Papa: të gjithë të krishterët të kremtojnë Pashkët në të njëjtën ditë

Në vitin 2025 festa e Pashkës së Ngjalljes do të përkojë në të njëjtën datë për katolikët dhe ortodoksët, të cilët ndjekin përkatësisht kalendarin Gregorian dhe Julian. Do të kujtojmë gjithashtu 1700-vjetorin e Koncilit Ekumenik të Nikesë, gjatë të cilit u shpall Simboli i fesë (Besojma e fesë) dhe u trajtua tema e datës së Pashkëve. Festa e përbashkët e Pashkës të mos jetë më përjashtim, por të bëhet normalitet, është ftesa e Françeskut gjatë audiencës me grupin Pashkët Together 2025

R.SH. – Vatikan

Viti 2025 do të jetë një vit i veçantë, sepse Pashkët, në dy kalendarët e ndryshëm të përdorur nga katolikët, ai gregorian- ndër të tjera katolikët në vitin 2025 do të përjetojnë jubileun e zakonshëm - dhe ortodoksët, ai julian, do të bien në të njëjtën ditë, dhe për rrjedhojë kremtimi i Pashkës "do të jetë i përbashkët për të gjithë të krishterët” e botës. Për më tepër, më 2025 do të përkujtohen 1700-vjetori i Koncilit të parë Ekumenik i Kishës, që u mbajt në Nike, "i cili, përveç shpalljes së Simbolit të fesë (Besojmës së fesë), trajtoi edhe temën e datës së Pashkëve, për shkak të traditave të ndryshme të krishtera që ekzistonin tashmë në atë kohë". Ky është një “rast i rëndësishëm”, i cili “nuk duhet të lejohet të kalojë kot”, rekomandoi Papa Françesku Grupin ‘Pashkët së Bashku 2025’ (Together 2025) të cilin e priti sot paradite në audiencë.

Këmbëngulni në kërkimin e bashkimit të mundshëm

Grupi ‘Pashkët së Bashku 2025’ bashkon realitete dhe komunitete të rrëfimeve të ndryshme të krishtera me synimin për t’i ftuar Kishat të kremtojnë Pashkët në një datë të përbashkët, për t'u përgatitur, kështu, për Mijëvjeçarin e dytë të historisë së Shëlbimit, në vitin 2033 dhe për të promovuar nisma të tjera të ngjashme. Papa u tha anëtarëve të grupit ‘Pashkët së Bashku 2025‘ se “bërë disa herë i është thirrja për të kërkuar një zgjidhje” në lidhje me datën e Pashkëve “në mënyrë që kremtimi i përbashkët i ditës së Ngjalljes së Jezu Krishtit të mos jetë më përjashtim, por të bëhet normalitet”. Prandaj, tha Papa, inkurajoi "ata që po angazhohen në këtë rrugë të ngulmojnë dhe të bëjnë çdo përpjekje në kërkimin e bashkimit të mundshëm, duke shmangur gjithçka që mund të çojë në përçarje të mëtejshme ndërmjet vëllezërve".

Pashka është e Krishtit

Papa Bergolio nënvizon se "Pashka nuk ndodh me iniciativën tonë apo me një kalendar apo një tjetër" dhe shpjegoi kuptimin e Ngjalljes së Krishtit.

Ngjarja e Pashkëve ndodhi sepse Zoti "e deshi aq shumë botën, sa dha Birin e tij të vetëlindurin, Jezusin, që kushdo që beson në Të të mos humbasë, por të ketë jetën e përjetshme". Të mos harrojmë epërsinë e Zotit, “primatin” dhe nismën e tij, që ka bërë hapin e parë drejt njerëzimit. Të mos mbyllemi në skemat tona, në projektet tona, në kalendarët tanë, në Pashkët “tona”. Pashka i përket Krishtit!

Projekti së bashku si dishepuj të Jezusit

Ne duhet të kërkojmë "hirin për të qenë gjithnjë e më shumë" dishepuj të Krishtit, pohoi Papa në fjalën e tij, "duke e lënë Atë të na tregojë udhën që duhet të ndjekim dhe duke pranuar me përulësi ftesën e bërë një ditë Pjetrit, për të ecur "gjurmëve të tij dhe jo të mendojë sipas njerëzve, por sipas Hyjit”.

Prandaj të reflektojmë, të bashkëndajmë dhe të programojmë së bashku, duke e pasur Atë përpara nesh, përherë mirënjohës për thirrjen që na ka drejtuar dhe të etur për t'u bërë, në unitet, dëshmitarë të Tij, që bota të besojë.

Të nisemi sërish si apostujt nga Jeruzalemi

Duhet “të ecim së bashku”, përfundoi Papa Françesku, dhe për këtë do të ishte me vend që të “fillonim sërish, si apostujt, nga Jeruzalemi, vendi nga i cili vetë shpallja e Ngjalljes së Jezu Krishtit u përhap në mbarë botën”. Aty, nxiti Papa, duhet të kthehemi "për t'iu lutur Princit të Paqes që ai të na japë paqen e tij sot".

19 shtator 2024, 11:23