Papa: sa më afër Zotit, aq më larg djallit

Në audiencën e përgjithshme, Papa kujton se djalli fshihet në okultizëm e spiritualizëm e se mjetet moderne, përveç shumë aspekteve pozitive që duhen vlerësuar, i ofrojnë atij mundësi të panumërta për të na bërë të biem në tundim e mëkat. Ky është rasti i pornografisë në internet, një fenomen shumë i përhapur, nga i cili të krishterët duhet të ruhen me kujdes dhe ta refuzojnë me forcë, paralajmëron Françesku. Krishti e mundi djallin, "dhe na dha Shpirtin Shenjt për ta bërë tonën fitoren e tij"

R.SH. – Vatikan

Papa i kthehet ciklit katekistik të audiencave të përgjithshme me temën “Shpirti dhe Nusja. Shpirti Shenjt e udhëheq popullin e Zotit për të takuar Jezusin, shpresën tonë". Ati i Shenjtë Françesku në audiencën e sotme të përgjithshme, besimtarëve të mbledhur, paradite në sheshin e Shën Pjetrit për ta dëgjuar, pas përshkimit të zakonshëm me papamobil në mesin e shtegtarëve dhe turistëve, u foli para së gjithash për Jezusin e udhëhequr nga Shpirti në shkretëtirë "për t'u tunduar nga djalli", për të shpjeguar pastaj se pikërisht me mbështetjen e Shpirtin Shenjt Zot luftohet shpirti keq.

 

Djalli e besëtytnia

Menjëherë pas pagëzimit të tij në Jordan, "Shpirti i Hyjit e çoi Jezusin në shkretëtirë, që ta tundojë nga djalli" (Mt 4,1) - kështu thotë Ungjilli i Mateut. Iniciativa nuk është e djallin, por e Zotit. Duke shkuar në shkretëtirë, Jezusi i bindet një frymëzimi të Shpirtit Shenjt, e nuk bie në grackën e armikut, jo. Pasi e kaloi provën, - është shkruar – Ai u kthye në Galile "me fuqinë e Shpirtit Shenjtë" (Lk 4,14).

Jezusi, në shkretëtirë, e çliroi veten nga djalli dhe tani mund të çlirojë të tjerët nga djalli. Këtë e vënë në pah ungjilltarët me historitë e shumta të çlirimit të njerëzve të djallosur. Jezusi u thotë kundërshtarëve të tij: "Nëse unë po i dëboj djajtë me ndihmën e Shpirtit të Hyjit, do të thotë se arriti ndër ju Mbretëria e Hyjit" (Mt 12,27).

Me këto fjalë Papa e nisi katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, e pastaj vuri në dukje se sot, megjithatë, "në një nivel të caktuar kulturor" mendohet se djalli "nuk ekziston", se ai është "simbol i pavetëdijes kolektive, ose i tjetërsimit", se është një "një metaforë". Por në realitet, siç shkroi Charles Baudelaire, "dinakëria më e madhe e djallit është t'i bëjë njerëzit të besojnë se ai nuk ekziston".

Bota jonë teknologjike dhe e laicizuar është plot me magjistarë, okultizëm, spiritualizëm, astrologë, shitës faturash e amuletesh dhe për fat të keq sekte të vërteta satanike. Pasi u dëbua nga dera, djalli u kthye, mund të thuhet, nga dritarja. I larguar nga feja, ai kthehet me bestytni.

Teknologjia moderne dhe pornografia rast për djallin

Por në kryq Jezusi e “mundi përgjithmonë fuqinë e “princit të kësaj bote”” dhe siç tha Shën Cezari i Arles,  djalli “është i lidhur, si një qen në një zinxhir; ai nuk mund të kafshojë më askënd, përveç atyre që, duke sfiduar rrezikun, i afrohen... Mund të leh, mund të kërkojë, por nuk mund të kafshojë, përveç atyre që duan”. Dhe fatkeqësisht sot mënyra të ndryshme i ofrojnë mundësi djallit për të mashtruar e tunduar njerëzit, paralajmëron Papa.

Për shembull, teknologjia moderne, përveç shumë burimeve pozitive që duhen vlerësuar, ofron edhe mjete të panumërta për t'i "dhënë djallit një mundësi", dhe shumë bien në kurthin e tij. Le të mendojmë për pornografinë në internet, pas së cilës ka një treg të lulëzuar: ky është një fenomen shumë i përhapur, nga i cili megjithatë të krishterët duhet të ruhen me kujdes dhe të cilin duhet ta refuzojnë me forcë.

Jini vigjilentë dhe mos i jepni mundësi djallit

Nëse djalli "është i pranishëm dhe vepron në disa forma ekstreme dhe 'çnjerëzore' të së keqes dhe ligësisë që shohim rreth nesh", nuk mund të thuhet me siguri, "në raste individuale", se është "pikërisht ai", sqaron Françesku, "pasi ne nuk mund ta dimë saktësisht se ku përfundon veprimi i djallit dhe ku fillon e keqja jonë." Për këtë arsye "Kisha është shumë e kujdesshme dhe rigoroze në ushtrimin e ekzorcizmit, ndryshe nga sa ndodh, për fat të keq, në disa filma". Ndërsa, në jetën e shenjtorëve dhe të besimtarëve të mëdhenj "djalli detyrohet të dalë në shesh", sepse shfaqet "lufta me këtë realitet të errët".

Beteja kundër shpirtit të keq fitohet sikur fitoi Jezusi në shkretëtirë: me fjalën e Zotit: “Është shkruar”: kështu Ai i përgjigjet tri herë tunduesit. Shën Pjetri sugjeron edhe një mjet tjetër, për të cilin Jezusi nuk kishte nevojë, por ne kemi, vigjilencën: “Jini të matur, rrini zgjuar. Armiku juaj, djalli, endet këndej dhe andej, si luan ulëritës, duke kërkuar dikë që ta përpijë”. Dhe Shën Pali, nga ana e tij, paralajmëron: "Mos i lini asnjë anë kah t’ju kapë djalli".

Fitorja e Krishtit

Megjithatë, "ndërgjegjësimi i veprimit të djallit në histori" nuk duhet të jetë shkak për dekurajim, përfundon Papa katekizmin e audiencës së sotme të përgjithshme, sepse me "besim" dhe "siguri" duhet të kemi parasysh se "Krishti e mundi djallin dhe na dha Shpirtin Shenjt që fitoren e tij ta bëjë tonën”.

25 shtator 2024, 11:01

Audiencat e fundit

Lexo gjithçka >