Papa për bombat në Liban: çdo mbrojtje joproporcionale është imorale
R.SH. – Vatikan
Matteo Bruni: Mirëmbrëma të gjithëve, faleminderit Shenjtëri për këtë kohë, që dëshironi të na kushtoni, në fund të këtij udhëtimi të shkurtër por shumë intensiv. Ndoshta, duhet të themi një fjalë para se të fillojmë me pyetjet e gazetarëve.
Papa Françesku: Mirëdita dhe jam në dispozicion për pyetjet.
Michael Merten, Luksemburger Ëort
Ati i Shenjtë, Luksemburgu ishte vendi i parë dhe shumë njerëz e kujtojnë vizitën tuaj në barin Espresso. Dua t'ju pyes se cilat janë përshtypjet tuaja për Luksemburgun dhe nëse ka ndonjë gjë që ju ka befasuar.
Faleminderit, ajo puna e barit ishte punë fëmijësh. Herës tjetër do të shkoj në piceri. Luksemburgu më bëri vërtet përshtypje si shoqëri e ekuilibruar, me ligje të balancuara mirë, tjetër kulturë. Kjo më bëri shumë përshtypje, sepse nuk e njihja, ndërsa Belgjikën e njihje, sepse kam ardhur disa herë. Por Luksemburgu ishte surprizë, për ekuilibrin, mirëpritjen, diçka që më befasoi. Besoj se ndoshta mesazhi që Luksemburgu mund t'i japë Evropës është pikërisht ky.
Valerie Dupont, televizioni shtetëror belg frankofon
Ati i Shenjtë, faleminderit për gatishmërinë tuaj. Më falni për zërin por shiu më ka krijuar pak probleme. Fjalët tuaja në varrin e mbretit Baldovin shkaktuan njëfarë habie në Belgjikë...
Por ju e dini se habia është fillimi i filozofisë dhe kjo është mirë..
Le të shpresojmë. Disa e panë edhe si ndërhyrje politike në jetën demokratike të Belgjikës. Procesi i lumnimit të mbretit është i lidhur me qëndrimet e tij. Si mund të bëjmë që e drejta për jetën, mbrojtja e jetës dhe e drejta e gruas për të pasur një jetë pa vuajtje, të përputhen?
Janë të gjitha jetë, eh. Mbreti u tregua i guximshëm, sepse para një ligji vdekjeje, ai nuk nënshkroi dhe dha dorëheqjen. Duhet guxim, apo jo? Duhet një politikan “me pantallona” për ta bërë këtë. Duhet guxim. Ai dha një mesazh me këtë dhe e bëri, sepse ishte shenjtor. Ai njeri është shenjtor dhe procesi i lumturimit do të vazhdojë, sepse më ka dhënë prova për këtë.
Gratë. Gratë kanë të drejtën e jetës: për jetën e tyre, për jetën e fëmijëve të tyre. Të mos harrojmë ta themi këtë: aborti është vrasje. Shkenca thotë se që në muajin e parë të gjitha organet janë aty... Vritet një qenie njerëzore. E më lejoni të them se mjekët, që e bëjnë këtë, janë ‘sikarë’. Janë sikarë. E s’ka diskutim për këtë. Vritet një jetë njerëzore. E gratë kanë të drejtë ta mbrojnë jetën. Tjetër gjë janë metodat kontraceptive, kjo është tjetër gjë. Mos u ngatërroni. Tani po flas vetëm për abortin. E për këtë nuk mund të diskutojmë. Më fal, por kjo është e vërteta.
Andrea Vreede, TV belg fiaming dhe holandez
Shenjtëria juaj, gjatë këtij udhëtimi në Belgjikë keni pasur edhe një takim të gjatë me një grup viktimash të abuzimit seksual. Shpesh, në rrëfimet e tyre, ka britma dëshpërimi për mungesën e transparencës në procedura, për dyert e mbyllura, për heshtjen, ngadalësinë e masave disiplinore, mbulimet për të cilat folët sot, problemet në lidhje me kompensimin e dëmeve të pësuara. Në fund, gjërat duket se ndryshojnë vetëm kur arrijnë të flasin me ju, personalisht. Në Bruksel viktimat bënë një sërë kërkesash. Si mendoni të veproni me këto kërkesa? A nuk do të ishte më mirë, ndoshta, të krijohej një departament i veçantë në Vatikan, ndoshta një organ i pavarur, siç kërkojnë disa ipeshkvij për t’i bërë ballë më mirë kësaj plage në Kishë dhe për të rifituar besimin e besimtarëve?
Faleminderit. Po e filloj nga fundi… Ka një departament në Vatikan, eh. Ekziston një strukturë - presidenti tani është një ipeshkvën kolumbian - për rastet e abuzimit. Ekziston një komision, themeluar nga kardinali O'Malley. E funksionon! Të gjitha gjërat arrijnë në Vatikan dhe diskutohen. Edhe unë kam pritur të abuzuar në Vatikan dhe u jap forcë për të ecur përpara. Kjo është e para. Së dyti, dëgjova viktimat. Besoj se është detyrë. Disa vënë në dukje: statistikat thonë se 40-42-46% e të abuzuarve janë në familje dhe në lagje, vetëm 3% në Kishë. Nuk më intereson kjo, unë flas për ata të Kishës! Ne kemi përgjegjësinë t'i ndihmojmë të abuzuarit e të kujdesemi për ta. Disa kanë nevojë për trajtim psikologjik, duhet t'i ndihmojmë për këtë. Flasim edhe për dëmshpërblim, sepse ekziston në të drejtën civile. Në të drejtën civile në Belgjikë parashikohen 50 mijë euro, mendoj se është shumë e ulët. Nuk është diçka që nevojitet. Mendoj se kjo është shifra, por nuk jam i sigurt. Duhet të kujdesemi për njerëzit e dhunuar dhe të ndëshkojmë dhunuesit, sepse abuzimi nuk është mëkat i sotëm, që ndoshta nuk do të jetë nesër... Është prirje, është sëmundje psikiatrike dhe për këtë arsye duhet të trajtohet e të kontrollohet. Një abuzues nuk mund të lihet i lirë në jetën normale, me përgjegjësi në famulli dhe shkolla. Disa ipeshkvij, priftërinjve që e bënin këtë, pas gjyqit dhe dënimit, u dhanë punë për shembull në bibliotekë, por pa kontakt me fëmijët në shkolla, në famulli. Duhet të vazhdojmë me këtë. U thashë ipeshkvijve belgë të mos kenë frikë dhe të ecin përpara, përpara. Turp është kur mbulohen gjërat, po, ky është turp.
