Papa: lufta i sëmur kombet, demokracia është ilaç kundër nacionalizmit
R.SH. – Vatikan
Filloi sot udhëtimi apostolik i Papës Françesku në Luksemburg e në Belgjikë, që do të vijojë deri më 29 shtator. Ati i Shenjtë arriti në orën 10.00, në aeroportin Findel të Luksemburgut e, pas ceremonisë së mirëseardhjes, i bëri një vizitë kortezie Grandukës, Lartmadhërisë së Tij Henrikut të Luksemburgut dhe u takua me kryeministrin Luc Frieden. Menjëherë pas, Ati i Shenjtë shkoi në “Cercle Cité”, vendtakim për elitën politike e kulturore të qytetit, seli e mbledhjeve të Komunitetit të dikurshëm Evropian të Karbonit e të Çelikut , nga viti 1953 deri në vitin 1969. Në këtë ndërtesë me arkitekturë madhështore, në stilin Art Nouveau e Art Déco, Papa takoi autoritetet, shoqërinë civile dhe Trupin Diplomatik të akredituar në Luksemburg.
Nuk është madhësia, që e bën madhështor një vend
Françesku kujtoi pozitën e veçantë gjeografike të këtij shteti të pasur e të fuqishëm, por të vogël, me një sipërfaqe prej 2586 kilometrash katrore e me një popullsi prej rreth 635 mijë banorësh, shpesh i detyruar të jetë në kufi me konflikte e të pushtohet nga të tjerët. Por nuk është madhësia, që e bën madhështor një vend e Luksemburgu është dalluar në ndërtimin e një Evrope të Bashkuar, që në fillesat e saj. Madje, të qenit në kufi, i rrethuar nga Franca, Belgjika dhe Gjermania, e ka bërë një nga vendet “më të përshtatshme për të përcaktuar, jo vetëm simbolikisht, kërkesat e një epoke të re paqeje dhe rrugët për t’u përshkuar”, siç nënvizoi Papa, i cili përmendi se Grandukati është një nga themeluesit e Bashkimit Evropian dhe seli e institucioneve të ndryshme evropiane. Vetë vendi, vuri në dukje Ati i Shenjtë, ka një strukturë demokratike të qëndrueshme, që mbron dinjitetin e njeriut dhe liritë e tij themelore. Vërtet, roli i Luksemburgut nuk varet nga numri i banorëve, apo nga sipërfaqja e tij, por nga:
“…krijimi plot durim i institucioneve dhe i ligjeve të urta, të cilat, duke disiplinuar jetën e qytetarëve sipas kritereve të drejtësisë dhe të respektimit të shtetit të së drejtës, vendosin në qendër personin dhe të mirën e përbashkët, duke parandaluar dhe duke luftuar rreziqet e diskriminimit dhe të përjashtimit”.
Pasuria është përgjegjësi
Ati i Shenjtë përmendi vizitën e Papës Gjon Pali II në vitin 1985, kur pati vënë në dukje vullnetin e luksemburgezëve për solidaritet e, kërkoi, ashtu si Papa shenjt, që ky solidaritet të shtrihet në marrëdhëniet ndërmjet popujve, për një zhvillim të gjithanshëm. Kisha, shpjegoi Françesku, e sheh këtë zhvillim në kujdesin për gjithësinë dhe në vëllazërimin ndërmjet njerëzve. Për këtë arsye, luksemburgezëve, të ardhurat e të cilëve arrijnë në mbi 125 mijë dollarë në vit për kokë, duke e bërë vendin e tyre të parin në botë për këtë tregues, u theksoi:
“Pasuria – të mos harrojmë – është përgjegjësi. Prandaj, kërkoj që gjithmonë t'u kushtohet vëmendje e të mos lihen pas dore kombet më të pafavorizuara, përkundrazi, të ndihmohen që të rimëkëmben nga gjendja e tyre në varfëri”.
Integrimi i emigrantëve dhe refugjatëve
Kështu, mund të zvogëlohet numri i njerëzve, që detyrohen të emigrojnë për të kërkuar një jetë më të mirë, vijoi Papa.
“Luksemburgu, me historinë e tij të veçantë, me pozitën e tij po aq të veçantë gjeografike, me disi më pak se gjysmën e banorëve nga pjesë të tjera të Evropës dhe botës, të jetë ndihmë dhe shembull për të treguar rrugën, që duhet ndjekur, në mikpritjen dhe integrimin e emigrantëve dhe refugjatëve”.
Të mos harrohet e kaluara
Ndërsa, para konflikteve e luftërave, që po përpiqen ta përçajnë e ta çojnë mbrapa Evropën, Papa bëri thirrje të mos harrohet e kaluara, për të mos rënë në shkatërrimin dhe masakrat e tmerrshme të dikurshme. “Duhet – nënvizoi Françesku – ta ngremë shikimin lart, është e nevojshme që jeta e përditshme e popujve dhe e qeveritarëve të frymëzohet nga vlera të larta e të thella shpirtërore, të cilat ta pengojnë çmendjen e arsyes dhe kthimin e papërgjegjshëm në të njëjtat gabime të kohëve të shkuara, rënduar më tej nga fuqia më e madhe teknike, që përdorin sot qeniet njerëzore”.
Rinovimi personal e shoqëror gjendet në Ungjillin e Jezu Krishtit
Për Kishën, ky rinovim personal e shoqëror gjendet në Ungjillin e Jezu Krishtit, i vetmi, i aftë ta shndërrojë në thellësi shpirtin e njeriut.
“Të gjithë, çdo burrë dhe çdo grua, në liri të plotë, ta njohin Ungjillin e Jezusit, i cili ka pajtuar Hyjin dhe njeriun në Vetjen e tij dhe që, duke ditur ç’ka në zemrën e njeriut, mund t'ia shërojë plagët”.
Përgjegjësia e autoriteteve dhe e qeveritarëve
E së fundi, përgjegjësia e autoriteteve dhe e qeveritarëve. Papa kujtoi moton e udhëtimit të tij në Luksemburg: “Për të shërbyer”. Shërbimi, u kërkoi të pranishmëve – të gjithë në pozita me rëndësi në shoqëri – të jetë titulli juaj më i lartë fisnik, detyra kryesore, stili i përditshëm i jetës.
“Në fakt, ka një nevojë urgjente që njerëzit me autoritet të angazhohen me këmbëngulje dhe durim në negociata të ndershme me synim zgjidhjen e konflikteve, me mendje të gatshme për të identifikuar kompromise të ndershme, të cilat nuk paragjykojnë asgjë, përkundrazi, arrijnë për të gjithë sigurinë e paqen… Zoti i mirë ju dhashtë ta bëni këtë gjithmonë me zemër të lumtur dhe bujare”.
Para se të bekonte gjithë Luksemburgun, Papa ia besoi atë dhe botën shën Marisë, Nënës së Zotit.