Kërko

Papa për katolikët në Vanimo: përhapeni bukurinë e Ungjillit të Krishtit me dashuri

Papa Françesku udhëton në qytetin bregdetar të Vanimos në Papua Guinenë e Re dhe u kërkon besimtarëve katolikë të dëshmojnë për Ungjillin si misionarë në jetën e tyre të përditshme

R.SH. – Vatikan

 Pas një fluturimi dy-orësh me një avion ushtarak australian, Papa Françesku mbërriti në qytetin veriperëndimor të Vanimos për të kaluar disa orë me katolikët vendas dhe për të shprehur vlerësimin e tij për punën misionare të Kishës në zonë.

Në fjalimin e tij përpara pro-katedrales kushtuar Kryqit Shenjt, Papa vuri në dukje sa shumë njerëz vinin nga larg, pas një udhëtimi të gjatë, duke i falënderuar që ishin me të në Vanimo. Françesku vlerësoi punën e meshtarëve misionarë dhe murgeshave, që kanë ungjillëzuar zonën, duke filluar nga mesi i shekullit të 19-të, si edhe punën e misionarëve aktualë, që përshkojnë distanca të gjata për t’u predikuar Ungjillin bashkësive të largëta.

"Ata përballen me shumë vështirësi për të qenë mjet "paqeje dhe dashurie" për të gjithë", pohoi Ati i Shenjtë, duke marrë fjalët e motër Jaisha Joseph, që u foli të pranishmëve vetëm pak çaste më parë.

"Ekspertë të bukurisë së Ungjillit të Krishtit"

Papa nënvizoi se misioni i Kishës për të përhapur Ungjillin në rajon ka sjellë ngritjen e kishave, shkollave, spitaleve dhe qendrave misionare, të gjitha, institucione që i ndihmojnë besimtarët të “lulëzojnë, me gjithë bukurinë e tyre, për hir të së mirës së përbashkët”.

“Ju jeni ‘ekspertë’ të bukurisë këtu, sepse jeni të rrethuar prej saj!” vuri në dukje Françesku. "Jetoni në një tokë të mrekullueshme, të pasuruar nga një larmi e madhe bimësh dhe zogjsh".

Zoti i ka besuar popullit të Papua Guinesë së Re këtë natyrë të mrekullueshme për të mirën e të gjithëve.

“Kur shikojmë vetveten, kuptojmë se ka një pamje edhe më të bukur: ajo që shtohet brenda nesh kur e duam njëri-tjetrin”, theksoi Ati i Shenjtë. “Vërtet, misioni ynë është pikërisht të përhapim bukurinë e Ungjillit të Krishtit kudo, duke e dashur Hyjin dhe vëllezërit e motrat tona”.

Mbrojtja e vlerave të krishtera

Papa u kërkoi katolikëve të jenë misionarë e për këtë s’ka nevojë të shkohet larg. Secili prej nesh, u tha ai, mund të jetë “misionar aty ku jetojmë: në shtëpi, në shkollë, në vendin e punës”. Më pas, i ftoi besimtarët papuanë ta duan njëri-tjetrin, në mënyrë që të “kapërcejnë ndarjet – personale, familjare dhe fisnore – ta largojnë frikën, bestytnitë dhe magjitë nga zemrat e njerëzve dhe t’u japin fund qëndrimeve shkatërrimtare si dhuna, pabesia, shfrytëzimi, abuzimi me alkoolin dhe drogën”. Këto sjellje, theksoi Françesku, janë të këqija, u vjedhin lumturinë.

“Le të kujtojmë se dashuria është më e fortë se e gjithë kjo dhe bukuria e saj mund ta shërojë botën, sepse ajo i ka rrënjët te Zoti”, pohoi Papa, duke u bërë thirrje të gjithëve që ta përhapin dhe ta mbrojnë atë.

Françesku kujtoi dëshminë e të Lumit autokton Peter To Rot, baba, katekist dhe martir i Papua Guinesë së Re, duke vënë në dukje se ai dha jetën "për të mbrojtur unitetin e familjes". Thesari më i madh i vendit, përfundoi Bergoglio, është “thesari i bukur dhe mahnitës” që bartin të gjithë papuanët në zemër e që shprehet në akte bamirësie dhe dashurie.

“Këtë ua them veçanërisht ju fëmijëve, me buzëqeshjet tuaja ngjitëse dhe me gëzimin tuaj të jashtëzakonshëm, që përhapet në çdo drejtim”, theksoi Ati i Shenjtë. "Ju jeni pamja më e bukur, që vizitorët mund të marrin me vete dhe ta mbajnë në zemrat e tyre!"

08 shtator 2024, 11:24