Papa timorezëve: “jeni vend i ri, me shumë fëmijë, dhurata të ndritshme të Zotit”

Papa kremtoi Meshën në prani të 600 mijë besimtarëve dhe foli për madhështinë e Zotit që bëhet fëmijë për ne. Kujtoi Marinë Virgjër, që zgjedh vogëlsinë e përvujtërinë, pa iu dorëzuar krenarisë. Në predikimin e Meshës së kremtuar në Taçi Tolu në Dili, Françesku fton të shohim butësinë dhe thjeshtësinë e fëmijëve: nëpërmjet tyre Zoti afrohet, por kujdes nga "krokodilat që duan të ndryshojnë kulturën dhe historinë tuaj"

R.SH. / Vatikan

“Të hapemi ndaj dashurisë së Atit dhe të formohemi prej saj, në mënyrë që ajo të shërojë plagët tona, të pajtojë mosmarrëveshjet tona, të rivendosë rendin në jetën tonë”. Kjo është ftesa e Papës, në Meshën e kryesuar në fushën Taci Tolu, në Dili, në kulmin e ditës së dytë të qëndrimit të tij në Timorin-Lindor, etapa e tretë - pas Singaporit dhe Papua Guinesë së Re - e udhëtimit apostolik në Azi dhe Oqeani.

600 mijë besimtarë morën pjesë në Meshën solemne që Papa kryesoi sot në Taci Tolu, në Dili. Papa Françesku, i cili më herët, kur u takua me ipeshkvijtë e klerin e Timorit Lindor, i paralajmëroi të mos "përfitonin nga roli i tyre" dhe të mos dorëzohen para tundimit të pushtetit, për të qenë gjithmonë "mbarështues të dhembshurisë dhe shenjë e mëshirës së Zotit", iu drejtua besimtarëve duke t'i ftuar të ruhen nga pasuritë kalimtare.

Gjatë homelisë Papa shpjegoi Ungjillin e ditës dhe foli për Jerusalemin, i cili kalonte «një moment të begatë, por, për fat të keq, karakterizohej edhe nga një dekadencë e madhe morale. Ka aq shumë pasuri”, tha Papa, “por pasuria i verbon të fuqishmit, i mashtron të mendojnë se u mjafton vetja, se nuk kanë nevojë për Zotin, dhe supozimi i tyre i bën ata të jenë egoistë dhe të padrejtë. Për këtë arsye, edhe nëse ka shumë pasuri, të varfrit braktisen dhe vuajnë nga uria, pabesia është e shfrenuar dhe praktika fetare reduktohet gjithnjë e më shumë në një formalitet të jashtëm. Kjo është fytyra mashtruese e një bote që është e përsosur në shikim të parë, por fsheh një realitet shumë më të errët dhe më të trishtuar, më të ashpër, mizor, në të cilin ka një nevojë të madhe për kthesë, mëshirë dhe shërim".

Kështu ndodh edhe sot. Papa, i cili foli spanjisht në një vend ku gjuha zyrtare është ajo portugeze, nënvizoi gjatë homelisë se, ashtu si Isaia profet flet për lindjen e Jezusit, duke hapur «një horizont të ri për bashkëqytetarët e tij, për një të ardhme me shpresë e gëzim, ku shtypja dhe lufta do të dëbohen përgjithmonë”, edhe ne, kur lind një fëmijë, përjetojmë “një moment të ndritshëm gëzimi dhe feste, që ushqen tek të gjithë dëshira të mira, ripërtëritje, shpresë, rikthim në pastërti dhe thjeshtësi”.

Zemra ngrohet, shpresa dhe dëshira për të ëndërruar kthehen sërish. “Brishtësia e një fëmije sjell me vete një mesazh kaq të fortë sa prek edhe shpirtrat më të ngurtësuar, duke sjellë synime e madje edhe zgjidhje harmonie e qetësie. Është e mrekullueshme ajo që ndodh me lindjen e një fëmije!”, tha akoma Françesku në homelinë e Meshës së sotme, kremtuar në Dili me Kishën e Timorit Lindor. Lindja e një fëmije na zbulon dashurinë e Zotit. “Jo vetëm kaq, por në Krishtin vetë Zoti u bë njeri, fëmijë, për të qenë pranë nesh dhe për të na shpëtuar. Ftesa, pra, përballë këtij misteri të Zotit, nuk është vetëm për t’u mahnitur dhe për t’u ngashëryer, por edhe për t’u hapur ndaj dashurisë së Atit tonë në Qiell, për t'u formuar prej tij, në mënyrë që feja në Zotin e Mishëruar t’i shërojë plagët tona, të pajtojë mosmarrëveshjet tona, të rivendosë rendin në ekzistencën tonë, të bëhet themel i vërtetë i jetës sonë personale dhe komunitare, në të gjitha nivelet”.

