Papa: nga Kryqi Krishtit mësojmë dashurinë që mposht urrejtjen
R.SH. / Vatikan
“Nga Kryqi i Krishtit mësojmë dashurinë që mposht urrejtjen, mësojmë dhembshurinë që mposht indiferencën, mësojmë faljen që mposht hakmarrjen. Krahët e shtrirë të Jezusit janë përqafimi i butësisë me të cilën Zoti dëshiron të na mirëpresë”. Kështu pohon Papa Françesku, sot në festën e Lartësimit të Kryqit, më 14 shtator 2024, në platformën X.
T’ia ngulim sytë të Kryqëzuarit
Papa Françesku, në audiencën të përgjithshme të 28 shtatorit 2016, në Sheshin e Shën Pjetrit, ftoi t’ia ngulim sytë të Kryqëzuarit, atij Krishti, që s’bëri asgjë për të shpëtuar vetveten, por u flijua për ne:“E të gjithë e dimë se nuk është e lehtë ‘të rrish në kryq’, në kryqet tona të vogla të përditshme: nuk është e lehtë. Ai, në këtë kryq të madh, në këtë vuajtje të madhe, ndenji aty e prej andej na shpëtoi; aty na dëshmoi gjithpushtetin e Tij e aty na fali”.
Shpëtimi hyjnor mund të arrijë këdo
Duke vdekur në kryq, i pafajshëm ndërmjet dy “hajdutëve”, ndërmjet dy “kriminelëve”, nënvizoi më tej Papa, duke komentuar Ungjillin sipas Lukës, Jezusi na provon se shpëtimi hyjnor mund të arrijë këdo, në çfarëdo lloj kushti, edhe në gjendjen më negative e më të dhimbshme.
Kryqi i Krishtit është përgjigja e Zotit ndaj së keqes
Gjatë audiencës së përgjithshme të 14 shtatorit 2016, Papa Françesku nënvizoi disa herë se "sot Kisha kremton Festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë, duke uruar “që të gjithë të mund të gjejnë jetën e re” duke u nisur pikërisht nga Kryqi i Jezusit:“Ta vështrojmë atë, mbi të cilin Biri i Zotit ka vdekur për shpëtimin tonë. Kryqi është përgjigja e Zotit ndaj së keqes e ndaj mëkatit të njeriut. Është përgjigje e dashurisë, e mëshirës dhe e faljes. T’ia tregojmë këtë Kryq botës e ta përlëvdojmë në zemrat tona, në familjet tona e në komunitet tona”.
Për të shkuar përpara “në udhën e jetës së krishterë” duhet të përulemi, ashtu siç bëri Jezu Krishti mbi Kryq. Këtë nënvizoi Papa Françesku në homelinë e Meshës kremtuar sot në mëngjes në shtëpinë e Shën Martës në Vatikan, në të cilën morën pjesë C9 - Grupi i nëntë kardinajve, të cilët sot filluan takimin e radhës me Papën që do të zgjasë deri më 16 shtator.
Për ta ndjekur Jezusin duhet të përulemi siç bëri Ai mbi kryq
Në festën e Lartësimit të Kryqit të Shenjtë të 14 shtatorit 2015, Papa Françesku në homelinë e Meshë, kremtuar në shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, mes tjerash tha se “udha e të krishterit është ajo e përuljes sipas shembullit të Jezusit mbi Kryq”. “Kjo – shpjegoi Ati i Shenjtë – është udha që Jezusi ka ndërmarr për të fituar kundër gjarprit në fushën e tij. Të vështrosh Kryqin e Jezu Krishtit, jo ato kryqe artistike, të pikturuara mirë: të vështrosh realitetin, çka ishte kryqi në atë kohë. E të vështrosh përshkimin e tij e të vështrosh Hyjin, që asgjësoi vetveten, u përulë për të na shpëtuar. Edhe kjo është udhë e të krishterit. Nëse një besimtar i krishterë don të shkojë përpara në udhën e jetës së krishterë duhet të përulet, siç qe përulur Jezusi. Kjo është udha e përvujtërisë, po, por edhe bartja mbi vete e poshtërimeve siç i ka bartur Jezusi”.