Kërko

Papa Françesku në takimin me Lëvizjet Popullore Papa Françesku në takimin me Lëvizjet Popullore

Papa për Lëvizjet Popullore: luftë kundër ekonomisë kriminale, “jo” darvinizmit social

Françesku takohet me përfaqësuesit e Lëvizjeve Popullore në pallatin San Calisto, seli e Dikasterit për Zhvillimin e Gjithanshëm Njerëzor, me rastin e 10-vjetorit të takimit të parë në Vatikan. Inkurajon luftën e tyre kundër padrejtësive shoqërore, i nxit t'u japin zë të varfërve, nga të cilët "varemi të gjithë" dhe përsërit propozimin për një pagë bazë universale dhe taksa edhe më të larta për miliarderët. Së fundi, shpreh dëshirën për t'u lënë brezave të rinj një botë më të mirë se ajo aktuale

R.SH. – Vatikan

Papa Françesku mbërriti pa zhurmë në pallatin San Calisto, në zemër të Romës, ku e ka selinë Dikasteri për Promovimin e Zhvillimit të Gjithanshëm Njerëzor e ku sot, më 20 shtator, u zhvillua veprimtaria "Ta piketojmë me një flamur dehumanizimin", në përvjetorin e dhjetë të Takimit të parë Botëror të Lëvizjeve Popullore (EMMP) me vetë Atin e Shenjtë, që u mbajt në Romë.

"Takimi", një hapësirë​​vëllazërimi ndërmjet organizatave bazë nga pesë kontinentet, që promovon kulturën në favor të 3T-ve (Techo, Tierra y Trabajo, pra, çati, tokë dhe punë), përmes kësaj nisme, synon të dialogojë dhe të reflektojë mbi rrugën e ndjekur që nga viti 2014 për të përballuar sfidat aktuale në favor të drejtësisë sociale dhe të paqes në shtëpinë tonë të përbashkët. E Papa, kur arriti në tryezën e pjesëmarrësve, ndenji duke dëgjuar dialogun e atyre, që vitet e fundit, janë angazhuar për të siguruar që asnjë familje të mos jetë e pastrehë, "asnjë fermer pa tokë, asnjë punëtor pa të drejta, asnjë person pa dinjitetin, që rrjedh nga puna”, siç thuhet në moton e Lëvizjeve.

Të promovohet vëllazërimi

Fjalimi i Papës ishte i gjatë, në spanjisht, i përqendruar në temat e drejtësisë sociale, me ftesën për t’u kujdesur për të pafatët, për të moshuarit dhe fëmijët, për ata që nuk kanë zë e jetojnë të mënjanuar nga shoqëria. Ati i Shenjtë u kërkoi edhe të pasurve të vënë në dispozicion pasuritë e tyre, sepse "pasuria është menduar për t'u ndarë, për të krijuar, për të promovuar vëllazërimin". "Pa dashuri nuk jemi asgjë", kujtoi Françesku.  Nëse nuk ka “politika të mira, politika racionale dhe të drejta, që forcojnë drejtësinë shoqërore në mënyrë që të gjithë të kenë tokë, strehë, punë, në mënyrë që të gjithë të kenë një pagë të drejtë dhe të drejta shoqërore – pohoi Papa – logjika e hedhurinave materiale dhe e hedhurinave njerëzore do të përhapet, duke i lënë vend dhunës dhe shkretimit”.

“Fatkeqësisht, shumë herë janë pikërisht më të pasurit ata, që i kundërvihet realizimit të drejtësisë shoqërore, ose të ekologjisë së gjithanshme, thjesht për lakmi. Po, këtë lakmi e maskojnë me ideologji, por është po ajo lakmi e vjetër dhe e njohur. U bëjnë presion qeverive që të mbështesin politika të gabuara, të cilat u sjellin përfitim ekonomik”.

Duhet dashuria

Papa i ftoi të gjithë të mos akumulojnë pasuri në këtë tokë, siç na mëson Jezu Krishti, por ta shpërndajnë atë me më nevojtarët, sepse kështu akumulohen thesare për qiell. Kërkoi të dëgjohet britma e të përjashtuarve, të shprehet drejtësia shoqërore përmes dhembshurisë, pa përbuzur askënd e pa heshtur me indiferencë, por duke vepruar me dashurim që është “kategori teologjike, etike, ekonomike e politike”.

“Heshtja përballë padrejtësisë i hap rrugën ndarjes shoqërore, ndarja sociale i hap rrugën dhunës verbale, dhuna verbale i hap rrugën dhunës fizike, dhuna fizike luftës së të gjithëve kundër të gjithëve”.

Darvinizmi shoqëror e krimi

Papa kritikoi edhe format e “darvinizmit shoqëror”, që është zbatimi i ligjit të më të fortit, që justifikon fillimisht indiferencën, pastaj mizorinë dhe në fund “shfarosjen”. E gjithë kjo “vjen nga i ligu”, pohoi. E pastaj, ngriti zërin kundër ekonomisë kriminale, kundër trafikëve të ndryshëm, por jo vetëm. Foli edhe për bastet e mashtrimet online, si edhe për krimet në internet.

“Vazhdoni ta luftoni ekonominë kriminale me ekonominë popullore – u tha Lëvizjeve. - Mos u dorëzoni... Asnjë person, sidomos asnjë fëmijë, nuk mund të jetë mall në duart e trafikantëve të vdekjes, të njëjtëve që pastrojnë paratë e përgjakura dhe hanë darkë si zotërinj të respektuar në restorantet më të mira".

Një pagë bazë universale

Në fund të fjalimit të tij të gjatë, Papa bëri sërish propozimin për një pagë bazë universale, në mënyrë që "në kohët e automatizimit dhe të inteligjencës artificiale, në kohë informaliteti dhe pune të pasigurt, askush të mos përjashtohet nga baza e nevojshme për jetesën". Kjo është “dhembshuri”, por është edhe “drejtësi rigoroze”. Në përfundim, Papa uroi që brezat e rinj të kenë një botë më të mirë, pa luftëra e dhunë, pa pabarazi, pa natyrë të shfrytëzuar deri në palcë. “Realiteti tregon të kundërtën, por duhet shpresuar gjithmonë”, me atë shpresë që nuk zhgënjen.

20 shtator 2024, 17:27