Papa në Singapor, destinacioni i fundit i udhëtimit në Azi e Oqeani
R.SH. – Vatikan
Pas largimit nga Timori Lindor, Papa Françesku mbërriti sot në Singapor, etapa e tij e fundit në udhëtimin e gjatë ndërmjet Azisë dhe Oqeanisë, i cili preku edhe Indonezinë dhe Papua Guinenë e Re. Në ishullin qytet-shtet prej gjashtë milionë banorësh (të shpërndarë në një arkipelag prej 58 ishujsh), në skajin jugor të Gadishullit malez, Ati i Shenjtë përfundon një shtegtim 12-ditor, që deri tani ka pasur një bilanc entuziazmues, me një itinerar ndërmjet Kishave të reja, tejet të gjalla dhe aktive – pavarësisht se periferike dhe 'në kufi' - dhe feve të tjera, me të cilat forcohen marrëdhëniet: në veçanti me Islamin indonezian, fe dominuese, por jashtëzakonisht tolerante, në vendin me më shumë myslimanë në botë.
Është pikërisht larmia shoqërore dhe kulturore e katër vendeve të Azisë Juglindore e Paqësorit, që e bën këtë udhëtim të Papës Bergoglio një nga më të rëndësishmit dhe më premtuesit për të ardhmen. Duke marrë parasysh se është më i gjati i papnisë së tij, duhet thënë se Ati i Shenjtë, me 87 vite mbi supe, u tregua më se në gjendje të përballojë lodhjen në takimet e bisedat, që e gjallëruan e i lanë një përshtypje shumë të mirë.
Dokumenti i nënshkruar në xhaminë Istiqlal
Në Indonezinë multi-etnike, ku mbizotëron botëkuptimi i "unitetit në larmi", Papa u vuri vulën marrëdhënieve të rëndësishme në nivelin e dialogut ndërfetar, duke nënshkruar me imamin e madh të Xhamisë Istiqlal - lidhur me katedralen katolike nga "tuneli i miqësisë" - një "deklaratë të përbashkët", që konsolidon rrugën e nisur në Abu Dabi me Dokumentin mbi Vëllazërimin Njerëzor, edhe ai, i nënshkruar bashkë me Imamin e madh të Al-Azharit. Deklarata e Xhakartës i impenjon fetë të izolojnë ekstremizmin dhe fundamentalizmin, për të mos nxitur luftëra, urrejtje dhe përçarje, përkundrazi, për t’u bërë mjete angazhimi të përbashkët kundër "kulturës së dhunës".
Mbështetja e punës së misionarëve në Papua Guinenë e Re
Në Papua Guinenë e Re, vend me shumicë të krishterë, ku katolikët janë 30% e tyre, përveç thirrjes globale për "paqe në të gjitha kombet e, edhe për Krijimin", pra, për ruajtjen e planetit nga pasojat e krizës klimatike dhe nga shfrytëzimi pa kriter i pasurive natyrore, Papa bëri një vizitë prekëse në realitetin autokton fisnor në Vanimo, mes xhunglës veriore. Synimi i tij ishte mbështetja e punës së misionarëve, disa prej të cilëve i ka miq, përfaqësues të një Kishe tejet të varfër, por që flijohet për të tjerët.
Timori Lindor me përqindjen më të lartë në botë të të krishterëve
Në shtetin e vogël të Timorit Lindor, ish-koloni portugeze, i pavarur që nga viti 2002, pas luftës së gjatë çlirimtare nga Indonezia, Ati i Shenjtë u rrethua nga një popullsi e krishterë, prej së cilës shumica dërrmuese është katolike. Vërtet, ky vend ka përqindjen më të lartë në botë të të krishterëve, 98% e popullsisë, prej të cilëve 85% katolikë. 600 mijë njerëz morën pjesë në meshën në fushën e Taci Tolu, pothuajse gjysma e banorëve të gjithë vendit. Procesi i paqes dhe pajtimit, "pastrimi i kujtesës" me Indonezinë, u përmend nga Papa si shembull, që duhet ndjekur nga të gjitha vendet në konflikt në botë.
Singapori, qendra e katërt kryesore financiare e botës
Në Singapor, Papa mbërriti në qendrën e katërt kryesore financiare të botës, një nga qytetet më të mëdha kozmopolite, me një rol vendimtar në tregtinë ndërkombëtare dhe financat. Metropol ku teknologjia projekton drejt së ardhmes, ku ndërtimet futuriste dhe përqendrimi më i lartë i milionerëve shoqërohen nga një histori e gjatë emigracioni dhe nga një popullsi tejet e ndryshme. Bashkë me më të pasurit ka njerëz, që jetojnë nën pragun e varfërisë: kryesisht kinezë (74%), malezë, indianë dhe pasardhës të tjerë të aziatikëve dhe evropianëve. 42% e popullsisë është e huaj e ndodhet në këtë qytet-shtet për punë, ose studim. Punëtorët e huaj përbëjnë 50% të sektorit të shërbimeve.
Programi i Papës në Singapor
Nesër në mëngjes, Papa do të shkojë për një vizitë kortezie tek presidenti i Republikës Tharman Shanmugaratnam, do të takohet me kryeministrin Lawrence Wong dhe më pas, me autoritetet dhe shoqërinë civile të vendit. Në meshën e pasdites, në stadiumin kombëtar, priten rreth 55 mijë besimtarë. Do të shihet nëse edhe këtu, siç ndodhi në Mongoli një vit më parë, do të ketë shtegtarë nga Kina kontinentale. E sigurt, prania e grupeve dhe e prelatëve nga Hong Kongu.
Të premten, para nisjes për në Romë, takimi privat me ipeshkvijtë dhe klerin në qendrën e ushtrimeve shpirtërore kushtuar shën Françesk Ksaverit, ku Papa po qëndron këto ditë. Pastaj, vizita tek të moshuarit dhe të sëmurët, për të cilët kujdesen murgeshat e qendrës Shën Tereza, si edhe takimi ndërfetar me të rinjtë.