Kërko

Papa, ndjeti i lutjes: “Jemi të gjithë përgjegjës për misionin e Kishës"

Në ndjetin e tij për muajin tetor, Françesku na fton të lutemi për një "stil sinodal jetese, nën shenjën e bashkëpërgjegjësisë", duke promovuar “pjesëmarrjen, bashkimin dhe misionin e përbashkët të meshtarëve, rregulltarëve, besimtarëve dhe laikëve"

R.SH. – Vatikan

“Për një mision të përbashkët”: ky është ndjeti i lutjes, zgjedhur nga Papa Françesku për tetorin, besuar Rrjetit të tij Botëror të Lutjeve. Tema lidhet me asamblenë e përgjithshme të Sinodit, që mbahet pikërisht gjatë këtij muaji. Ati i Shenjtë u kërkon gjithë të krishterëve – laikë, meshtarë e rregulltarë – “të ecin së bashku, duke përshkuar rrugën e sinodalitetit”, pasi “jemi bashkëpërgjegjës në mision, marrim pjesë dhe jetojmë në bashkimin e Kishës”.

Videoja është realizuar nga dioqeza e Brooklyn, me ndihmën e DeSales Media, në bashkëpunim me vetë Sekretarinë e Përgjithshme të Sinodit dhe me mbështetjen e Fondacionit Pro Rrjetit Botëror të Lutjes së Papës.

Të punojmë së bashku

Nuk ka rëndësi nëse je “shofer autobusi” o “fshatar” o “peshkatar”, nënvizon Papa. Misioni është i njëjtë: "të dëshmojmë me jetën tonë", "secili duke kontribuar me gjithçka bën më mirë". Me këtë bashkëpërgjegjësi, punojmë së bashku, pavarësisht nga thirrja e secilit: “Ne meshtarët – thekson Françesku - nuk jemi kryetarët e laikëve, por barinjtë e tyre. Jezu Krishti na ka thirrur si njërin, ashtu edhe tjetrin: jo njëri superior ndaj tjetrit, as njëri në njërën anë dhe tjetri në anën tjetër, por në plotësim të njëri-tjetrit”, shpjegon Bergoglio në fillim të mesazhit. E, më pas, shton: “Laikët, të pagëzuarit, janë në shtëpinë e vet në Kishë dhe duhet të kujdesen për të. E njëjta gjë vlen edhe për ne, meshtarët e rregulltarët”.

Misioni i përbashkët

Pamjet, që shoqërojnë mesazhin e Françeskut tregojnë sa i pasur është Populli i shenjtë i Zotit (Lumen Gentium, 12): vihen në dukje shërbesat e ndryshme brenda dhe jashtë famullive, karizmat e ndryshme, çastet e jetës së përbashkët. Vetë realizimi i kësaj videoje nga dioqeza e Brooklyn, me një grup profesionistësh laikë të komunikimit fetar, është shembull i misionit të përbashkët. Në fjalën e tij për 50-vjetorin e Sinodit të Ipeshkvijve, Papa Françesku nënvizon se "sinodaliteti është rruga, që Zoti pret nga Kisha e mijëvjeçarit të tretë". Kjo kërkon dëgjim të ndërsjellë dhe bashkëpunim të ngushtë ndërmjet gjithë anëtarëve të Kishës. Për këtë arsye, në ndjetin e tij për tetorin, Papa na fton të lutemi që "Kisha të vazhdojë të mbështesë me çdo mënyrë një stil sinodal jetese, nën shenjën e bashkëpërgjegjësisë, duke nxitur pjesëmarrjen, bashkimin dhe misionin e përbashkët të meshtarëve, rregulltarëve dhe laikëve”.

Ftesë kolektive

Muaji i tetorit është çast vendimtar për sindalitetin në Kishë, pasi përfundon udha e asamblesë ipeshkvnore sinodale, që filloi tre vjet më parë. Jo më kot, në videon e ndjetit të lutjes, Papa thekson bashkëpërgjegjësinë e të krishterëve – të gjithë të pagëzuar në Krishtin - për ta çuar përpara Kishën e misionin e saj në botë. Siç kujton shpesh Ati i Shenjtë, 'pa lutje nuk ka Sinod'. Vetëm lutja mund t’i shndërrojë zemrat, që nuk shkëputen dot nga zakonet e kësaj bote dhe nga interesat personale, duke e bërë Kishën më besnike ndaj Ungjillit. Në këtë muaj vendimtar, Papa na fton të bashkohemi në lutje për Sinodin, që ai të jetë kohë e vërtetë takimi, dëgjimi të ndërsjellë dhe shoshitjeje komunitare, udhëhequr nga Shpirti Shenjt.

Teksti i videos

Të gjithë ne të krishterët jemi përgjegjës për misionin e Kishës. Të gjithë meshtarët. Të gjithë.

Ne meshtarët nuk jemi kryetarët e laikëve, por barinjtë e tyre. Jezusi na thirri, njërin dhe tjetrin: jo njëri superior ndaj tjetrit, as njëri në njërën anë dhe tjetri në anën tjetër, por në plotësim të njëri-tjetrit. Jemi bashkësi. Prandaj, duhet të ecim së bashku, duke përshkuar rrugën e sinodalitetit.

Sigurisht, mund të më pyesni: çfarë mund të bëj unë, një shofer autobusi? Unë, një fshatare? Apo unë, peshkatar? Çfarë duhet të bëjmë të gjithë: të dëshmojmë me jetën tonë. E të ndajmë përgjegjësinë për misionin e Kishës.

Laikët, të pagëzuarit, janë në shtëpi të vet në Kishë dhe duhet të kujdesen për të. E njëjta gjë vlen edhe për ne, meshtarët e rregulltarët. Të gjithë kontribuojnë me gjithçka dinë ta bëjnë më mirë. Jemi bashkëpërgjegjës në mision, marrim pjesë dhe jetojmë në bashkimin e Kishës.

Të lutemi që Kisha të vazhdojë të mbështesë me çdo mënyrë një stil sinodal jetese, nën shenjën e bashkëpërgjegjësisë, duke nxitur pjesëmarrjen, bashkimin dhe misionin e përbashkët të meshtarëve, besimtarëve dhe laikëve.

30 shtator 2024, 16:04