Papa muzikantëve të rinj: këndoni shpresën për bashkëmoshatarët, që e kanë humbur
R.SH. – Vatikan
“Kemi nevojë për talentin e të rinjve, për krijimtarinë e tyre, nxitur jo nga idhujt e parasë dhe të suksesit, por nga pasioni për të bukurën, për vëllazërimin, për Jezu Krishtin Zot, që na shpëton dhe i jep kuptim jetës”. Një mesazh shprese dhe mirënjohjeje, ai i Papës Françesku në fjalimin, që u dorëzoi pjesëmarrësve të Christmas Contest, konkurs i promovuar nga Fondacioni Papnor “Gravissimum Educationis” - Kultura për Edukimin, i cili mbledh këngë të papublikuara për Krishtlindjen nga e gjithë bota. Këngët më të mira do të këndohen në Koncertin prestigjioz të Krishtlindjes në Vatikan.
Një konkurs, "mundësi zhvillimi"
Konkursi përcaktohet nga Françesku si "i veçantë", si një "mundësi për zhvillim". “Më pëlqen të kujtoj me ju, këngëtarë dhe muzikantë të rinj të impenjuar për të promovuar vlerat e Krishtlindjes, - shkruan Papa në mesazh - se lindja e Jezusit u shoqërua me një këngë qiellore: "Lavdi Zotit në lartësitë qiellore dhe paqe mbi tokë njerëzve që Ai do”.
Vokacioni artistik i rinisë
Papa kujton se "Mishërimi i Jezu Krishtit" ka "frymëzuar artistë të panumërt të çdo gjuhe dhe kulture gjatë shekujve, të cilët kanë përvijuar shtigje vëllazërimi në botë. Ai "sjell paqen e vërtetë në botë, për të cilën kemi shumë nevojë sot!", vëren Françesku, duke vënë në dukje "talentin", "origjinalitetin", "historitë" dhe "zërat" si mjete në dispozicion të pjesëmarrësve për t’u bashkuar "me këtë vazhdë". Është dashuria e Zotit, që u flet zemrave tuaja, u shkruan Papa pjesëmarrësve në konkurs. “Në rininë tuaj, në dëshirën për të shprehur vokacionin tuaj artistik, në rrugëtimin njerëzor dhe të krishterë, të gjithë, në mënyra të ndryshme, ndjeni tërheqjen e misterit të dashurisë që mishërohet dhe e manifestoni atë me këngë e muzikë”.
Një zë për ata që kanë humbur shpresën
Papa i quan zërat e pjesëmarrësve këngë "shprese", për të mirën e "atyre bashkëmoshatarëve tuaj, që e kanë humbur atë për shumë arsye: varfëri, sëmundje, luftë, migrim i detyruar, probleme familjare, shkollore, miqësie". Së fundi, Françesku uron që "disa nga këta të rinj" të "preken" nga dëshmia e kënduar e të pranishmëve.