Pace, colomba, ramo di ulivo Pace, colomba, ramo di ulivo

Papa të rinjve: lufta është dorëzim ndaj së keqes, ëndërroni një paqe të drejtë

Në një mesazh drejtuar të rinjve të mbledhur në takimin që mbahet në Katedralen e Shën Lorencit në Scala, në Amalfi, Papa kërkon t’i kujtojmë të gjitha viktimat e konflikteve: kujtimi i tyre mund të çojë në "një rrugëdalje e pajtim".

R.SH. / Vatikan

Urgjenca që përjeton bota “përballë luftërave dhe njerëzve të shumtë që humbin jetën çdo ditë, fëmijë, të moshuar, të rinj, burra e gra”, kërkon instrumente paqeje, sepse “pa paqe nuk ka jetë. Ka vetëm vdekje dhe shkatërrim”, kur në vend të kësaj “Jezusi jeton” dhe i do të rinjtë të gjallë. Kështu shkruan Françesku në një mesazh drejtuar të rinjve të Costiera Amalfitana, me rastin e takimit “Mjete Paqeje”, në Katedralen e Shën Lorenit në Scala, një qytet i vogël në provincën e Salernos, Itali.

Papa u këshillon të rinjve tre mënyra të sigurta për t'u bërë "instrumente paqeje". E para është "Mbusheni çdo ditë me gjeste paqeje". “Lutini me gjithë zemër për paqe”, kjo është këshilla e dytë e Françeskut. E së fundi, “jetoni si shtegtarë të shpresës” dhe të ëndërrojnë "një paqe të drejtë".

“Pa paqe nuk ka jetë”: pohon Papa Françesku në mesazh e shton “Të dashur të rinj, keni zgjedhur një temë të bukur! Është urgjenca që po përjetojmë përballë luftërave dhe shumë njerëzve që çdo ditë humbin jetën, fëmijë, të moshuar, të rinj, burra e gra". "Pa paqe nuk ka jetë. Ka vetëm vdekje e shkatërrim”, nënvizon Papa Françesku në mesazhin e tij.

Duke iu drejtuar të rinjve, Ati i Shenjtë Françesku i fton ata të “ndërtojnë ura miqësie dhe solidariteti të ndërsjellë. Ndriçoni çdo orë të ditës tuaj duke bërë një gjest paqeje: një gjest shërbimi, butësie, faljeje". Pastaj Papa nënvizon rëndësinë e lutjes: "Kur ndihemi të pafuqishëm përballë dramës së skenarëve botërorë, le të kujtojmë se "Asgjë nuk është e pamundur për Zotin". Ne kemi një armë shumë efikase që është lutja. Le ta përdorim atë! Le të lutemi më shumë për paqen, që ajo të arrijë së shpejti, ta kërkojmë me fe dhe besim.

Jetoni si shtegtarë të shpresës. Ecni me guxim, mos u lodhni duke ëndërruar paqen dhe vëllazërinë e drejtë, sepse kjo është edhe ëndrra e Atit tonë në Qiell: që bijtë e tij të jenë të bashkuar dhe të lumtur, duke njohur e respektuar njëri tjetrin, të gjithë si vëllezër. Shikoni përtej natës! Mos u dorëzoni para mendimit se lufta mund të zgjidhë problemet dhe të çojë në paqe. Lufta është gjithmonë një disfatë, një dorëzim i turpshëm përballë forcave të së keqes. T’i kujtojmë të gjitha viktimat, të cilat nuk duhet t'i harrojmë kurrë, dhe ky kujtim qoftë konkretisht një hapje për të gjetur në të tashmen një rrugëdalje në udhën e pajtimit”, e përfundon mesazhin e tij Papa.

03 shtator 2024, 13:13