Papa Kishës së Luksemburgut: shërbimi, misioni dhe gëzimi janë zemra e Ungjillit
R.SH. / Vatikan
"Fryma e Ungjillit është frymë e mikpritjes, e hapjes ndaj të gjithëve dhe nuk pranon asnjë lloj përjashtimi". Këtë e ripohoi Papa, në fjalimin e tij të dytë publik në Luksemburg, mbajtur në Katedralen Notre-Dame dhe drejtuar komunitetit Katolik të vendit. Pra, ngjarja e dytë dhe e fundit e vizitës së Papës sot në Luksemburg ishte takimi me komunitetin katolik të vendit, në përkim me Jubileun e rëndësishëm kushtuar Zojës Bekuar, e cila, që katër shekuj, kujtohet dhe nderohet nga Kisha e Luksemburgut me titullin ‘Maria, Ngushëllimi i të vuajturve’.
"Ju inkurajoj t'i qëndroni besnikë kësaj trashëgimie, duke vazhduar ta bëni vendin tuaj shtëpi mikpritëse për këdo që troket në derën tuaj duke kërkuar ndihmë dhe strehim", kjo ftesa për një vend si Luksemburgu që "ka dhe mban gjallë një traditë shekullore" në fushën e mikpritjes, që: "është detyrë e drejtësisë e më parë se të jetë detyrë e bamirësisë, sikur pati thënë Shën Gjon Pali II duke kujtuar rrënjët e krishtera të kulturës evropiane. Papa Wojtila inkurajonte Luksemburgasit dhe të rinj të gjurmonin udhë të reja për një Evropë jo vetëm të mallrave dhe të të mirave materiale, por të vlerave, të njerëzve dhe zemrave, në të cilën të bashkëndahet Ungjilli në fjalën e kumtit dhe në shenjat e dashurisë. Një Evropë dhe një botë, në të cilën Ungjilli bashkëndahet në fjalën e shpalljes së bashku me shenjat e dashurisë", tha Papa.
Fjalimin e tij drejtuar besimtarëve katolike të Lumburgut, sot pasdite në Kishën KatedraleNotre-Dame, Papa Bergoglio e filloi pikërisht nga motoja e këtij shtegtimi apostolik "Pour servir" (Për të shërbyer), që i referohet Krishtit, i cili erdhi "jo për t'u shërbyer, por për të shërbyer". “Kështu, tha Papa, sipas shembullit të Mësuesit të saj, edhe Kisha është e thirrur të jetë në shërbim të njerëzimit.
Ngushëllimi dhe shërbimi, në fakt, janë dy aspekte themelore të dashurisë që Jezusi na ka dhënë, të cilën ai na e ka besuar si mision (shih Gjoni 13:13-17) dhe na ka treguar si të vetmen rrugë të gëzimit të plotë (krh Veprat e Apostujve 20, 35). Më pas Papa reflektoi mbi këto tre fjalë: shërbim, mision dhe gëzim.
Para së gjithash shërbimi. Dëgjuam se u tha se Kisha e Luksemburgut dëshiron të jetë "Kisha e Jezu Krishtit, i cili nuk erdhi për t'i shërbyer, por për të shërbyer" (shih Mt 20,28; Mk 10,45). Po, fryma e Ungjillit është frymë e mikpritjes, e hapjes ndaj të gjithëve dhe nuk lejon asnjë lloj përjashtimi (shih Nxitja Apostolike Evangelii gaudium, 47). Papa, prandaj, e inkurajon Kishën t'i qëndrojë besnik kësaj trashëgimie, duke vazhduar ta “bëjë vendin një shtëpi mikpritëse për këdo që troket në derën tuaj duke kërkuar ndihmë dhe strehim”.
Tema e dytë që Papa trajtoi është: misioni. Misioni i një Kishe, në një shoqëri të shekullarizuar, që zhvillohet, piqet, rritet. Kisha nuk duhet të tërhiqet në vetvete, të dorëzohet, të inatoset, përkundrazi, duhet të pranojë sfidën, në besnikëri ndaj vlerave të të gjitha kohërave, për të rizbuluar dhe rivlerësuar mënyrat e ungjillëzimit në një mënyrë të re, duke kaluar gjithnjë e më shumë nga një qasje e thjeshtë e kujdesit baritor në atë të shpalljes misionare, për t'i treguar të gjithëve bukurinë e Ungjillit.
Dhe kështu vijmë te fjala tretë, tha Papa: gëzimi. Feja jonë është e tillë: është e gëzueshme, “vallëzuese”, sepse na thotë se jemi bij të një Zoti që është mik i njeriut, që na do të lumtur e të bashkuar dhe se për asgjë tjetër nuk është më i lumtur se sa për shpëtimin tonë (shih Luka 15, 4-32);
Lidhur me këtë, dëshiroj ta mbyll duke kujtuar një traditë tjetër të bukur të vendit tuaj, për të cilën kanë më folur: Springprozession - Procesioni pranveror - që zhvillohet në Echternach në Rrëshajë, në kujtim të punës së palodhur misionare të Shën Willibrord, ungjillëzuesi i këtyre tokave.
I gjithë qyteti derdhet duke përshkuar rrugë e sheshe, së bashku me shumë shtegtarë e vizitorë që vijnë, dhe procesioni bëhet një lum i madh, një valë e madhe, unike. Të rinj e të vjetër, të gjithë ecin së bashku drejt Katedrales - këtë vit edhe nën shi, mësova - duke dëshmuar me entuziazëm, në kujtim të Bariut të shenjtë, sa bukur është të ecim së bashku dhe të gjejmë veten të gjithë si vëllezër rreth tryezës së Zotit tonë.
Të dashura motra, të dashur vëllezër, misioni që Zoti na beson është i bukur, të ngushëllojmë dhe të shërbejmë, duke ndjekur shembullin e Shën Marisë e duke kërkuar ndihmës e saj. Faleminderit për punën që bëni, si dhe për ndihmën bujare që keni dashur të bashkëndani me ata njerëz që janë në nevojë. Ju bekoj dhe lutem për ju. E edhe ju, lutuni për mua.