Papa në meshë, në Bruksel, lumnoi Anën e Jezusit: «të krishterë, larg nga skandalet»
R.SH. – Vatikan
Mesha në stadiumin King Baudouin (Mbreti Baldovin) të Brukselit, sot paradite, ishte ngjarja e fundit publike e udhëtimit apostolik 4-ditor të Papës Françesku në Luksemburg dhe Belgjikë. Gjatë meshës, Ati i Shenjtë shpalli të Lume Anën e Jezusit, një murgeshë spanjolle, që ka jetuar në shekullin XVII, duke zbatuar reformën e Shën Terezës së Avilës për Urdhrin Karmelitan në Belgjikë dhe në anë të tjera të Evropës.
Gjatë homelisë, Papa vuri në dukje dëshminë e krishterë të së Lumes përmes varfërisë, lutjes dhe bamirësisë, veçanërisht në një kohë “të karakterizuar nga shkandulle të dhimbshme”.
“Ta pranojmë me mirënjohje shembullin që ajo na ka dhënë për ‘stilin femëror të shenjtërisë’, i butë, por i fuqishëm”, nënvizoi Françesku, i cili përmendi edhe shembujt e shumtë historikë në Kishën e Belgjikës, si shën Damian de Vëster, Shën Gai i Anderlehtit dhe Shën Gudula.
T’ia hapim zemrën ftesës së Shpirtit Shenjt për të gjithë
Ati i Shenjtë komentoi leximet liturgjike të ditës, duke u kërkuar të krishterëve, siç thotë Jezusi në Ungjillin sipas Markut, të mos shkandullojnë të vegjlit, përndryshe, do të ishte më mirë të lidhnin një gur rreth qafës e të mbyteshin në det. E reflektoi mbi tri fjalë: hapje, bashkim e dëshmi. Leximet liturgjike, vuri në dukje ai, flasin për "veprimin e lirë të Shpirtit Shenjt", si në Bibël, ashtu edhe në Ungjill. Jezusi i qorton dishepujt e Tij kur deshën ta ndalnin dikë, që dëbonte demonët në emrin e Tij, thjesht, sepse nuk ishte dishepull.
“Bashkësia e besimtarëve nuk është një rreth i zgjedhur i ndonjë pakice të privilegjuar; është familja e atyre që shëlbohen”, pohoi Françesku. "Jemi dërguar në botë për të predikuar Ungjillin bazuar jo në meritat tona, por nga hiri i Hyjit".
Dëgjimi i thirrjeve të të shtypurve si zëra profetikë
Ati i Shenjtë foli më pas për bashkimin e dishepujve të Krishtit ndër shekuj, duke nënvizuar se të gjithë janë të lidhur në “dashurinë, që bashkon nëpërmjet vetë-dhurimit të ndërsjellë”. Secili prej nesh, theksoi më tej, tundohet nga egoizmi, që e mbyt bamirësinë dhe i "rrënon më të vegjlit".
“Rruga e egoizmit krijon mendje të mbyllura, mure dhe pengesa – që mund t’i quajmë ‘shkandulle’ – të cilat na lidhin me zinxhirë me gjërat materiale dhe na ndajnë nga Zoti dhe nga vëllezërit e motrat tona”.
Vuajtjet e viktimave të abuzimit
Duke folur jashtë tesktit, Papa Françesku përmendi takimin e tij të së premtes, në Bruksel, me njerëz, që kanë pësuar abuzime nga anëtarët e klerit.
"I dëgjova vuajtjet e tyre si viktima të abuzimit", vuri në dukje Ati i Shenjtë, "dhe po e përsëris këtu: në Kishë ka vend për të gjithë, për të gjithë, për të gjithë, por të gjithë do të gjykohemi e nuk ka vend për abuzimin, nuk ka vend për mbulimin e abuzimeve. U kërkoj të gjithëve: mos i mbuloni abuzimet!»
“E keqja duhet të dalë në dritë”, vazhdoi Papa. "Duhet të tregohet, siç kanë bërë disa viktima të abuzimit, me guxim. Duhet të dihet. E abuzuesi duhet të gjykohet. Të gjykohet dhunuesi, qoftë laik, meshtar a ipeshkëv: të gjykohet dhunuesi".
Emigrantët, zëri i Shpirtit Shenjt
Në këtë të dielë të fundit të shtatorit, kur Kisha Katolike, që nga viti 1914, kremton Ditën Botërore të Migrantit e të Refugjatit, sivjet në edicionin e 110-të, Papa vuri në dukje gjendjen e vështirë të refugjatëve dhe të emigrantëve pa dokumente, që ëndërrojnë një të ardhme më të mirë, por shpesh, përfundojnë viktima të shfrytëzimit. Britmat e tyre të mundimshme, ngriti zërin Bergoglio, nuk mund të fshihen dhe duhet të shihen si zëra profetikë.
“Ata janë zëri jetësor i Shpirtit Shenjt, pasi na kujtojnë se të gjithë jemi mëkatarë të mjerë, të thirrur për kthesë në fe», theksoi Papa. “Nuk duhet ta mbysim këtë zë profetik apo ta heshtojmë me indiferencën tonë”.
Të na udhëheqë Ungjilli i mëshirës
Papa nënvizoi sërish nevojën për të mos bërë shkandull e për të marrë çdo vendim në jetë, duke u udhëhequr nga "Ungjilli i mëshirës", edhe në nivelin shoqëror e ekonomik. Kujtoi mesazhin e fuqishëm të Jezu Krishtit:
“Larg prej nesh, sy shkandullues që i sheh nevojtarët dhe kthehesh nga ana tjetër! Larg prej nesh, duar shkandulluese, që mbyllen grusht për të fshehur thesaret dhe për t'u futur në xhep, të pangopura! Larg prej nesh, këmbë shkandulluese, që vrapon me shpejtësi, jo për t'u qëndruar pranë të vuajturve, por për t'i shmangur e për t’u qëndruar larg! Larg nga gjithë këto: larg prej nesh! Asgjë e mirë dhe e qëndrueshme nuk ndërtohet kështu!”