Kërko

Papa rregulltarëve Teatinë: "përtëritja, besinikëria, bashkimi dhe shërbimi"

Në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, Papa takohet me pjesëmarrësit e shtegtimit të promovuar nga Klerikët e Rregullt Teatinë me rastin e qindvjetorit të themelimit të tyre dhe inkurajon besimtarët të vazhdojnë udhën e një "ripërtëritjeje shpirtërore, në bashkim dhe shërbim".

R.SH. – Vatikan

Pavarësisht se sapo ishte kthyer nga udhëtimi i gjatë apostolik në Azinë Juglindore, Papa rifilloi sot paradite veprimtarinë e plotë dhe të zakonshëm duke u takuar me pjesëmarrësit në shtegtimit të promovuar nga Klerikët e Rregullt Teatinë, me rastin e 500-vjetorit të themelimit.

Ishte 14 shtatori i vitit 1524 kur Shën Gaetani i Thienës dhe shokët e tij të parë bënë kushtet e tyre solemne në jetën rregulltare në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Romë, duke filluar kështu institutin rregulltar të Klerikëve të Rregullt Teatinë "për të praktikuar dhe promovuar "jetën e përbashkët dhe shërbimin e Zotit ndaj vëllezërve tanë “, dhe për të kontribuar në reformimin e Kishës nëpërmjet përtëritjes së vetvetes, sipas modelit të bashkësisë së parë apostolike”. Këtë përkujtoi Papa Françesku në fjalimin e tij drejtuar, sot paradite, pjesëmarrësve të shtegtimit të promovuar nga Etërit rregulltar Teatinë me rastin e pesëqindvjetorit të themelimit të tyre, takuar në bazilikën e Vatikanit dhe inkurajoi rregulltarët të vazhdojnë udhën e tyre "në ripërtëritje, besnikëri, bashkim dhe shërbim".

Ripërtëritja e bazuar në lashtësi

Papa e nisi reflektimin e tij pikërisht nga Bazilika e Shën Pjetrit, në kohën e kushteve solemne të jetës rregulltare të Gaetanit nga Thiene, më 14 shtator të vitit 1524, kur ishte një kantier i vërtetë ndërtimi për fillimin e prishjes së "ndërtesës së lashtë konstantiniane të Bazilikës së Shën Pjetrit, që nuk i përshtatej më nevojave të popullit të Zotit, për të ndërtuar një bazilikë të re". Ecuria e punimeve të Bazilikës së re të asaj kohe, ndonëse shkonte ngadalë për shkak të mungesës së fondeve dhe projekteve të paqarta, për Papën Françesku ofron një imazh “që na ndihmon të reflektojmë mbi nevojën për t'i qëndruar besnikë misionit tonë, duke ndërmarrë shtigje të guximshme të një ripërtëritjeje“ të vërtet,  pra, ripërtëritjen e besnikërisë sonë ndaj Zotit, “duke qëndruar të rrënjosur mbi të vjetrën”, por duke qenë në të njëjtën kohë “gati për të prishur atë që nuk nevojitet më, për të ndërtuar diçka të re”. Kjo do të thotë rinovim, shpjegon Papa.

Bashkimi

Sa i përket bashkimit, Papa kujtoi se "artistë të famshëm, mjeshtër të aftë dhe një mori punëtorësh e punëtoresh, burra e gra, të angazhuar në detyrat më modeste, të bashkuar në të njëjtën përpjekje për t'i dhënë jetë ndërtesës së re" punuan në Bazilikën e Shën Pjetrit, dhe nënvizoi rëndësinë e bashkëpunimit, sepse "një shtëpi mikpritëse, në fakt, nuk ndërtohet vetëm, por së bashku, në komunitet, duke vlerësuar kontributin e të gjithëve".

Në shërbim të njëri-tjetrit

Më tej, Papa Françesku tha se për të realizuar projekte duhet të përveshësh mëngët, duhet përkushtim. Qëllimet e mira mbeten sterile nëse nuk e vëmë veten konkretisht në shërbim të njëri-tjetrit, me përulësi, vullnet të mirë dhe shpirt sakrifice. Këtë na e tregoi Shën Gaetani, me veprat e shumta bamirëse që promovoi, disa janë të gjalla edhe sot e kësaj dite; por para së gjithash këtë na mësoi Jezusi, i cili nuk erdhi për t'i shërbyer, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij për njerëzimin.

Kisha është populli i Zotit

Ajo që ka rëndësi “jemi ne, personalisht dhe si komunitet”, nënvizoi më pas Papa, duke ftuar ta vëzhgojmë Bazilikën e Vatikanit, e theksoi se ndërtesa është një simbol. Pesëqind vjet më parë themeluesit tuaj nuk ia kushtuan jetën një kantieri me tulla dhe mermer, por me gurë të gjallë; ata ia kushtuan jetën Kishës me shkronjën "K", Kishës, nuses së Krishtit, popullit të Zotit dhe trupit mistik të Jezu Krishtit Zot. Është pikërisht për të mirën e Kishës që secili prej tyre u shpenzua deri në fund, duke i dhënë jetë një vepre që pas shumë shekujsh besnikërie, që sot juve ju është besuar kjo detyra e shenjtë. Guxim e ecni përpara. Guxim dhe përpara..

 

14 shtator 2024, 12:03