Kërko

   Një buldozier në Jenin, në Cisjordani Një buldozier në Jenin, në Cisjordani  (ANSA)

Papa: paqe në Tokën Shenjte dhe në Jeruzalem. Tani bisedimet dhe armëpushimi

Françesku, në përshëndetjet pas Engjëllit, bën përsëri thirrje për paqen në Lindjen e Mesme dhe në Ukrainë. Kërkon që negociatat për armëpushimin në Gaza të mos ndalen dhe Jeruzalemi të bëhet vendtakim i feve. Duke folur për popullsinë e martirizuar ukrainase, kujton se Zoti nuk është indiferent ndaj vuajtjeve të saj.

R. SH. - Vatikan

“Bëj thirrje të mos ndalen negociatat, por të ndalet menjëherë zjarri, të lirohen pengjet dhe të ndihmohet popullata e Gazës, ku po përhapen shumë sëmundje, përfshirë poliomielitin”.

Pas lutjes mariane të Engjëllit, mendimet e Papës Françesku shkuan edhe një herë shqetësueshëm tek popullatat e vuajtura të Tokës Shenjte dhe tek konflikti i përgjakur izraelito-palestinez, në Lindjen e Mesme, që vijon prej gati 11 muajsh.

Thirrje për Vendet e Shenjta

Papa kërkon edhe angazhimin e të gjithëve për të shmangur përhapjen e konfliktit "në qytetet e tjera palestineze" si dhe respektimin e Status Quo në Vendet e Shenjta. E, më pas, bën një thirrje të re, të dalë nga zemra:

“Paqja qoftë në Tokën Shenjte, paqja në Jeruzalem! Qyteti  Shenjt qoftë  vend takimi, ku të krishterët, hebrenjtë dhe myslimanët të ndjehen të respektuar dhe të mirëpritur dhe askush të mos e vërë në dyshim Status Quo-në në vendet e tyre të shenjta”.

Në Gaza nisin vaksinimet

Sot, e diel 1 shtator, filloi fushata e UNICEF-it për vaksinimin e poliomielitit në Rripin e Gazës: synon të mbrojë mbi 600 mijë fëmijë palestinezë. Por orët e fundit flitet edhe për përleshje. Sipas autoriteteve lokale të kontrolluara nga Hamasi, viktimat palestineze kanë arritur në 40,738. Tensioni po rritet edhe në Bregun Perëndimor, ku mëngjesin e sotëm tre policë izraelitë u vranë në Tarqumiyah, qytet jo shumë larg Hebronit, në një sulm kundër një postblloku.

Françesku: Zoti nuk qëndron indiferent

Papa Françesku shprehu edhe një herë afërsinë me popullsinë e Ukrainës, ku vazhdojnë sulmet dhe bombardimet, të cilat ditët e fundit shkaktuan dhjetëra viktima civile dhe  dëme të konsiderueshme:

“Jam gjithnjë pranë popullit të martirizuar ukrainas, të goditur rëndë nga sulmet kundër infrastrukturës energjetike. Përveçse shkaktuan vdekje dhe lëndime, lanë më shumë se një milion njerëz pa energji elektrike dhe pa ujë”.

E akoma:

“Kujtojmë se Zoti e dëgjon gjithmonë zërin e të pafajshmëve, nuk qëndron kurrë indiferent ndaj vuajtjeve të tyre!

Situata në terren, në Ukrainë

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky denoncon se “vetëm gjatë javës së kaluar, Rusia ka përdorur më shumë se 160 raketa të llojeve të ndryshme, 780 bomba ajrore të drejtuara dhe 400 dronë sulmues kundër popullit. Çdo ditë dhe çdo natë qytetet dhe fshatrat janë nën sulmet e armikut". Trupat ruse po përparojnë në Dobass dhe po rrethojnë qytetin e Pokrovsk, nga ku po ikën popullsia ukrainase.

Lutja për viktimat në Brazil

Pas Lutjes së Engjëllit, Papa kujtoi edhe “viktimat e aksidentit të ndodhur në Shenjtëroren e Zojës së Conceicão, në qytetin e Recife të Brazilit. Zoti i ngjallur i ngushëlloftë të plagosurit dhe familjet e tyre” - uroi.

 Pasditen e së premtes, gjatë shpërndarjes së ndihmave ushqimore, çatia e shenjtërores u shemb, duke plagosur rreth 20 persona dhe duke shkaktuar vdekjen e dy të tjerëve. Kujtojmë se çdo vit, më shumë se një milion njerëz ngjiten në Morro da Conceição nga fundi i nëntorit deri më 8 dhjetor, ditën e Shenjtit pajtor të qytetit.

01 shtator 2024, 14:50