë "Scholas Occurrentes" një ikonë të Zojës së Butësisë, "Zojës së Korsunit", e njohur gjerësisht si Korsunskaya, e cila deri në Revolucionin e Tetorit u ruajt në Kishën e Fjetjes së Marisë në Kremlin.

Mangrovia dhe bekimi "për të gjithë"

Në fund, Papa mbjell simbolikisht një mangrovie në kujtim të këtij takimi historik, së bashku me ministrin e Mjedisit, Luhut, fillim i një projekti për ambientin dhe zhvillimin e qëndrueshëm. Duke kujtuar se Zoti është vetëm një, Ati i Shenjtë i fton të gjithë të luten në heshtje dhe më pas jep "bekimin për të gjithë": "Zoti e bekoftë secilin prej jush, bekoftë dëshirat tuaja, bekoftë familjet tuaja, bekoftë të tashmen dhe të ardhmen tuaj". Papa Françesku largohet nga Shtëpia e Rinisë në orën 19.45 me orën lokale, 14.45 në trevat shqiptare.

04 shtator 2024, 15:17