Kërko

Papa për të rinjtë e Timorit Lindor: dashuria është shërbim dhe pajtim

Takimi i fundit i Françeskut në vendin aziatik para nisjes për në Singapor, ishte ai me 3 mijë të rinj, që e pritën me këngë, valle dhe dëshmi në Centro de Convenções, në Dili. Papa bëri shaka me ta dhe u kujtoi rëndësinë e respektit për të moshuarit, si edhe vlerat e lirisë, të përkushtimit e të vëllazërimit

R.SH. – Vatikan

“Ne jemi rinia e Papës!” Djemtë dhe vajzat e Timorit Lindor e pritën kështu ardhjen e Papës në Qendrën e Konferencave të Dilit, për takimin e fundit zyrtar në këtë vend. Një mijë ishin brenda sallës së madhe, dy mijë jashtë, për të përqafuar atë, që ata vetë e quajtën "Papa i të rinjve". Kënduan e kërcyen para tij dhe Françesku e shoqëroi ritmin e muzikës me duar, duke vënë buzën në gaz e duke ia kthyer, në një farë mënyre, buzëqeshjet popullit timorez, që i la shumë përshtypje të mira në këtë etapë të tretë të udhëtimit të tij të 45-të apostolik në Azi dhe Oqeani.

Ka rëndësi të bëni zhurmë

“Daader di'ak” – Mirëmëngjes: kjo ishte përshëndetja në tetum – një nga dy gjuhët zyrtare të Timorit Lindor, së bashku me portugalishten – me të cilën Papa filloi dialogun me të rinjtë. Pyetja e parë i befasoi: “Çfarë bëjnë të rinjtë?”, i pyeti ai. Përgjigjet ishin me nivel, serioze, dëshmi e fesë, që është pjesë përbërëse e jetës timoreze: të rinjtë kumtonin Krishtin, fjalën e Hyjit, shprehnin dashurinë e përgjigjeshin. Françesku tundte kokën, por në të vërtetë, dëshironte të thoshte se të rinjtë duhet të bëjnë "lìo", zhurmë, dhe këtë do ta përsëriste disa herë gjatë takimit, i cili filloi me vendosjen e luleve para shtatores së Zojës në hyrje të qendrës dhe me dëshmitë e katër të rinjve e të don Francisco Indra do Nascimento, kryetar ekzekutiv i Komisionit Kombëtar të Rinisë Katolike të vendit.

Një tokë plot shpresë dhe të ardhme

“Ju jeni shumica e popullsisë së këtij vendi dhe prania juaj e mbush atë me jetë, shpresë dhe të ardhme”, u tha Papa të pranishmëve, duke u kujtuar se janë trashëgimtarë të etërve të kombit, që kanë vënë themelet e tij. “Mos i harroni ata, që ju paraprinë dhe që e konsoliduan këtë komb me kaq shumë sakrifica”, theksoi Ati i Shenjtë, duke i ftuar të rinjtë të mos e humbasin entuziazmin e fesë dhe të mos u dorëzohen veseve “që i hedhin poshtë”, si alkooli, droga dhe "gjërat e shumta, që japin lumturi për gjysmë ore".

Respekt për të moshuarit

Papa i ftoi të rinjtë të ëndërrojnë, sepse “i riu, që nuk ëndërron, është pensionist i jetës”, shtoi Françesku, është në mes të rrugëtimit të jetës, ndërmjet fëmijëve dhe të moshuarve, “dy thesaret më të mëdha të një populli”. Ati i Shenjtë theksoi disa herë se të moshuarit u japin urtinë e tyre të rinjve dhe të rinjtë duhet t'i respektojnë dhe të kujdesen për ta. I këshilloi të mos bëjnë si djali, që ndërtoi një tryezë të veçantë, ku të hante vetëm i ati i moshuar, nga i cili i vinte turp.

Liri, përkushtim, vëllazërim

Në Timorin Lindor, të cilin Françesku e quajti "vend i qeshur", ka "një histori të mrekullueshme heroizmi, feje, martirizimi e sidomos histori feje e pajtimi", nënvizoi Papa, i cili i pyeti të rinjtë cili është njeriu, që gjithnjë është gati për falje e pajtim? Është Jezusi, u përgjigjen ata pa hezitim, "vëllai ynë, që na do të gjithë së bashku". Për pajtimin, Papa u rekomandoi të rinjve tri gjëra: lirinë, përkushtimin dhe vëllazërimin. "Ukun rasik-an" është një shprehje në gjuhën tetume, që do të thotë "secili duhet të qeverisë vetveten". I riu i paaftë për vetëqeverisje varet nga të tjerët, nuk është i lirë, është skllav i dëshirës së tij për t'u ndjerë i gjithëpushtetshëm. Ndërsa, impenjimi, shpjegoi Papa, duhet të jetë për të mirën e përbashkët. Çdo i ri duhet ta dijë se “të jesh i lirë nuk do të thotë të bësh çfarë të duash”.

Të rinjtë kanë përgjegjësi dhe njëra prej tyre është të mësojnë si të kujdesen për shtëpinë e përbashkët, për Krijimin. Këshilla e tretë papnore ishte vëllazërimi: duhet të jemi vëllezër, jo armiq, duke e respektuar njëri-tjetrin, pavarësisht nga dallimet, vërejti Françesku. “Dashuria është shërbim”, “Dashuri dhe pajtim”: këto parrulla, Papa ua kërkoi të rinjve t’i përsërisin, duke u kujtuar edhe një herë se duhet të respektojnë të moshuarit dhe të eliminojnë çdo formë keqtrajtimi kundër vëllezërve më të brishtë.

11 shtator 2024, 09:58