Courtney Walsh, grupi TV USA
Faleminderit shumë për kohën tuaj. Lexuam sot në mëngjes se për atentatin kundër Nasrallahut u vendosën bomba 900 kilogramëshe. Ka më se një mijë vetë të shpërngulur, shumë të vdekur. Sipas jush, Izraeli ka shkuar pak si tepër përtej Libanit dhe Gazës? Si mund të zgjidhet kjo? A ka ndonjë mesazh për këta njerëz atje?
Çdo ditë i telefonoj famullisë së Gazës. Rrinë aty, në famulli dhe në kolegj, më se 600 njerëz dhe më tregojnë ndodhitë, madje, edhe mizoritë. Nuk e kam kuptuar mirë si shkuan punët për atë, që më the. Por mbrojtja duhet të jetë gjithmonë proporcionale me sulmin. Kur ka diçka joproporcionale, del në pah prirja për dominim, që shkon përtej moralit. Një vend, që i bën këto gjëra me dhunë, - e kam fjalën për çdo vend - që i bën këto gjëra në një mënyrë kaq "të ekzagjeruar"… janë veprime imorale. Edhe në luftë ka një moral, që duhet ruajtur. Lufta është e pamoralshme, por rregullat e luftës nënkuptojnë njëfarë morali. Kur kjo nuk bëhet, shihet – siç themi në Argjentinë - "gjaku i keq".
Annachiara Valle, Familja e krishterë
Faleminderit, Shenjtëria juaj. Dje, pas takimit në Universitetin Katolik të Luvenit, u botua një deklaratë ku – lexoj - "Universiteti dënon qëndrimet konservatore të shprehura nga Papa Françesku për rolin e gruas në shoqëri". Thonë se është pak kufizuese të flitet për gruan vetëm për amësinë, pjellorinë, kujdesin, madje, kjo është pak diskriminuese, sepse është rol, që u takon edhe meshkujve. E lidhur me këtë, të dyja universitetet shtruan çështjen e shërbesave të shuguruara në Kishë.
Para së gjithash, kjo deklaratë u bë në kohën kur flisja. U bë paraprakisht dhe kjo nuk është e moralshme. Unë flas gjithmonë për dinjitetin e gruas dhe thashë diçka, që nuk mund ta them për burrat: Kisha është grua, ajo është nusja e Jezusit, mashkullorizimi i grave nuk është njerëzor, nuk është i krishterë. Femra ka forcën e vet. Në të vërtetë, gratë - e them gjithmonë - janë më të rëndësishme se burrat, sepse Kisha është grua, Kisha është nusja e Jezusit. Nëse kjo u duket konservatore atyre zonjave, unë jam Carlo Gardell (këngëtari i mirënjohur i tangos argjentinase, ed.). Nuk kuptohet... Vërej se ekziston një mendësi e mbyllur, që nuk dëshiron të dëgjojë për këtë. Gruaja është e barabartë me burrin, madje, në jetën e Kishës gruaja është më lart, sepse Kisha është grua. Përsa i përket shërbesës, është më i lartë misticizmi i gruas se sa shërbesa. Është një teolog i madh, që e ka studiuar këtë: kush është më i madhi, shërbesa pjetrine apo shërbesa mariane? Shërbesa mariane është më e madhe, sepse është shërbesë e unitetit që përfshin, tjetra është shërbesë e udhëheqjes. Amësia e Kishës është amësia e gruaa. Shërbesa si e tillë është më e vogël, për të shoqëruar besimtarët, gjithmonë brenda amësisë. Teologë të ndryshëm e kanë studiuar këtë dhe kjo është e vërtetë, nuk po them moderne, por reale. Nuk është as e vjetëruar. Një feminizëm i ekzagjeruar, që i do gratë maskiliste, nuk funksionon. Një gjë është maskilizmi, që nuk është i drejtë, tjetër gjë është feminizmi i padrejtë. E drejtë është Kisha grua, që është më e madhe se shërbimi priftëror. Nganjëherë nuk mendohet kjo.
Por faleminderit për pyetjen. Dhe faleminderit të gjithëve për këtë udhëtim, për punën që keni bërë. Më vjen keq që po na mbaron koha. Faleminderit, faleminderit shumë. Unë lutem për ju, ju lutuni për mua. Lutuni në favorin tim, eh!
(Papës i kujtojnë tragjedinë e pesëdhjetë njerëzve të humbur në det në brigjet e Ishujve Kanarie)
Jam i trishtuar për këta njerëz të zhdukur në Ishujt Kanarie. Sot shumë e shumë emigrantë, që kërkojnë liri, zhduken në det, ose afër tij. Le të mendojmë për Crotone-n, apo jo? Në 100 metra… (toka jote). Le të mendojmë për të. Është për të qarë, të vjen të derdhësh lot.