Papa: komuniteti Alma, fëmijët janë thesari ynë më i madh
R.SH. / Vatikan
Sot paradite, pasi u largua nga Nunciatura Apostolike e Dilit, Papa Françesku shkoi me makinë në shkollën Irmãs Alma, vendi ku vuajtja prek zemrën dhe përjeton dashurinë, për të vizituar fëmijët me aftësi të kufizuara, në takimin e parë të ditës së tij të dytë në Timorin Lindor.
Me të mbërritur, mes festimeve të mëdha nga turma e pranishme jashtë, Papa u prit në hyrje të shkollës nga një grupi i motrave të Kongregatës Alma dhe disa fëmijë me veshje tradicionale që këndonin këngë, në shenjë të mirëseardhjes. Më pas Papa u shoqërua në sallën Shën Vinçenci de' Paoli ku takoi rreth 50 fëmijë dhe 28 motra rregulltare. Një fëmijë i dhuroi taisin, shallin tradicional të Timorit Lindor. Ati i Shenjtë Françesku përshëndeti një nga një nënat dhe baballarët e dëshpëruar me fëmijët me hidrocefali ose vonesa njohëse në krahë.
“Pa dashuri, kjo nuk mund të kuptohet”, tha Papa, “Ne nuk mund ta kuptojmë dashurinë e Jezusit nëse nuk fillojmë të praktikojmë dashurinë. Të bashkëndash jetën me njerëzit më në nevojë është një program, programi juaj, është programi i çdo të krishteri”. Më pas Papa falënderoi motrat rregulltare dhe bashkëpunëtorët e tyre për atë që bëjnë dhe gjithashtu falënderoi vogëlushet, vogëlushët dhe vajzat "për dëshminë se si e lënë veten në kujdesin e Zotit". “Janë ata që na mësojnë se si duhet ta lëmë veten të kujdesemi nga Zoti dhe jo nga shumë ide apo projekte apo teka. Ta lëmë veten tonë nën kujdesin e Zotit. Në këtë aspekt ata janë mësuesit tanë. Faleminderit për këtë".
Më pas eprorja e Kongregatës rregulltare Alma, motër Getrudis Bidi, i paraqiti Papës Françesku veprën dhe realitetit bamirës me fëmijët me aftësi të kufizuara. Mënyra e jetesës së Shoqatës Alma “është të qëndrojë pranë të varfërve, të paaftëve dhe të braktisurve, në të njëjtën shtëpi, në të njëjtën dhomë, duke bashkëndarë të njëjtën tryezë, duke u lutur së bashku, me një zemër dhe një shpirt, pa asnjë favorizim, dhe duke u bërë nëna dhe baballarë të fëmijëve që Zoti na i ka besuar”, “janë thesaret tona më të çmuara”. Kështu motra Getrudis Bidi, eprore e Komunitetit Alma në fjalën e saj të mirëseardhjes drejtuar Papës Françesku.
“Fëmijët të cilëve u shërbejmë në Timorin Lindor përballen me kufizime të ndryshme dhe janë: shurdh e memec, me aftësi të kufizuara mendore, me sindromën Down, me anomali fizike, të verbër, autikë, të lënë pas dore, të kequshqyer, të pafuqishëm dhe të pafavorizuar,” theksoi motra Getrudis Bidi..
Në vazhdim u interpretuan një këngë e një valle përgatitur nga fëmijët e kësaj shkolle dhe në vijim Papa nënshkroi një pllakë përkujtimore me rastin e 60-vjetorit të themelimit të Kongregatës Alma. Pas këtij takimi të veçantë me fëmijët me aftësi të kufizuara, Papa lëvizi me makinë për në Katedralen e Zojës së Papërlyer të Dilit, ku u takua me ipeshkvijtë dhe klerin e Timorit Lindor.
Shkolla Irmãs Alma drejtohet nga Kongregata e Motrave Alma dhe kujdeset për fëmijët më të pafavorizuar, me aftësi të kufizuara fizike dhe mendore. Instituti u ofron të rinjve seanca terapie shumë herë në javë, ushqim më të mirë dhe medikamente për përmirësimin e kushteve të tyre dhe u mundëson të marrin pjesë në aktivitetet e komunitetit lokal. Shkolla Irmãs Alma shoqëron edhe familjet, që të jenë më të përgatitura për të pranuar gjendjen e një fëmije me aftësi të kufizuara.
Motrat Alma – janë akronimi i "Asosiasi Lembaga Misionari Awam", Shoqatës së Misionarëve Laikë – drejtojnë gjithashtu edhe një jetimore dhe janë të pranishme me misionin e tyre në Timorin Lindor që nga viti 2004. Alma, Shoqata e Institucioneve Misionare Laike u themelua më 8 shtator 1960 në Madiun (Indonezi), nga At Paulus Hendrikus Janssen. Dy ditë më parë u festua 60 vjetori i themelimit. Alma filloi punën e saj misionare në Timorin Lindor më 14 tetor 2004. Është një institut laik, i cili vepron në fushat e arsimit, predikimit në vende dhe mjedise të largëta e të thella të vendit, në fushën e kujdesit për fëmijë me aftësi të kufizuara, në fushën e kujdesit baritor të familjeve dhe në promovimin e apostullatit laikë.