Papa të rinjve papuanë: zgjidhni harmoninë, jo ndarjen
R.SH. – Vatikan
Duke lënë mënjanë fjalimin e përgatitur, ndërsa në trevat shqiptare ishin orët e para të mëngjesit të 9 shtatorit, Papa Françesku hyri në një dialog të lirë me rreth 10.000 të rinj të mbledhur në stadiumin Sir John Guise, në Port Moresby, takimi i tij i fundit në Papua Guinenë e Re, para se të nisej për në Timorin Lindor.
"Ju në Papua, që flisni më se 800 gjuhë, ndani një gjuhë të përbashkët," u tha të pranishmëve: "atë të dashurisë dhe të shërbimit".
Problemet e të rinjve
Pas një valleje shumëngjyrëshe mirëseardhjeje nga një grup të rinjsh të veshur me veshje tradicionale, ipeshkvi John Bosco Auram i dioqezës së Kimbes përshëndeti Atin e Shenjtë, duke vënë në dukje sfidat kryesore me të cilat përballet rinia e Papua Guinesë së Re. Brezat e rinj hasin vështirësi në mishërimin e vlerave të krishtera brenda familjeve dhe shoqërisë, kanë mundësi të kufizuara për rritje dhe zhvillim, zhgënjehen shpesh nga premtimet e paplotësuara nga ana e shoqërisë, qeverisë e madje, edhe nga ana e Kishës.
Tri dëshmi
Disa të rinj dhanë dëshminë e tyre para Papës. E para ishte Patricia Harricknen-Korpok, anëtare e Shoqatës së Profesionistëve Katolikë, e cila foli për sfidat e dëshmimit të fesë dhe të moralit katolik në një shoqëri të ndikuar shumë nga industria e argëtimit, media sociale dhe teknologjia. Më pas, Ryan Vulum tregoi përvojën e tij të vështirë të fëmijërisë në një familje të shkatërruar, duke vënë në dukje se vetëm Kisha iu bë strehë. Shpjegoi se shumë të rinj në Papua Guinenë e Re luftojnë me të njëjtat probleme, pasi e kanë të vështirë të komunikojnë me prindërit, që, ose janë të ndarë, ose mungojnë. Kjo, pohoi ai, shpesh çon në abuzime me drogën, në veprimtari të paligjshme dhe në humbjen e shpresës. Dëshmia e fundit u dha nga Bernadette Turmoni, anëtare e Legjionit të Marisë, e cila foli për pasojat e rënda të abuzimit familjar me të rinjtë. “Viktimat ndihen të padashur dhe të pa respektuar, gjë që mund t'i çojë në vetëvrasje, ose në braktisjen e familjeve të tyre”, nënvizoi ajo. Bernadette nxorri në pah edhe pasojat e varfërisë, në një vend si Papua Guinea së Re, me pasuri të shumta natyrore, që shfrytëzohen nga të tjerë e jo nga vendasit. Shumë të rinj, vërejti ajo, e braktisin shkollën dhe merren me tregtinë e drogës, vjedhin, ose lypin.
Papa Françesku: “përballojeni të ardhmen me buzëqeshjen e shpresës”
Nga ana e tij, Papa Françesku shprehu gëzimin për kohën që kaloi në Papua Guinenë e Re, vend me oqeane, male dhe pyje tropikale. Ai vuri në dukje sa shumë të rinj ka ky vend i Oqeanisë, i thirrur "të përballet me të ardhmen me buzëqeshjen e shpresës".
“Faleminderit për gëzimin tuaj dhe për mënyrën se si e keni ndarë bukurinë e Papuas, ku oqeani takohet me qiellin, ku lindin ëndrrat dhe lartohen sfidat”, pohoi Ati i Shenjtë.
Rinia është shpresa e së ardhmes
Duke iu drejtuar mbi 10.000 të rinjve të pranishëm në stadiumin e Port Moresby-t, Papa shpjegoi se ai nuk mund të largohej nga Papua Guinea e Re pa i takuar ata, sepse të rinjtë janë shpresa për të ardhmen. U foli për historinë biblike të Kullës së Babelit, duke i këshilluar ta konsiderojnë mësim për dy mënyrat më të cilat mund të ndërtohet jeta dhe shoqëria: njëra çon në konfuzion dhe ndarje, ndërsa tjetra nxit harmoninë nëpërmjet takimit me Zotin dhe me njerëzit.