Kërko

Papa, të kujdesemi për njerëzit në vende të degraduara

Françesku priti në audiencë pjesëmarrësit të projektit "Roje të së Bukurës" të promovuar nga Konferenca Episkopale Italiane (CEI), që ka si synim për të mbrojtur dinjitetin e grupeve më të brishta shoqërore, në vende të degraduara. "Mos u lodheni duke e shndërruar shëmtinë në bukuri, degradimin në mundësi, çrregullimin në harmoni".

R.SH. - Vatikan

Projekti "Kujdestarë të së Bukurës", promovuar nga Konferenca Episkopale e Kishës Katolike Italiane, është "një mesazh i rëndësishëm për komunitetin kishtar e për mbarë shoqërinë" dhe për këtë Papa Françesku, në audiencën e sotme të mbajtur në sallën Klementine të Pallatit Apostolik, falënderoi përzemërsisht të gjitha ata që përmes këtij projekti çojnë përpara shumë vepra të mira në zona të degraduara. Nisma përfshin të varfërit, të papunët, emigrantët dhe përfituesit e të ardhurave të qytetarëve në qytete të ndryshme italiane, duke i bashkërenduar ata në ekipe pune për kujdesin e vendeve publike, si rrugë, sheshe, parqe, kopshte dhe monumente. Këta janë njerëz në vështirësi ose të margjinalizuar që paguhen, pas një kursi trajnimi dhe takimi me kompanitë vendase që kërkojnë punëtorë.

Vëmendje dhe kujdes

Për Papën, të jesh "kujdestar i së bukurës" është më shumë "një mënyrë e të qenurit, një stil" jete, sepse të "ruash do të thotë të mbrosh, të kujdesesh, të mbikëqyrësh", pra, të kesh "vëmendje dhe kujdes" duke u nisur "nga vetëdija e vlerës së kujtdo dhe të gjithçkaje që na është besuar”. E kjo kërkon të mos kesh “frikë të shpenzosh kohën, të pjesë pjesë e nismave, të marrësh përgjegjësi”, duke punuar “për  të mirën personale dhe komunitare” të të gjithëve.

Secili me aftësitë dhe kompetencat e veta, me inteligjencë dhe zemër, mund të bëjë diçka për të mbrojtur gjërat, të tjerët, shtëpinë e përbashkët, në një perspektivë të kujdesit integral të krijimit.

Duhen vendime që synojnë të mirën e të gjithëve

Në botën e sotme, të varfërit "kërkojnë urgjentisht vendime serioze dhe efikase që synojnë të promimin e së mirës së të gjithëve", vëren Papa Françesku, duke shtuar se duhet të hapemi ndaj një perspektive integrale.

Sot ka shumë njerëz të mënjanuar, të flakur, të harruar në një shoqëri gjithnjë e më efikase dhe të pamëshirshme: të varfërit, emigrantët, të moshuarit dhe të paaftët, të sëmurët kronikë janë lënë vetëm. E pra, secili është i çmuar në sytë e Zotit. Kjo është arsyeja pse rekomandoj që, në punën tuaj për të zhvilluar e kualifikuar shumë vende të lënë pas dore dhe të degraduara, kini gjithmonë si objektiv tuaj kryesor mbrojtjen e njerëzve që jetojnë në zona të degraduara dhe t'i frekuentoni ata. Vetëm në këtë mënyrë do t'i ktheni bukurinë krijimit.

Bukuria në çdo krijesë

Për sa i përket bukurisë, e cila duhet ruajtur, Papa vëren se “sot flitet shumë për të, deri në atë pikë sa të bëhet një obsesion”, që shpesh shihet “në mënyrë të shtrembëruar, duke e ngatërruar me modele estetike kalimtare dhe masive, më shumë të lidhura me hedonizmin, tregun dhe reklamimin sesa me zhvillimin integral të njerëzve”. Për Françeskun, një qasje e tillë "është e dëmshme, sepse nuk ndihmon më të lulëzojë e mira te secili, por çon në degradimin e njeriut dhe të natyrës".

Duhet të kultivojmë të bukurën si diçka unike dhe të shenjtë për çdo krijesë, që është e menduar, e dashur dhe e kremtuar nga Zoti që nga origjina e botës si një unitet i pandashëm i hirit dhe mirësisë, i përsosmërisë estetike dhe morale. Ky është misioni juaj; prandaj ju inkurajoj, si bashkëpunëtorë në planin madhështor të Krijuesit, të mos lodheni duke e shndërruar shëmtinë në bukuri, degradimin në mundësi, çrregullimin në harmoni.

30 shtator 2024, 12:44