Papa kujtoi sa i ri është ky vend, sa fëmijë ka në Timorin Lindor, sa energji jep kjo prani tyre. Është vërtet dhuratë, shenjë, «sepse t’u bësh vend të vegjëlve, t'i mirëpresësh, të kujdesesh për ta e, madje, të bëhemi edhe ne, të gjithë, të vegjël përpara Zotit dhe njëri-tjetrit, është qëndrim, që na hap ndaj veprimit të Zotit. Duke e bërë veten të vogël, ne e lejojmë Zotin e Gjithëpushtetshëm të bëjë gjëra të mëdha në ne, sipas masës së dashurisë së tij hyjnore, siç na mëson Maria Virgjër në këngën e Madhërimit, e edhe në këtë kremtim" kaq të bukur e prekës.

Në këtë kremtim të Meshës, pohoi Papa Françesku, Zoja Mari festohet si mbretëreshë, sepse ajo është nëna e Jezusit që është mbret, por ne e kujtojmë atë edhe si "një nënë të re, të brishtë dhe të varfër", e cila megjithatë i tha "po" Zotit. Maria, na kujton Ungjilli, nuk iu dorëzua krenarisë, por "zgjodhi të mbetej e vogël gjatë gjithë jetës së saj, ose më mirë të bëhej gjithnjë e më e vogël, duke shërbyer, duke u lutur, duke u zhdukur për t'i bërë vend Jezusit, edhe kur kjo i kushtoi shumë, madje kur ajo nuk kuptonte vërtet gjithçka që po ndodhte rreth saj".

Prandaj, duke ndjekur shembullin e Marisë Virgjër, nuk duhet të kemi "frikë të bëhemi të vegjël përpara Zotit dhe njëri para tjetrit, të humbasim jetën, të dhurojmë kohën, të rishikojmë programet tona, të heqim dorë nga diçka, në mënyrë që një vëlla apo një motër të ndihet më mirë dhe të jetë i lumtur. Ne nuk kemi frikë t’i rishikojmë projektet tona kur është e nevojshme, jo për t'i pakësuar ato, por për t'i bërë edhe më të bukura përmes dhuratës së vetvetes dhe mirëpritjes së të tjerëve, me të gjitha të papriturat që sjell kjo. Sepse mbretëria e vërtetë u përket atyre, që japin jetën për dashuri: si Maria Virgjër dhe si Jezusi, i cili dha gjithçka në kryq, duke u bërë i vogël, i pambrojtur, i dobët për t'i lënë vend secilit prej nesh në Mbretërinë e Atit".

Në vazhdim të homelisë Papa shpjegoi edhe dy stoli tradicionale, që veshin njerëzit e Timorit Lindor, Kaibauk dhe Belak. “Të dyja janë prej metali të çmuar. Do të thotë se ato janë të rëndësishme!"

Njëra, që vendoset në kokë, por edhe në kulmin e shtëpive, simbolizon «brirët e buallit dhe dritën e diellit, dhe vendoset lart, si stoli e ballit, si dhe në majat e shtëpive, përmes formës së çatisë. Ky simbol flet për forcën, energjinë dhe ngrohtësinë, dhe përfaqëson fuqinë e Zotit, që dhuron jetën. Por jo vetëm kaq: e vendosur në nivelin e kokës, në fakt, dhe në kulmin e shtëpive, na kujton se, me dritën e Fjalës së Zotit dhe me forcën e hirit të tij, edhe ne mund të bashkëpunojmë me veprimet tona në realizimin e planit të madh të shpëtimit".

Simboli tjetër i Timorit Lindor, Belaku, «që vihet në gjoks, është plotësues i të parit. Kujton dritën delikate të hënës, e cila pasqyron me përvujtëri dritën e diellit gjatë natës, duke mbështjellë gjithçka me një fluoreshencë të lehtë. Flet për paqen, pjellorinë e ëmbëlsinë dhe simbolizon butësinë e nënës, e cila me shprehjet delikate të dashurisë së saj e bën atë që prek të shkëlqejë me të njëjtën dritë që merr nga Zoti". Së bashku, pra, Kaibauk dhe Belak janë "forca dhe butësia e Atit dhe e Nënës: kështu Zoti e bën të dukshme mbretërinë e tij, që përbëhet nga dashuria dhe mëshira".

10 shtator 2024, 13:14