Papa popullit të Timorit Lindor: Feja juaj të jetë kultura juaj!

Duke u folur krerëve të qeverisë, përfaqësuesve të shoqërisë civile dhe diplomatëve, Papa Françesku e ftoi popullin timorez të bëjë ç’është e mundur që parimet, projektet dhe vendimet të frymëzohen nga feja

R.SH. – Vatikan

Pas më se një çerek shekulli konflikti, ndërsa Timori Lindor luftonte për pavarësinë nga Indonezia, ky vend "qe në gjendje të ngrihej sërish në këmbë": kështu pohoi sot (9 shtator) Papa Françesku para autoriteteve civile dhe diplomatëve në Dili, ku mbërriti në orët e para të mëngjesit, për etapën e tretë të udhëtimit të tij apostolik në Azi dhe Oqeani. Kujtojmë se Timori Lindor deklaroi pavarësinë nga Portugalia më 1975, ndërsa nga Indonezia, më 2002. Gjithsesi, monumentet e tij, sidomos në kryeqytet, ku ngrihet shtatorja e famshme e Krishtit Mbret, 27 metra e lartë, dëshmojnë për ndikimin e këtyre dy vendeve në kulturën e popullit.

Timorezët, vërejti Ati i Shenjtë, pas këtyre përpjekjeve të jashtëzakonshme, gjetën "një rrugë drejt paqes dhe filluan një fazë të re zhvillimi, përmirësuan kushtet e jetesës dhe vlerësuan më mirë të gjitha nivelet e pashkatërruara, me të cilat shkëlqen kjo tokë, si edhe pasuritë e saj natyrore e njerëzore”.

Një agim i ri paqeje dhe lirie

Duke folur me krerët politikë, përfaqësuesit e shoqërisë civile dhe anëtarët e Trupit diplomatik, Papa Françesku falënderoi Zotin për "agimin e paqes dhe të lirisë" për Timorin Lindor, pas një periudhe “ditësh të errëta dhe të vështira”. Ati i Shenjtë theksoi se populli timorez nuk e humbi kurrë shpresën gjatë periudhës “dramatike” të luftës për pavarësi dhe vlerësoi “përpjekjet e tij intensive për të arritur pajtimin e plotë me vëllezërit dhe motrat në Indonezi”. Njëkohësisht, ai u lut që Zoti të dhurojë "për konflikte të tjera në pjesë të ndryshme të botës, dëshirën për paqe dhe pajtim”.

Sfida të reja

Ndërsa vuri në dukje "horizontet e reja" për vendin, Papa Françesku pranoi se ka edhe "sfida të reja për t'u përballuar e probleme të reja për t'u zgjidhur", përfshirë emigracionin; varfërinë, veçanërisht në zonat rurale; abuzimin me alkoolin; dhe formimin e bandave të të rinjve.

“Për këtë arsye dua t’ju them: - nënvizoi Papa - feja, që ju ka shndritur dhe ju ka mbështetur në të kaluarën, vazhdoftë t’jua frymëzojë të tashmen dhe të ardhmen”.

Françesku i inkurajoi timorezët në portugalisht, duke përmendur moton e etapës së udhëtimit të tij në vendin e tyre:

"Que a vossa fè seja a vossa cultura" (Feja juaj qoftë kultura juaj), duke shtuar edhe "i frymëzoftë parimet, projektet dhe vendimet në përputhje me Ungjillin".

Rëndësia e edukimit

Për të zgjidhur problemet me të cilat përballet kombi, Papa Françesku nguli këmbë në domosdoshmërinë e edukimit, veçanërisht në përgatitjen e atyre, që do të thirren për të udhëhequr vendin në të ardhmen. Ai shtoi se doktrina shoqërore e Kishës mund të sigurojë bazën për një formim të tillë, duke vënë në dukje se “ajo përbën një shtyllë të domosdoshme dhe të besueshme”, mbi të cilën bazohet përparimi i mëtejshëm. Është gjithashtu mjet për të kuptuar nëse rrugët e ndryshme, para të cilave gjendet vendi, e favorizojnë, ose e pengojnë zhvillimin e gjithanshëm.

Arsyet për shpresë

Së fundi, Papa Françesku vuri në pah fytyrën rinore të Timorit Lindor, ku më se 65 për qind e popullsisë është nën moshën tridhjetë vjeç. I ftoi të rinjtë që, me freskinë dhe shkathtësinë e tyre, të përfitojnë nga përvoja dhe urtia e të moshuarve.

“Së bashku, ky entuziazëm dhe kjo urti janë pasuri e madhe dhe nuk lejojnë rënien në pasivitet, aq më pak në pesimizëm”.

Duke e lavdëruar Timorin Lindor për "vendosmërinë dhe për heroizmin plot durim" me të cilat vendi u ka bërë ballë “kohëve të mundimeve të mëdha”, Papa Françesku e përfundoi fjalën, duke vënë në dukje se, në dritën e gjithçkaje është arritur në të kaluarën e afërt, "ka arsye për të qenë të sigurt se edhe kombi juaj do të jetë në gjendje të përballojë, në mënyrë inteligjente dhe krijuese, vështirësitë dhe problemet e sotme”.

09 shtator 2024, 12:33