Bambini rifugiati in una scuola in Sudafrica Bambini rifugiati in una scuola in Sudafrica

Papa, ‘një shoqëri më e arsimuar është edhe më paqësore’

Në mesazhin e nënshkruar nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, Kardinali Parolin për Ditën Ndërkombëtare të Shkrim-leximit të UNESCO-s, e cila këtë vit mbahet në Yaoundé, kryeqytet i Kamerunit, më 9 dhe 10 shtator, Françesku nënvizon se si gjuha është një mjet themelor i komunikimit midis individëve dhe popujve të aftë për të nxitur dialogun e bashkëpunimin.

R.SH. – Vatikan

Papa “inkurajon përgjegjësit politikë, punonjësit e arsimit dhe publikun e gjerë që të vlerësojnë rëndësinë e shkrim-leximit për të ndërtuar kështu një shoqëri më të arsimuar, vëllazërore, solidare dhe paqësore". Kështu thuhet në mesazhin dërguar UNESCO-s nga Sekretari i Shtetit të Vatikanit, kardinali Pietro Parolin në emër të Papa Françeskut.

Vlerësimi i rezultateve të arritura në luftën kundër analfabetizmit dhe inkurajimi i të gjithë njerëzve dhe institucioneve të angazhuara në shërbimin e çmuar të arsimit gjatë gjithë jetës: ky është një nga objektivat që Papa Françesku thekson në mesazhin e tij me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Alfabetizmit 2024, e cila e promovuar nga UNESCO që nga viti 1967, kremtohet çdo vit më 8 shtator në mbarë botën, duke nxjerrë në pah rëndësinë e leximit për individët, komunitetet dhe shoqëritë.

Në vitin 2024, vendi për kremtimin e kësaj dite, në program më 9 e 10 shtator, u zgjodh Yaoundé, kryeqyteti i Kamerunit, ndërsa tema e përcaktuar nga UNESCO, në bashkëpunim të ngushtë me qeverinë e Kamerunit, është "Promovimi i arsimit shumëgjuhësh: shkrim-leximi për mirëkuptim të ndërsjellë dhe paqe".

Shumëgjuhësia për të inkurajuar dialogun, dëgjimin dhe ndërmjetësimin

Ati i Shenjtë Françesku na fton të reflektojmë mbi kontributin që sjell shkrim-leximi për bashkimin dhe nxitjen e mirëkuptimit të ndërsjellë të njerëzve: “Një rast i voltishëm ky për Selinë e Shenjtë që të ripërtërijë vlerësimin për rolin e luajtur nga UNESCO në promovimin e diversitetit gjuhësor dhe kulturor, pa harruar atë të shumëgjuhësisë”. Shumëgjuhësia, në veçanti, njihet si "një faktor që nxit zhvillimin personal, veçanërisht në aspektin e fleksibilitetit mendor, hapjes dhe përshtatjes me realitetet e tjera kulturore, por edhe për aftësinë për të inkurajuar dialogun, dëgjimin dhe ndërmjetësimin".

Ndihmojini udhëheqësit të jenë shumëgjuhësh

Sipas Papës, poliglotët, d.m.th ata që dinë të kuptojnë dhe flasin shumë gjuhë, shpesh kërkohen edhe sepse "ata shpesh kanë aftësi më të mira analitike, aftësi më të mëdha komunikimi dhe aftësi më të mira njohëse", për më tepër ata janë "më të gatshëm të vlerësojnë pasurinë e kulturave të tjera, madje shumë të largëta nga ato të tyre”. Në lidhje me këtë, Papa citon fjalët e Nelson Mandelës: “Nëse i flet një njeriu në një gjuhë që ai e kupton, i flet kokës. Nëse i flisni në gjuhën e tij, i flisni zemrës së tij”.

Gjuha si mjet themelor i komunikimit

Duke inkurajuar liderët politikë dhe të gjithë që të vlerësojnë "rëndësinë e shkrim-leximit për të ndërtuar një shoqëri më të shkolluar, vëllazërore, solidare dhe paqësore", Papa Françesku kujton se si gjuha është një mjet themelor në komunikimin midis individëve dhe popujve: "T’i ndihmosh njerëzit dhe liderët e ardhshëm të familjarizohen me gjuhë të shumta, do të thotë t'i japësh njerëzimit tonë urë-ndërtues, të aftë për të kapërcyer paragjykimet, dallimet, antagonizmat dhe polarizimet për të favorizuar, kështu, dialogun dhe takimin; do të thotë t'i japësh botës sonë njerëz që dinë t’i flasin mendjes, por edhe zemrës së bashkëbiseduesve të tyre, qofshin ata partnerë apo kundërshtarë”.

09 shtator 2024, 12:46