Over 650,000 Palestinian students in Gaza deprived of right to education, says ministry  (ANSA) Over 650,000 Palestinian students in Gaza deprived of right to education, says ministry (ANSA)

Papa: të dëgjohet zëri i popujve që kërkojnë paqe. Dinjitet për të burgosurit

Pas lutjes së Engjëllit të Zotit, Françesku bëri thirrje të lutemi gjithnjë për Ukrainën e "torturuar", Palestinën, Izraelin, Mianmarin dhe shumë vende që janë në luftë. Dhe kërkoi një angazhim konkret për kushtet e të burgosurve, sepse "të gjithë mund të gabojnë", por duhet të jenë në gjendje "të rifillojnë më pas një jetë të ndershme".

R.SH. / Vatikan

Pas lutjes së sotme të Engjëllit të Zotit, kremtuar në mesditë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, në prani të shumë besimtarëve të ardhur nga vende të ndryshme, Papa Françesku bëri thirrje të re të lutemi për paqe:

"Vëllezër dhe motra, të vazhdojmë të lutemi për paqe. Fatkeqësisht në frontet e luftës tensioni është shumë i lartë, të dëgjohet zëri i popujve që kërkojnë paqe. Të mos harrojmë Ukrainën e munduar, Palestinën, Izraelin, Mianmarin e shumë vende që janë në luftë. Të lutemi për paqe".

Tension i lartë mes Libanit dhe Izraelit

Gjithnjë pas lutjes dhe bekimit të Engjëllit të Zotit të kësaj së diele, Papa Françesku vazhdoi duke u lutur për paqe, dhe përmendi retë e reja kërcënuese të luftës që mbulojnë Lindjen e Mesme. Në fakt, ndeshjet e tensioni mes Hezbollahut e Izraelit në ditët e fundit sa shkon e rritet.

Kush është në burg, kur të dalë, të mund të rifillojë jetën e ndershme

Kërkesa e Françeskut për të vazhduar lutjen për paqe vjen gjatë përshëndetjes drejtuar pjesëmarrëve në marshin sensibilizues për kushtet e të burgosurve, duke shtuar këto fjalë: 

Duhet të punojmë që të burgosurit të jenë në kushte të dinjitetshme, të gjithë mund të bëjnë gabime: të jesh i burgosur do të thotë të mund të rifillosh më pas një jetë të ndershme.

Pranë atyre që i shohin të shkelura të drejtat e tyre

Jam pranë atyre që i shohin të shkelura të drejtat e tyre themelore dhe pranë atyre që janë të përkushtuar për të mirën e përbashkët në përgjigje të thirrjes së të varfërve të Tokës”. Kështu tha akoma Papa Françesku sot në fund të lutjes të Engjëllit të Zotit nga dritarja e Pallatit Apostolik, në Sheshin e Shën Pjetrit, duke kujtuar "me dhimbje" vrasjen e ambientalistit Juan Antonio Lopez në Honduras.

Papa përshëndet Ekuadorin dhe Ditën e të sëmurëve me ataksi

Gjithnjë gjatë lutjes mariane të Engjëllit të Zotit të kësaj së diele Papa përshëndeti, në veçanti, ekuadorianët rezidentë në Romë, të cilët kremtojnë Zojës e Cisnes; korin “Teresa Enríquez de Torrijos” nga Toledo, grupin e familjeve e të fëmijëve nga Sllovakia dhe besimtarët meksikanë. Së fundi, delegacionin e ardhur me rastin e Ditës së të sëmurëve nga ataksi, dhe shoqatën "La Palma" nga Castagnola di Massa

22 shtator 2024, 16:46