Papa: Lufta në Gazë, është tepër! Asnjë hap nuk po ndërmerret për paqen
R.SH. – Vatikan
Lufta në Gazë është e tepërt! Gjatë fluturimit nga Singapori në Romë, Papa Françesku takohet me gazetarët shoqërues dhe flet për situatën dramatike në Tokën e Shenjtë. Viktimat në Gazë janë mbi 41 mijë. Një nga pyetjet preku temën e zgjedhjeve amerikane dhe vështirësitë e një katoliku për të vendosur ndërmjet dy kandidatëve. Fjalë inkurajuese për Kinën, të cilën Françesku e quajti "premtim dhe shpresë për Kishën".
Pei Ting Wong (The Streets Times, Singapor)
Papa Françesku, shpresoj se ju ka pëlqyer vizita juaj në Singapor…
Nuk e prisja ta gjeja një Singapor si ky. Thonë se e quajnë Nju Jorku i Lindjes: një vend i zhvilluar, i pastër, njerëz të arsimuar, qyteti me rrokaqiejt e mëdhenj e, edhe me një kulturë të madhe ndërfetare. Takimi ndërfetar, që pata në fund, ishte model, model vëllazërimi.
Delfim De Oliveira, GMN TV (Grupo Média Nacional, Timori Lindor)
Atë i Shenjtë, në Timor përdorët shprehjen “krokodilat”. Çfarë deshët të thonit me këtë?
Përdora imazhin e krokodilëve, që vijnë në bregdet. Timori Lindor ka një kulturë të thjeshtë, familjare, të gëzueshme dhe ka një kulturë jete, ka shumë fëmijë, shumë, prandaj, kur flisja për krokodilat, flisja për idetë që mund të vijnë nga jashtë për ta prishur këtë harmoni. Po ju them një gjë: rashë në dashuri me Timorin Lindor.
Shpresoj të keni kaluar momente të paharrueshme në Indonezi, sepse njerëzit në vend, dhe jo vetëm katolikët, ju prisnin prej kohësh. Papua dhe Indonezia kanë të njëjtin problem: investimet në sektorin e minierave u rezervohen oligarkëve, ndërsa vendasit nuk gëzojnë përfitimet, që rrjedhin nga ky aktivitet. Çfarë mendoni, dhe çfarë mund të bëhet?
Ky është problem – do të thosha – i përbashkët për vendet në zhvillim. Për këtë arsye është e rëndësishme doktrina shoqërore e Kishës: duhet të ketë komunikim ndërmjet sektorëve të ndryshëm të shoqërisë. Ju thatë se Indonezia është vend në zhvillim dhe ndoshta, një nga gjërat që duhet të zhvillohet është pikërisht kjo: marrëdhëniet shoqërore. Por isha i lumtur me vizitën në vendin tuaj. Shumë mirë. Shumë bukur.
Matteo Bruni
Shenjtëria juaj, shtypi i Papua Guinesë së Re e ndoqi udhëtimin tuaj me shumë interes, por fatkeqësisht nuk patën mundësi të kishim një gazetar në këtë avion. Prandaj, përfitoj nga rasti t'ju pyes nëse doni të na thoni diçka për Papua Guinenë e Re, veçanërisht për Vanimon, i cili është vendi, ku më duket se ju personalisht deshët të shkoni...
Më pëlqeu vendi dhe pashë një vend të fortë, në zhvillim. Pastaj doja të shkoja në Vanimo për të takuar një grup meshtarësh dhe murgeshash argjentinase, që shërbejnë atje dhe pashë një organizim shumë të bukur, shumë të bukur. Misionarët që vizitova shkojnë në pyll për të punuar. Më pëlqeu Vanimo – edhe vendi gjithashtu.
Stefania Falasca (Tianou Zhiku)
Jemi pranë rinovimit të marrëveshjes Kinë- Seli e Shenjtë për emërimet e ipeshkvijve. Jeni i kënaqur apo jo me rezultatet e dialogut deri tani?
Jam i kënaqur nga dialogu me Kinën, rezultati është i mirë, edhe për emërimin e ipeshkvijve punojmë me vullnet të mirë. Kam pyetur Sekretarinë e Shtetit si po shkojnë gjërat: jam i kënaqur. Kina është tjetër gjë: për mua Kina është një “ilusión” (aspiratë, red.), në kuptimin që do të doja ta vizitoja Kinën, sepse është vend i madh; unë e admiroj Kinën, e respektoj Kinën. Është vend me një kulturë mijëravjeçare, me aftësi për dialog, për ta kuptuar njëri-tjetrin, që shkon përtej sistemeve të ndryshme politike, që ka pasur. Besoj se Kina është premtim dhe shpresë për Kishën.
Anna Matranga (CBS News)
Duke pasur parasysh zgjedhjet e ardhshme në Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të doja t'ju pyesja: çfarë këshille mund t'i jepni një votuesi katolik, i cili duhet të vendosë ndërmjet një kandidati në favor të ndërprerjes së shtatzënisë dhe një tjetri, që do të dëshironte të dëbojë 11 milionë emigrantë?
