Papa për takimin e Parisit: Po e shkatërrojmë botën! Të ndalemi sa jemi në kohë!
R.SH. - Vatikan
38 vjet nga viti i largët 1986, kur u mblodh Takimi i parë i lutjes për Paqen në Asizi të Italisë, Papa Françesku ecën në vazhdën e paraardhësit të tij, Papës shenjt Gjon Pali II, që e promovoi atë dhe, mbështet edhe sot, si në të kaluarën, Takimin aktual, që sapo përfundoi në Paris, gjithnjë i organizuar nga Bashkësia e Shën Egjidit. Në një mesazh për “popullin e paqes”, njerëz të brezave të ndryshëm, që u mblodhën në kryeqytetin francez nga 22 shtatori e deri më sot, për të ngritur zërin për paqen e për çarmatimin, për të diskutuar mbi krizën e ambientit dhe emigrantët, mbi demokracinë e solidaritetin, Ati i Shenjtë thekson:
“Kemi nevojë të lutemi për paqen. Rreziku që konfliktet e shumta, në vend që të ndalen, të zgjerohen rrezikshëm, është më se real. E bëj timen thirrjen tuaj dhe atë të shumë të prekurve nga lufta dhe ua drejtoj përgjegjësve të politikës: ‘Ndaloni luftën! Ndaloni luftërat!’ Po e shkatërrojmë botën! Të ndalemi sa kemi ende kohë!”
Fryma e Asizit
Pjesëmarrësit e takimit u mblodhën sot para katedrales së Notre Dame, e cila, pas djegies nga zjarri, është restauruar dhe do t’i hapë dyert sërish. Papa u përmend ngjarjet, që karakterizuan periudhën 38-vjeçare, që nga lindja e së ashtuquajturës “Fryma e Asizit”, duke filluar nga rënia e murit të Berlinit, tek fundamentalizmat, tek pandemia e tek teknologjitë e reja. Jemi në mes të një “ndryshimi epokal”, vëren Ati i Shenjtë, për të cilin vlejnë ende fjalët e shën Gjon Palit II, shqiptuar 38 vjet më parë: “Kurrë si sot në historinë e njerëzimit u është bërë e qartë të gjithëve lidhja e brendshme ndërmjet qëndrimit të vërtetë fetar dhe pasurisë së madhe të paqes”.
Fetë nuk e nxisin kurrë luftën
Tepër shpesh, në të kaluarën, fetë janë përdorur për të ushqyer konflikte e luftë, vë në dukje Papa Françesku në mesazh. Kujton më pas bindjen e shprehur së bashku me Imamin e Madh të Al-Azharit, Ahmad Al-Tayyeb, në Dokumentin e Abu Dabit, ku theksohet se “fetë nuk nxisin kurrë luftën” e ekstremizmat dhe se “këto fatkeqësi janë rezultat i devijimit nga mësimet fetare”. “Mjerë ata që përpiqen ta tërheqin Zotin për të marrë pjesë në luftëra!”
Të jeni artizanë të paqes
Përmes vëllazërimit universal, shpreh Françesku një koncept-shtyllë për papninë e tij, burra e gra me kultura e fe të ndryshme, të jeni artizanë të paqes. E më pas, përmend një pasazh nga Enciklika “Fratelli tutti”: “Dialogu ndërmjet njerëzve me fe të ndryshme nuk bëhet vetëm për diplomaci, kortezi apo tolerancë. Siç na kanë mësuar ipeshkvijtë e Indisë, ‘objektivi i dialogut është të vendosë miqësi, paqe, harmoni dhe të ndajë vlerat dhe përvojat morale e shpirtërore me frymën e së vërtetës dhe të dashurisë’”.
Imagjinoni paqen
Ky është horizonti i Takimit të Parisit, me temë “Të imagjinojmë paqen”. “Kemi nevojë të takohemi, - këshillon Papa - të krijojmë lidhje vëllazërore dhe të udhëhiqemi nga frymëzimi hyjnor, që banon në çdo fe, për të imagjinuar së bashku paqen ndërmjet gjithë popujve. Kemi nevojë për ‘hapësira dialogu, për të vepruar së bashku për të mirën e përbashkët dhe promovimin e më të varfërve’. Po, në një botë që ka rrezik të shkërmoqet nga konfliktet dhe luftërat, puna e besimtarëve është e çmuar për të treguar vizione paqeje dhe për të promovuar vëllazërimin dhe paqen ndërmjet popujve kudo në botë”.
Së fundi, Papa u kujton njerëzve të të gjitha feve dhe grave e burrave vullnetmirë se paqja u është besuar duarve të tyre. “Na kërkohet mençuri, guxim, bujari dhe vendosmëri – ngre zërin Ati i Shenjtë. - Zoti e ka dorëzuar në duart tona edhe ëndrrën e tij për botën: vëllazërimin ndërmjet gjithë popujve”.