Papa në Azi dhe Oqeani: largohet nga Indonezia, telegram presidentit

Papa Françesku u largua nga kryeqyteti indonezian për të ndërmarrë fazën e dytë të udhëtimit të tij të 45-të ndërkombëtar apostolik, i cili tani e çon në Papua Guinenë e Re, ku do të qëndrojë për dy ditë, deri të dielën më 8.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku u largua nga kryeqyteti indonezian për të ndërmarrë fazën e dytë të udhëtimit të tij të 45-të ndërkombëtar apostolik, i cili tani e çon në Papua Guinenë e Re, ku do të qëndrojë për dy ditë, deri të dielën më 8 shtator. 

Motoja e vizitës së Papës Françesku në Papua Guinenë e Re është “Lutuni”, frymëzuar nga pyetja e dishepujve drejtuar Jezusit: “O Zot, na mëso të lutemi”. Logo ka Kryqin në qendër.

Dje pasi kremtoi Meshën në mënyrë private, Papa i dha lamtumirën stafit dhe dashamirësve në nunciaturën apostolike në Xhakartë dhe u zhvendos me makinë në aeroportin ndërkombëtar Soekarno-Hatta ku u zhvillua ceremonia e lamtumirës nga Indonezia.

Me të mbërritur në aeroport, Papa u prit nga Ministri për Çështjet Fetare. Pas përshëndetjeve nga delegacionet përkatëse dhe shoqëruesit vendas, Ati i Shenjtë Françesku u nis në orën 10.37 (5.37 me orën e Romës), drejt për në Port Moresby, Papua Guinea e Re, etapa e dytë e udhëtimit të tij në Azi dhe Oqeani. Ulja në Port Moresby pritet pas rreth 6 orësh fluturimi.

Menjëherë pas largimit nga aeroporti i Xhakartës, Papa i dërgoi një telegram Presidentit të Republikës së Indonezisë, Joko Widodo, ku thuhet: “Në përfundim të vizitës sime në Indonezi, dëshiroj t’i shpreh mirënjohjen time të thellë Shkëlqesisë së Tij, autoriteteve lokale dhe të gjithë indonezianëve për përzemërsinë dhe gjestet e shumta të vëllazërisë që më drejtuan këtyre ditëve. Duke vazhduar udhëtimin tim apostolik në Papua Guinenë e Re, Timorin Lindor dhe Singapor, do të fluturoj mbi hapësirën ajrore indoneziane në disa raste. Çdo herë, do ta kujtoj intensivisht vendin tuaj, për të cilin kërkoj me gjithë zemër bekimet hyjnore”.

06 shtator 2024, 10:33