Të dy janë kundër jetës, si ai që hedh jashtë emigrantët, ashtu edhe ai, që vret fëmijët. Të dy janë kundër jetës. Të largosh emigrantët, të mos u japësh migrantëve mundësinë për të punuar, të mos i mirëpresësh ata është mëkat, është e rëndë. Pastaj, aborti. Shkenca thotë se që në muajin e ngjizjes janë të gjitha organet e njeriut, të gjitha. Të bësh abort do të thotë të vrasësh një qenie njerëzore. Të pëlqen a s’të pëlqen fjala, është vrasje. Kisha nuk mbyllet në vetvete pse nuk lejon abortin: Kisha nuk e lejon abortin sepse vret, është vrasje. Në moralin politik, përgjithësisht thuhet se është keq të mos votosh, nuk është mirë: duhet të votoni. E duhet të zgjidhni të keqen më të vogël. Kush është e keqja më e vogël, ajo zonjë apo ai zotëri? Nuk e di, të gjithë ta mendojnë këtë në ndërgjegjen e vet.
A ekziston mundësia e ndërmjetësimit të Selisë së Shenjtë për të arritur armëpushimin dhe paqen e dëshiruar në Gaza?
Selia e Shenjtë punon për këtë. Po ju them një gjë: çdo ditë i telefonoj famullisë së Gazës. Aty strehohen 600 vetë: të krishterë dhe myslimanë, por jetojnë si vëllezër. Veçse më thonë gjëra të këqija, gjëra të vështira. Nuk mund ta vlerësoj nëse ky aksion lufte është tejet i përgjakshëm apo jo, por ju lutem, kur shihni trupat e fëmijëve të vrarë, kur shihni se vetëm kur supozohet se ka guerrilas në një shkollë, bombardohet ajo, kjo është e keqe, është shumë e shëmtuar. Nganjëherë thuhet se është luftë mbrojtëse por nganjëherë mendoj se është luftë e tepërt dhe se - kërkoj falje që e them këtë - nuk shoh se po ndërmerren hapa për të arritur paqen. Për shembull, në Verona, pata një përvojë shumë të bukur: një hebre, gruaja e të cilit kishte vdekur gjatë një bombardimi, dhe një nga Gaza, të cilit i kishte vdekur vajza. Të dy folën për paqen, u përqafuan dhe dhanë një dëshmi vëllazërie. Unë dua të them këtë: vëllazërimi është më e rëndësishme se vrasja e vëllezërve. Vëllazërimi, shtrëngimi i duarve. Në fund, kushdo që fiton luftën do të pësojë një disfatë të madhe. Lufta është gjithmonë humbje, gjithmonë.
Simon Leplâtre (Le Monde)
Në Timorin Lindor, folët për viktimat e reja të abuzimit seksual. Natyrisht, na erdhi ndërmend ipeshkvi [Carlos Felipe Ximenes] Belo. Në Francë kemi një rast të ngjashëm, atë të Abbé Pierre. Çfarë mund t'u thoni gjithë atyre njerëzve, që e kanë të vështirë të besojnë se një person, i cili ka bërë kaq shumë të mira, mund të ketë kryer edhe krime? Duke folur për Francën, desha të dija: a do të jeni në Paris për rihapjen e katedrales Notre-Dame?
Unë nuk do të shkoj në Paris. Pastaj, ju përmendët Abbé Pierre, i cili bëri aq shumë të mira dhe më pas, u pa se ky person është një mëkatar i shëmtuar. Ky është mjerimi ynë njerëzor. Nuk duhet të themi “të mbulojmë, të mbulojmë, që të mos duket”. Mëkatet publike janë publike dhe duhen dënuar. Abuzimi është, për mendimin tim, diçka djallëzore, sepse çdo lloj abuzimi e shkatërron dinjitetin e njeriut, çdo lloj abuzimi përpiqet të shkatërrojë gjithçka jemi: shembëllim i Zotit. Unë jam i kënaqur kur dalin në dritë këto raste.
A do të shkoni në Argjentinë? E për Venezuelën: siç e dini, popërjeton një situatë dramatike. Çfarë mesazhi do t'i jepnit popullit të Venezuelës?
Nuk e kam ndjekur situatën në Venezuelë, por mesazhin që u jap qeverive është të bëjnë dialog dhe paqe. Diktaturat janë të kota dhe përfundojnë keq, herët a vonë. E pastaj, a do të shkoj në Argjentinë: kjo është diçka, që nuk është vendosur ende. Unë do të doja të shkoja, është populli im; por ende nuk është vendosur, sepse ka disa gjëra për t’u zgjidhur së pari.
Bonifasius Josie Susilo Hardianto (Kompas.Id)
Disa vende po tërhiqen nga angazhimi i tyre në Marrëveshjen e Parisit, për shkak të vështirësive ekonomike, veçanërisht pas pandemisë. Çfarë mendoni për këtë?
Unë mendoj se problemi i klimës është shumë serioz. Që nga takimi i Parisit (COP21 i vitit 2015, red.), i cili ishte kulmi, takimet e klimës po shkojnë drejt greminës. Ne flasim, flasim, por nuk bëjmë asgjë. Kjo është përshtypja ime.
Matteo Bruni
Ndërkohë, ju falenderojmë, Shenjtëria juaj...
Faleminderit juce. Faleminderit. E përpara, me guxim.