Kërko

Festa e Papës me fëmijët me aftësi të kufizuara dhe të varfër të Port Moresby: "Askush nuk është barrë"

Françesku takohet me fëmijët e rrugës dhe fëmijët me aftësi të kufizuara në Papua Guinenë e Re dhe u kujton atyre se të gjithë janë të ndryshëm sepse të tillë na ka krijuar Zoti. Nuk ka rëndësi për kufijtë, për gjërat që dimë të bëjmë më mirë dhe ose për gjërat me të cilat mundohemi e lodhemi shumë ose nuk mund t'i bëjmë kurrë. Ajo që përcakton lumturinë tonë është dashuria që ne vendosim në çdo gjë që bëjmë, japim dhe marrim.

R.SH. / Vatikan

Papa Françesku vizitoi sot Caritas Technical Secondary School në Port Moresby, shkollën e vajzave themeluar nga Motrat e Bamirësisë së Jezusit në vitin 1995. Këtu Papa vizitoi fëmijët për të cilët kujdesen Callan Services dhe Street Ministry, përkatësisht ofruesi më i madh i shërbimeve për fëmijët dhe të rriturit me aftësi të kufizuara në Papua Guinenë e Re, dhe një organizatë joqeveritare e themeluar nga Kryedioqeza e Port Moresby në 2010 për të ndihmuar dhe arsimuar fëmijët e rrugës.

Papa u prit, në stadiumin e brendshëm të Caritas Technical Secondary School, nga Kryeipeshkvi Kardinal i Port Moresby, John Ribat, Eprorja e komunitetit të Motrave të Bamirësisë së Jezusit dhe Drejtoresha e shkollës.

Dy fëmijë, me veshje tradicionale, i ofruan lule Atit të Shenjtë në shenjë të mirëseardhjes, të cilët i përshëndeti me përzemërsi atërore e më pas, përshkoi në nefin qendror, ndërsa kori këndonte një këngë, kaloi në mesin e fëmijëve dhe të nxënësve të shkollës (rreth 900) e zuri vendin e përgatitur në skenën e stadiumit. Një festë përtej çdo pritshmërie me këngë dhe valle tradicionale, kore, dhurata dhe duartrokitje.

Pyetje vendimtare

Momente të hareshme, si gjithmonë, ndërmjet emocionit dhe entuziazmit; edhe për vetë Papën, i cili dukej thuajse i befasuar nga një pritje kaq e zhurmshme dhe e hareshme, duke lëvizur kokën nga njëra anë në tjetrën, duke mos ditur se ku të shikonte më parë: qoftë tek fëmijët pas kordonit, qoftë te kori i vajzave në të dy anët e stadiumit, tek vendasit e vegjël gjysmë të zhveshur që e prisnin duke kërcyer në fund të rreshtit.

Vallet vazhduan në shenjë nderimi për Papën edhe pas përshëndetjes së kardinalit Ribat dhe dy pyetjeve nga një mysafir i vogël nga Callan Services dhe një nga Street Ministry. Një vajzë pyeti pse disa nga bashkëmoshatarët e tij kishin aftësi të kufizuara dhe nëse kishte shpresë për ta; ajo e pyeti Pasardhësin e Pjetrit për fatin e tyre si vagabondë të vegjël, që shpesh janë një "barrë për të tjerët": "Pse nuk kemi mundësi të jetojmë si fëmijët e tjerë dhe si mund ta bëjmë veten të dobishëm për ta bërë botën tonë më të bukur dhe më të lumtur, megjithëse jetojmë në braktisje dhe varfëri?”.

Shpresë dhe paqe për të gjithë

Nga atmosfera e hareshme e konfuzioni fillestar ra heshtja në auditorin e madh përballë pyetjeve kaq të dhimbshme të fëmijëve as 10 vjeç, që tashmë duket se mbajnë mbi supe peshën e botës. Pritja e hareshme u ndërpre vetëm nga britmat e pakontrolluara të një vajze të re me aftësi të kufizuara.

Në fjalën e tij të shkurtër, Papa Françesku e nisi nga pyetjet: “Disa nga ju më pyetën: “Pse nuk jam si të tjerët?”. Në të vërtetë në këtë pyetje më vjen vetëm një përgjigje dhe ajo është: 'Sepse asnjëri prej nesh nuk është si të tjerët: sepse të gjithë jemi unikë para Zotit!'. Është konfirmimi se "ka shpresë për të gjithë", pohoi Papa, dhe pastaj mos të harrojmë se "secili prej nesh, në botë, ka një rol dhe një mision që askush tjetër nuk mund ta kryejë dhe se kjo, edhe nëse përfshin vështirësi, në të njëjtën kohë jep një gëzim të madh, në një mënyrë të ndryshme për çdo person. Paqja dhe gëzimi janë për të gjithë”.

Dhuro dashuri

Nuk ka rëndësi për kufijtë, për gjërat që dimë të bëjmë më mirë dhe ose për gjërat me të cilat mundohemi e lodhemi shumë ose nuk mund t'i bëjmë kurrë: "Nuk është kjo ajo që përcakton, nuk është kjo ajo që përcakton lumturinë tonë: përkundrazi është dashuria që ne vendosim në çdo gjë që bëjmë, japim dhe marrim”, theksoi Papa më tej. “Të japim dashuri, gjithmonë dhe të presim me krahë hapur dashurinë që marrim nga njerëzit që na duan: kjo është gjëja më e bukur dhe më e rëndësishme në jetën tonë, në çdo kusht dhe për çdo person... edhe për Papën! A e dini? Gëzimi ynë nuk varet nga asgjë tjetër: gëzimi ynë varet vetëm nga dashuria!”.

07 shtator 2024, 13:06