Papa: në një botë gjithnjë e më të ndarë, kultivoni respektin e dashurinë vëllazërore
R.SH. – Vatikan
Feja, vëllazërimi, dhembshuria: tre fjalët kyçe të motos së vizitës apostolike të Papës Françesku në Indonezinë e përbërë nga 1300 etni dhe popuj, ishin në qendër të fjalës, që mbajti Ati i Shenjtë në katedralen e Zojës së Madhe, në Xhakartë. Kisha ndodhet përballë xhamisë Istiqlal, ku nesër do të zhvillohet takimi ndërfetar, me nënshkrimin e Deklaratës së Përbashkët nga Papa dhe nga imami Nasaruddin Umarin. Një arkitekt jezuit, Antonius Dijkmans, projektoi, në fund të shekullit të 19-të, atë që është vendi kryesor i kultit për katolikët indonezianë, sot më se 8 milionë besimtarë, pak më shumë se 3 për qind e popullsisë. Në katin e dytë të kishës, një muze tregon historinë e saj.
Në ditën e parë të veprimtarive në Indonezi, pasdite me orën lokale, Papa iu kthye temave të dialogut, të miqësisë shoqërore dhe të mënyrës se si mishërohet Ungjilli në një kontekst jashtëzakonisht të larmishëm. E bëri këtë pasi theksoi nevojën për të luftuar "ekstremizmin dhe intolerancën", për të parandaluar manipulimin e fesë për të nxitur urrejtje dhe ndarje. Para ipeshkvijve, meshtarëve, diakonëve, rregulltarëve, seminaristëve dhe katekistëve, përfaqësues të 37 dioqezave, që kremtojnë një shekull nga themelimi i Konferencës Ipeshkvnore (shugurimi i ipeshkvit të parë autokton daton në vitin 1940) , Françesku dëgjoi shpjegimet për sfidat e përditshme të kësaj Kishe, pakicë në Azinë Juglindore.
“Do të kërkojmë gjithnjë e më shumë atë takim me Zotin, që shpreh gëzimin e Ungjillit – ky, impenjimi i kreut të ipeshkvijve, imzot Antonius Subiantu Bunjamin, në përshëndetjen drejtuar Papës – që krijon kulturën e takimit, në të cilën i shohim të tjerët si vëllezër o motra dhe që rivendos integritetin e krijimit, duke dëgjuar britmën e të varfërve dhe të tokës, shtëpisë sonë të përbashkët".
Respekt dhe maturi në kujdesin për shtëpinë e përbashkët
Në fjalën e tij, Papa përmendi prirjen e natyrshme drejt unitetit dhe bashkëjetesës paqësore, që e dallon kulturën indoneziane, e cila nuk është monolite, por poliedrike. Parimet tradicionale të filozofisë shtetërore “Pancasila” janë njëkohësisht pasqyra, themeli dhe garancia e saj. Françesku lavdëroi pasurinë e pamasë natyrore të vendit dhe ftoi të ruhet ajo me zemër plot mirënjohje, duke u larguar nga tundimet e mendjemadhësisë. “Kur e shikojmë gjithë këtë me sytë e përvuajtur të fëmijëve, kjo na ndihmon të besojmë, ta kuptojmë se jemi të vegjël, por të dashur nga Zoti”, kujtoi Papa.
Ungjilli nuk imponohet e nuk bie ndesh me kulturën vendase
Papa citoi një varg nga nobelistja Wisława Szymborska, poete polake: të jesh vëllezër do të thotë ta duash njëri-tjetrin, duke u parë aq "të ndryshëm sa dy pika uji". Që këtej, ftesa për Kishën indoneziane që ta vlerësojë gjithmonë kontributin e të gjithëve, bujarisht dhe në çdo kontekst.
“Të kumtosh Ungjillin nuk do të thotë ta imponosh ose t’ia kundërvësh fenë tënde asaj të të tjerëve, por të dhurosh e të ndash me ta gëzimin e takimit me Krishtin (shih 1 Pjt 3,15-17), gjithmonë me shumë respekt dhe dashuri vëllazërore për të gjithë”.
Katekisti, urë që bashkon
Papa Bergoglio kërkoi që njerëzit të kenë mundësinë e konsultimit jo vetëm të teksteve biblike, por edhe të mësimeve të doktrinës katolike, përmes përkthimit në gjuhën zyrtare të Indonezisë, Bahasa Indonesia. Në dëshminë e tij para Atit të Shenjtë, një nga katekistët përmendi urën, gjë që i bëri përshtypje Françeskut, i cili i këshilloi katekistët të jenë ndërtues urash, themelore për ruajtjen e lidhjeve ndërmjet mijëra ishujve të arkipelagut. Ç’është vëllazërimi nëse jo një rrjet i thurur si duhet?
“Një ndërthurje e pamasë fijesh dashurie, që përshkojnë detin, kapërcejnë barrierat dhe përqafojnë çdo ndryshim, duke i bërë të gjithë "një zemër dhe një shpirt të vetëm" (shih Vap 4,32).
Llogaritë për interes janë shkatërrimtare, bamirësia ndërton
Së fundi, Papa sqaroi kuptimin e dhembshurisë, që lidhet ngushtë me vëllazërimin. Nuk është dobësi, por virtyt, nuk është lëmoshë, nuk është diçka që e mjegullon realitetin me një pietizëm të pafrytshëm, siç e kujton vetë Ati i Shenjtë në enciklikën “Fratelli tutti”, ku nënvizon se dhembshuria është përpjekje për të realizuar ëndrrat dhe dëshirën për shëlbim e drejtësi, duke i përfshirë të gjithë në rrjetin e bamirësisë e të dashurisë së krishterë.
“Ajo që e çon botën përpara – vërejti Françesku - nuk janë llogaritë sipas interesit, të cilat në përgjithësi përfundojnë me shkatërrimin e Krijimit e me përçarjen e bashkësive, por dashuria që dhurohet".
Të fortë në fe, të hapur për vëllazërimin, të afërt në dhembshuri
Duke vazhduar me gjuhën e tij tipike me imazhe, Papa nxorri në pah cila është baza e Kishës. Shkëmbi është Krishti, që “duket se mban peshën e gjithë ndërtesës”, Maria e mbështet në mënyrë simbolike veprën me “po-në” e saj. Maria, imazh i vëllazërimit, i mikpritjes, ikonë e dhembshurisë. Pasardhësi i Pjetrit përfundoi duke përmendur fjalët e Psalmit 96, që Shën Gjon Pali II i pati shqiptuar pikërisht në Indonezi, në vitin 1989: “le të gëzohen të gjithë ishujt”.
“Edhe unë po jua përtërij këtë këshillë dhe ju inkurajoj të vazhdoni misionin tuaj të fortë në fe, të hapur për të gjithë në vëllazërim dhe pranë secilit në dhembshuri. Ju bekoj dhe ju falënderoj për shumë të mirat që bëni çdo ditë! Unë lutem për ju dhe ju lutuni për mua. Faleminderit”.