papa kremton meshën në stadiumin Gelora Bung Karno të Xhakartës papa kremton meshën në stadiumin Gelora Bung Karno të Xhakartës

Papa në stadiumin e Xhakartës për Meshën në ditën e shenjtes Nënë Tereza

Papa kremtoi Meshën në kryeqytetin indonezian, etapa e fundit e qëndrimit të tij në vend, para se të niset nesër për në Papua Guinenë e Re. Guxoni ta ëndërroni vëllazërimin, u tha Françesku besimtarëve, duke u dhënë shembullin e shenjtes shqiptare të bamirësisë, Nënë Terezës, festën liturgjike të së cilës Kisha katolike e kremton sot, 5 shtator

R.SH. – Vatikan

Nënë Tereza, shenjtja shqiptare e bamirësisë, festa liturgjike e së cilës kremtohet sot, qe protagoniste në Meshën e kremtuar nga Papa Françesku në stadiumin Gelora Bung Karno në Xhakartë. Ati i Shenjtë e përmendi në homeli, por edhe gjatë lutjes së besimtarëve u falënderua Zoti për gjithçka kjo shenjte bëri në botë. Vetë Papa tha për të, duke i kërkuar popullit indonezian t’ia ndjekë shembullin në shërbimin për më të varfrit:

“Shën Tereza e Kalkutës, kujtimin e së cilës e kremtojmë sot, ajo që pa u lodhur u kujdes për më të varfrit e promovoi paqen dhe dialogun, pati pohuar: ‘Kur nuk kemi çfarë të japim, le t'u japim atë asgjë. E mos harroni: edhe nëse nuk korrni asgjë, mos u lodhni kurrë duke mbjellë’”.

“Dëgjojeni Fjalën e Zotit dhe jetojeni atë”

Ati i Shenjtë mbërriti sot në stadiumin e Xhakartës në orën 17.00 lokale, kur në trevat shqiptare ishte mesditë, për takimin e fundit në Indonezi. Nesër, ai do të niset për në Port Moresby, kryeqyteti i Papua Guinesë së re, etapa e dytë e udhëtimit të tij apostolik në Azi dhe Oqeani. Stadiumi, i përuruar në vitin 1962 e i restauruar më 2018, me rastin e Lojrave XVIII Aziatike, mban 78 mijë vetë dhe është i pajisur me teknologjitë më të fundit.

“Dëgjojeni Fjalën e Zotit dhe jetojeni atë”: kështu u tha Papa besimtarëve të pranishëm, pasi pikërisht këto “dy qëndrime themelore na mundësojnë të bëhemi dishepuj të Jezusit”. Duke reflektuar mbi pjesën e sotme ungjillore ku shën Luka flet për thirrjen e Pjetrit nga Jezu Krishti, në festën e Nënë Terezës, tejet e nderuar nga katolikët e Azisë, Ati i Shenjtë u kërkoi indonezianëve të kenë guximin për të ëndërruar vëllazërimin e shpjegoi bazat për ta bërë këtë.

“Zemra e njeriut është gjithmonë në kërkim të një të vërtete, që mund ta ushqejë dëshirën e saj për lumturi" – vërejti Papa - një e vërtetë që nuk mund të gjendet thjesht në fjalët njerëzore, por vetëm në Fjalën e Hyjit, “e vetmja busull e saktë për rrugëtimin tonë, e vetmja në gjendje të na kthejë te kuptimi i njëmendtë i jetës, mes kaq shumë plagësh e konfuzioni”.

Lejojeni Fjalën e Zotit t’ju sfidojë

Papa Françesku u kujtoi besimtarëve se detyra e parë si dishepuj të Krishtit është të dëgjojnë Fjalën e Hyjit, siç bëri Pjetri kur Jezusi filloi të predikonte nga barka e tij e peshkimit.

“Jeta jonë e fesë fillon”, theksoi Ati i Shenjtë, “kur e mirëpresim Jezusin me përvujtëri në barkën e jetës sonë, i bëjmë vend Atij, e dëgjojmë Fjalën e Tij dhe e lejojmë atë të ngrejë pyetje, të na sfidojë, të na ndryshojë”.

Ta jetojmë Fjalën e Zotit

Njëkohësisht, vazhdoi Papa në homeli, duhet jo vetëm ta dëgjojmë Fjalën e Jezusit, por edhe ta jetojmë atë. Pjetri i besoi Zotit kur Ai e thirri që “të dilte në det të hapur e të hidhte rrjetat për peshkim”. Edhe ne, vërejti Françesku, jemi të thirrur të besojmë te Jezusi, duke “hedhur me guxim rrjetat e Ungjillit në detin e botës”.

Shpesh, pranoi Ati i Shenjtë, gjejmë justifikime për ta refuzuar thirrjen, por duhet të përqafojmë me guxim përvujtërinë dhe fenë e Pjetrit, i cili iu bind thirrjes së Zotit, edhe pas një nate dështimi dhe zhgënjimi. E pikërisht këtu kujtoi fjalët e Nënë Terezës, që i fton njerëzit të mos lodhen së provuari, edhe kur nuk duket drita në horizont.

Të ëndërrojmë dhe të ndërtojmë një qytetërim paqeje

Duke marrë shkas nga kjo këshillë e shenjtes shqiptare të bamirësisë, Papa Bergoglio i kërkoi kombit indonezian të ketë guximin për vëllazërim, të ecë i bashkuar për të mirën e Kishës dhe të shoqërisë, siç kanë nënvizuar ipeshkvijtë e vendit:

“Mos u lodhni të dilni në det të hapur dhe të hidhni rrjetat, mos u lodhni duke ëndërruar dhe duke ndërtuar qytetërimin e paqes! Gjithmonë guxoni ta ëndërroni vëllazërimin! Me Fjalën e Zotit, ju inkurajoj të mbillni dashuri, ta ndiqni me besim rrugën e dialogut, ta vini në jetë sërish mirësinë dhe mirësjelljen tuaj, me buzëqeshjen tipike që ju dallon, të jeni ndërtues të unitetit dhe të paqes… Qofshi ndërtues të shpresës, të asaj shprese ungjillore që nuk zhgënjen (shih Rm 5,5) e që ia hap zemrën gëzimit pa fund”.

Ky, urimi i fundit i Papës Françesku për kombin indonezian, para përshëndetjeve për autoritetet e Kishës e të shtetit, për vullnetarët e për të gjithë ata, që bënë të mundur qëndrimin e Atit të Shenjtë në Indonezi, nga e cila largohet me nxitjen për besimtarët vendas: “Bëni zhurmë!”

05 shtator 2024, 13:19