Papa, popullit papuan: Zoti është busulla e jetës sonë
R.SH. – Vatikan
Veprimtaria e parë e ditës së tretë të Papës Françesku në Papua Guinenë e Re, pas pritjes zyrtare të kryeministrit në nunciaturën apostolike të Port Moresby-t, ishte mesha e kremtuar në stadiumin, që e merr emrin nga Guvernatori i parë i Përgjithshëm i vendit, Sir John Guise. Ka një kapacitet prej 15 mijë vendesh, por të pranishëm ishin rreth 35 mijë besimtarë, të cilët Ati i Shenjtë i përshëndeti menjëherë me fjalët e profetit Isaia: “Guxim, mos kini frikë!”
Harmonia në larmi
Një podium i bardhë, ku spikatnin ngjyrat e simboleve fisnore, që zbukuronin shtyllat mbi të cilat mbështetej, veshja e gjelbërt e Atit të Shenjtë që ka para syve ngjyrën e verdhë, të kuqe, bezhë të kostumeve me pupla të sa e sa njerëzve, shprehje e "harmonisë në larmi”, që përjetohet në Papua Guinenë e Re. Tingujt e daulleve dhe kënga e ritmuar nga hapat e besimtarëve karakterizuan procesionin, që u ndal pranë altarit të ngritur në stadiumin e mbushur plot, së bashku me hapësirat ngjitur me të. Disa prej tyre e prisnin Papën që nga ora 2 e natës së kaluar, duke marrë pjesë në vigjiljen e lutjes së bashku me disa meshtarë nga kryedioqeza e Port Moresby-t. Atmosfera festive ia la vendin kremtimit të meshës. Leximet bëhen në gjuhën Tok Pisin, një nga më se 820 gjuhët lokale, një përzierje e gjuhës kreole me anglishten, që flitet në pjesën veriore të vendit.
Guxim
Pasardhësi i Pjetrit, 30 vjet pas vizitës së Shën Gjon Palit II në këtë vend, jep një mesazh inkurajimi dhe shprese për këtë "tokë kaq të largët", në Oqeanin Paqësor, ku njeriu mund ta ndiejë vetën të ndarë nga njerëzit dhe nga Zoti, por – siç shpjegoi Papa në homeli – “ju jeni të bashkuar në Shpirtin Shenjt, të bashkuar në Hyjin”.
“Edhe juve, sot, Zoti ju thotë: ‘Guxim, mos ki frikë, popull papuan! Hape zemrën! Hapu për gëzimin e Ungjillit, hapu për takimin me Hyjin, hapu për dashurinë e vëllezërve’. Askush prej nesh të mos mbetet shurdh e memec para kësaj ftese”.
Zemra e bllokuar
Shurdhmemeci në Ungjillin sipas Markut, në liturgjinë e ditës, mund të jetë njeriu i sotëm, sepse nuk është i aftë të dëgjojë dhe të shohë, të konfrontohet me të tjerët, pasi e vetmja pikë referimi është egoja e tij. Papa Françesku e nënvizoi këtë, duke nxitur të shikojmë drejt "periferisë", ku gjejmë njeriun e Dekapolit, përtej Jordanit, larg Zotit e larg njerëzve, "peng i shurdhimit dhe i mutizmit të tij". E Ati i Shenjtë tërheq vëmendjen edhe ndaj një tjetër palëvizshmërie, atë të zemrës:
“Ka një shurdhim të brendshëm dhe një mutizëm të zemrës, që varen nga gjithçka na mbyll brenda vetes, na mbyll për Zotin, na mbyll për të tjerët: egoizmi, indiferenca, frika për të ndërmarrë rreziqe dhe për ta vënë veten në diskutim, inati, urrejtja dhe lista mund të vazhdojë më tej. E gjithë kjo na largon nga Zoti, na largon nga vëllezërit e madje, edhe nga vetja; na largon nga gëzimi i jetës”.
Afërsia
“Kësaj largësie – shpjegon Papa – Zoti i përgjigjet me të kundërtën, me afërsinë e Jezusit”, që bëhet i pranishëm, i gjindshëm.
“Ai është Zoti i afërt, Zoti i dhembshur, që kujdeset për jetën tonë, që i kapërcen të gjitha distancat”.
Busulla
Është Jezusi ai, që shëron mutizmin dhe shurdhimin e njeriut. “Në fakt, kur ndihemi larg, ose zgjedhim distancimin – larg Zotit, larg vëllezërve, larg atyre që janë të ndryshëm nga ne – atëherë – shpjegoi Françesku – mbyllemi, ngremë barrikadën brenda vetes dhe mbetemi shurdh për Fjalën e Hyjit e për britmën e të afërmit, prandaj, të paaftë për të folur me Hyjin e me të afërmin".
“Hape zemrën!” Kjo është gjëja më e rëndësishme: hapja e zemrës për Zotin, hapja për vëllezërit, hapja për Ungjillin dhe shndërrimi i tij në busullën e jetës sonë”.
Papa përmendi përvojën jetësore të të Lumit Giovanni Mazzucconi, misionar PIME (Instituti Papnor i Misioneve të Jashtme), vrarë nga urrejtja për fenë me një goditje sëpate. Rregulltar, i cili “pavarësisht nga vështirësitë e armiqësitë, solli Krishtin mes jush, që askush të mos mbetet i shurdhër ndaj Mesazhit të gëzueshëm të shëlbimit dhe të gjithë të mund të shpengojnë gjuhën për t’i kënduar dashurisë së Zotit".
Një Kishë që falënderon misionarët
Në fund të meshës, kardinali John Ribat, kryeipeshkëv i Port Moresby-t, kujtoi martirët e shumtë, që dhanë jetën për Kishën në Papua Guinenë e Re. “Ka pasur çaste shumë të vështira, me dhunë, vrasje, shkatërrim dhe fatkeqësi natyrore – pohoi ai – të cilat kanë shkaktuar humbje jetësh njerëzore. Lutemi gjithmonë për paqe, përparim, shërim dhe bekime”. Së fundi, falënderoi Papën për vizitën e tij, e cila sjell pikërisht "bekime, paqe, inkurajim dhe na përforcon në fe" në bashkim me Kishën e Romës. Kujtojmë se Papua Guinea e Re është vend me më se 95% të popullsisë së krishterë, prej së cilës rreth 26% janë katolikë.