Papa ipeshkvijve e klerit të Belgjikës: gëzimi dhe mëshira në qendër të shërbimit tuaj
R.SH. – Vatikan
Një Kishë "që nuk i mbyll kurrë dyert", e cila ndaj të gjithëve ofron "një hapje drejt së pafundësisë", e cila di të "shikojë përtej". Një Kishë "shërbëtore e të gjithëve, pa nënshtruar askënd", e aftë për të mësuar, me mëshirë, për të mos mbetur "me zemër prej guri" përballë vuajtjeve të viktimave të abuzimit. Edhe një herë, ripohoi, duhet një Kishë e aftë për të ndihmuar ata që bëjnë gabime të ngrihen përsëri, sepse gabimet ekzistojnë por "askush nuk humbet përgjithmonë".
Kjo është Kisha që Papa Françesku tregoi si model kur foli sot paradite, më 28 shtator, me ipeshkvijtë, meshtarët, dhjakët, rregulltarë e rregulltaret dhe punëtorët baritorë të Kishës katolike të Belgjikës, të mbledhur në Bazilikën e Zemrës së Shenjtë të Koekelberg, në Bruksel.
Kështu, skenari i mrekullueshëm i Bazilikës së Zemrës së Krishtit në lagjen periferike të Brukselit, Koekelberg, hapi ditën e tretë të udhëtimit apostolik të Papës Françesku në Luksemburg e Belgjikë. Ati i Shenjtë ndodhet që parmbrëmë në Bruksel, ku sot paradite u takua me ipeshkvijtë, meshtarët, seminaristët, rregulltarët e me punonjësit baritorë pikërisht në këtë kishë, që është një nga më të mëdhatë e botës, ndërtuar në stilin Art Dèco dhe dekoruar me vetrata madhështore.
Ati i Shenjtë dëgjoi dëshmitë e një meshtari, të një punonjëse të baritorisë kishtare, të një teologu, të një përfaqësueseje të qendrave për viktimat e abuzimit, të një murgeshe dhe të një kapelani burgu e, kur e mori fjalën, pas tyre, vuri menjëherë në dukje se Kisha e Belgjikës është Kishë “në lëvizje”. Propozoi një reflektim mbi tri fjalë: ungjillëzim, gëzim e mëshirë.
Kriza aktuale kërkon një kthesë kishtare
Papa vuri në dukje krizën aktuale, që po kalon bota, edhe krizën e fesë, që gjithsesi, duhet parë si rast për të ndryshuar e për të filluar një rrugë të re. Tashmë, pranoi ai, jemi një krishtërim pakice, ose më mirë, dëshmie. E kjo kërkon një kthesë të vazhdueshme kishtare, duke ndryshuar zakonet, modelet e gjuhën e fesë, për t’u vënë vërtet në shërbim të ungjillëzimit. Duke iu përgjigjur Helmutit, Janinkës e Arnaudit, që dhanë dëshmi më parë, Ati i Shenjtë theksoi se meshtarët “nuk duhet të kufizohen në ruajtjen, ose administrimin e trashëgimisë së të kaluarës, por të jenë barinj të dashuruar me Jezu Krishtin dhe të vëmendshëm, për t’i kuptuar pyetjet e Ungjillit, ndërsa ecin me Popullin e shenjtë të Zotit, pak përpara , pak në mes dhe pak në fund”. E në këtë udhë, “mund të ketë shumë shtigje personale, ose komunitare, të cilat, gjithsesi, çojnë në të njëjtin horizont, në takimin me Zotin: në Kishë ka vend për të gjithë dhe askush nuk duhet të jetë fotokopje e tjetrit”. E, më pas, “procesi sinodal duhet të jetë kthim tek Ungjilli; nuk duhet të ketë ndër përparësitë e veta ndonjë reformë "në modë", por të pyesë: si mund ta bëjmë Ungjillin të arrijë në një shoqëri, që nuk e dëgjon më, ose është larguar nga feja?”
Gëzimi i zemrës, zgjuar nga Ungjilli
Papa meditoi mbi gëzimin, jo gëzim i çfarëdoshëm, nënvizoi, por ai që vjen nga Ungjilli. Kjo do të thotë të jemi të vetëdijshëm “se gjatë rrugës nuk jemi vetëm dhe se, edhe në situata varfërie, mëkati, mundimi, Zoti është afër, kujdeset për ne dhe nuk do të lejojë që vdekja të thotë fjalën e fundit”. Duke falënderuar motër Anjezën për dëshminë e saj, Ati i Shenjtë i këshilloi meshtarët e rregulltarët: “predikimi juaj, kremtimi juaj, shërbimi juaj dhe apostullimi ta bëjë të duket gëzimin e zemrës, sepse kjo zgjon pyetje dhe tërheq edhe më të largëtit”.
Drejtësia e Zotit është mëshira
Së fundi, Françesku reflektoi për mëshirën, duke kujtuar se Zoti i do gjithmonë bijtë e vet dhe nuk e merr kurrë mbrapsht këtë dashuri, edhe kur ndokush bën ndonjë gabim a mëkat të rëndë. E, nuk shkon sipas mendësisë së kësaj bote, që mendon se “kush gabon, duhet të paguajë”. “Drejtësia e Zotit është superiore: kush gabon duhet t’i ndreqë gabimet, por për ta shëruar zemrën ka nevojë për dashurinë e mëshirshme të Hyjit. Pikërisht me mëshirën e tij, Zoti na justifikon, pra, na bën të drejtë, sepse na jep një zemër e re, një jetë e re”. Duke iu përgjijgur Mia-s, që dëshmoi për punën me viktimat e abuzimeve, Ati i Shenjtë theksoi edhe një herë, siç pati bërë dje në takimin me autoritetet, se “abuzimet shkaktojnë vuajtje dhe plagë mizore, duke minuar edhe udhën e fesë. Ka nevojë për shumë mëshirë, për të mos mbetur me zemër guri para vuajtjeve të viktimave”. E Piterit, që punon me të burgosurit, i nënvizoi se askush nuk është i humbur përgjithmonë. “Është e drejtë, pra, të ndjekim të gjitha rrugët e drejtësisë tokësore dhe rrugët njerëzore, psikologjike dhe penale; por ndëshkimi duhet të jetë ilaç, duhet të çojë në shërim. Duhet t'i ndihmojmë njerëzit të ngrihen përsëri në këmbë dhe të gjejnë rrugën e tyre në jetë dhe në shoqëri”.
Piktura e Magritte e hapja drejt amshimit
Në fund, Papa i la ipeshkvijtë e klerin belg me një imazh, marrë nga një vepër e Magritte, piktor i shquar i atyre trojeve. Me titull “Vepër feje”, ose “Akt feje”, piktura pasqyron një derë të mbyllur nga brenda, por me një çarje në qendër, që hapet drejt qiellit. Piktori e fton shikuesin të shkojë përtej, të shohë përpara e lart, të mos mbyllet kurrë në vetvete. “Ky është imazhi që ju lë, si simbol i një Kishe, që nuk i mbyll kurrë dyert, që u ofron të gjithëve një hapje drejt amshimit, që di të shikojë përtej. Kjo është Kisha që ungjillëzon, jeton gëzimin e Ungjillit, praktikon mëshirën”.