Kërko

Kardinajtë dhe Papa Françesku Kardinajtë dhe Papa Françesku

Papa u shkruan kardinajve: objektivi i deficitit zero, reduktimi i kostove dhe shmangia e teprimeve

Letër e Françeskut drejtuar Kolegjit të Kardinajve, me të cilën u kërkon "një përpjekje të mëtejshme" për zbatimin e reformës ekonomike të Selisë së Shenjtë: "Zgjidhni me kujdes përparësitë, duke favorizuar bashkëpunimin dhe sinergjitë. Çdo institucion të punojë për të gjetur burime të jashtme për misionin e tij". Papa u kërkon subjekteve, që kanë teprica, të "kontribuojnë për mbulimin e deficitit të përgjithshëm", sipas modelit të solidaritetit të familjeve të mira

R.SH. – Vatikan

“Deficit zero”: jo ndonjë objektiv teorik, por qëllim i “realizueshëm”. Për këtë, duhen gjetur "burime a fonde të jashtme" për misionin e çdo zyre dhe Dikasteri, duhet vënë në jetë një "administrim transparent dhe i përgjegjshëm, në shërbim të Kishës", duhen shmangur tepritë, duhen zgjedhur përparësitë, duhet kontribuar – sidomos ata që kanë teprica - për të mbuluar deficitin e përgjithshëm, duhen administruar burimet ekonomike me rigorozitet dhe seriozitet, duke ndjekur modelin e “familjeve të mira”. Papa i dërgon një letër Kolegjit të Kardinajve, në të cilën përvijon rrugët për të zbatuar akoma më shumë dhe më mirë reformën ekonomike, e cila ishte një nga temat kryesore të Mbledhjeve të Përgjithshme para Konklavit, si dhe ndër objektivat e "procesit të transformimit", që filloi me reformën e Kuries Romake, përmes kushtetutës apostolike “Predicate Evangelium”.

Përkushtim dhe përpjekje

Në dokumentin e nënshkruar më 16 shtator, por të publikuar sot, 20 shtator, Françesku shkruan se ai e kupton "përkushtimin" dhe "përpjekjen" e grave dhe të burrave të impenjuar që t’i përshtaten kësaj lëvizjeje rinovimi, e cila, "megjithë vështirësitë dhe herë-herë, tundimin e palëvizshmërisë dhe të ngurtësisë para ndryshimit”, ka dhënë shumë rezultate vitet e fundit. “Faleminderit për ndihmën, që keni dhënë dhe vazhdoni të jepni”, shkruan Ati i Shenjtë.

Rigoroziteti dhe serioziteti

Njëkohësisht, Papa pranon se kërkesat për reforma, të nxitura në të kaluarën nga shumë anëtarë të Kolegjit të Kardinajve, kanë qenë "largpamëse" dhe kanë mundësuar "krijimin e një vetëdijeje më të madhe për faktin se burimet ekonomike në shërbim të misionit janë të kufizuara dhe duhen administruar me rigorozitet dhe seriozitet, në mënyrë që përpjekjet e atyre, që kanë kontribuar në trashëgiminë e Selisë së Shenjtë, të mos shkojnë dëm”.

Fonde të jashtme e administrim familjar

Ati i Shenjtë nënvizon se duhet bërë një përpjekje e përgjithshme, që Vatikani të arrijë në “deficit zero”, duke ndjekur “politika etike, që mundësojnë përmirësimin e rendimentit ekonomik të pasurisë ekzistuese”. Ai e këshillon çdo institucion të Selisë së Shenjtë të gjejë fonde të jashtme për misionin e vet, duke i administruar ato me transparencë dhe përgjegjësi, duke reduktuar kostot e duke shmangur tepritë. Papa përmend “solidaritetin e familjeve të mira”, për t’u marrë si shembull. “Ashtu si në këto familje, ata, që kanë gjendje të mirë ekonomike, u vijnë në ndihmë anëtarëve më në nevojë, organizatat që kanë teprica duhet të kontribuojnë në mbulimin e deficitit të përgjithshëm”. Françesku i fton kardinajtë ta marrin këtë mesazh “me guxim, me frymë shërbimi, duke mbështetur me bindje, besnikëri e bujari reformat në vijim” e duke vënë në dispozicion të tyre gjithë njohuritë dhe përvojën. “Bashkëpunimi i përnjëmendtë – shkruhet në fund të letrës – dhe bashkëpunimi drejt një qëllimi të vetëm, së mirës së Kishës, është kërkesë themelore e shërbimit tonë”.

20 shtator 2024, 14:39