Kërko

Papa në Indonezi takohet me refugjatë, të moshuar dhe të pastrehë

Papa mbërriti në Nunciaturën Apostolike në Xhakartë, menjëherë pasi zbriti në aeroportin Soekarno-Hatta, takoi një grup refugjatësh të strehuar nga Jesuit Refugee Service (Shërbimi i Jezuitëve për Refugjatë), fëmijë jetimë të rritur nga motrat rregulltare domenikane dhe të moshuar, refugjatë dhe të pastrehë të shoqëruar nga Komuniteti indonezian i Shën Egjidit. Refugjatët vijnë nga vende e kombe të ndryshme. Në mesin e tyre, disa Rohingya nga Mianmari, refugjatë nga Sri Lanka dhe Somalia.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku mbërriti në Nunciaturën Apostolike në Xhakartë, menjëherë pasi zbriti në aeroportin Soekarno-Hatta, takoi një grup refugjatësh të strehuar nga Jesuit Refugee Service (Shërbimi i Jezuitëve për Refugjatë), fëmijë jetimë të rritur nga motrat rregulltare domenikane dhe të moshuar, refugjatë dhe të pastrehë të shoqëruar nga Komuniteti indonezian i Shën Egjidit. Refugjatët vijnë nga vende e kombe të ndryshme. Në mesin e tyre, disa Rohingya nga Mianmari, refugjatë nga Sri Lanka dhe Somalia.

Për Papën sot, në ditën e tij të parë të vizitës në Indonezi, pas rreth 13 orësh fluturimi, nuk janë programuar takime tjera publike. Ceremonia e mirëseardhjes do të zhvillohet nesër në Istana Merdeka, pranë Pallatit Presidencial, në qendër të Xhakartës. Papa do të pritet nga Presidenti (në largim) i Republikës Joko Widodo, i njohur gjithashtu si Jokowi. Pas nënshkrimit në Librin e Nderit, do të zhvillohet takimi privat, i ndjekur nga takimi i parë publik i Papës: takimi me autoritetet, shoqërinë civile dhe trupin diplomatik.

Presidenti Joko Widodo tha se: “Françesku është një lider i madh global, do të flasim edhe për Ukrainën dhe Gazën”. Pritet takimi me imamin e madh Nazaruddin Umar me të cilin Papa do të nënshkruajë një deklaratë të përbashkët pasi të ketë përshkuar tunelin që lidh Xhaminë me Katedralen.

Ghjithnjë nesër janë në program takimet e Papës me anëtarët e komunitetit të Jezuitëve të pranishëm në vend (në formë private), me ipeshkvijtë, meshtarët, rregulltarët e rregulltaret, seminaristët dhe katekistët (në Katedralen e Zojës së Madhe) dhe së fundi takimi me të rinjtë e Scholas Occurrentes në Shtëpinë e Rinisë Grha Pemuda.

Në aeroplanin për në Indonezi, etapa e parë e udhëtimit të gjatë apostolik nga 2-13 shtator, Papa Françesku përshëndeti gazetarët nga e gjithë bota që po e shoqërojnë në udhëtimin e 45-të ndërkombëtar të papnisë së tij. I ofruan dhurata të shumta, duke përfshirë riprodhimin e një stele nga Kina që daton në shekullin e 5-të dhe dy dhurata që lidhen me dramën e migrimit.

Vizita e Papës në Indonezi karakterizohet nga motoja "Fe, vëllazërim dhe dhembshuri", ndërsa në logo shihet Papa që bekon njerëzit para emblemës kombëtare të "Garuda"-s së artë (shqiponjës së shenjtë), e cila të kujton pëlhurën 'batik'.

Po kujtojmë gjithastu se ky është Udhëtimi i 45-të apostolik i Françeskut, është më i gjati i papnisë (2-13 shtator), gjatë të cilit Ati i Shenjtë Bergoglio do të vizitojë katër vende: Indonezinë, Papua Guinenë e Re, Timorin Lindor dhe Singaporin.

03 shtator 2024, 10:45