Kërko

Në dialog me të rinjtë e të gjitha feve, fjalët e fundit të Papës në Singapor

Papa u nis për në Romë nga metropoli i Azisë Juglindore, etapa e katërt e udhëtimit të tij të gjatë në Azi dhe Oqeani. "Fetë janë gjuhë të ndryshme në udhën për të arritur te Zoti. Nëse dialogoni si të rinj, do të dialogoni edhe si të rritur, si qytetarë, si politikanë. Guxoni e rrezikoni, mos kini frikë." Të moshuarve dhe të sëmuarve: “Lutja juaj është shumë e rëndësishme para Zotit”.

R.SH. / Vatikan

"Një i ri duhet të jetë kritik, por duhet të jetë një kritik konstruktiv. Dhe ai duhet të jetë i guximshëm, i aftë të shikojë përpara". Kështu tha Papa Françesku gjatë takimit ndërfetar me të rinjtë në Singapor, së bashku me dhjetë udhëheqës fetarë, në Catholic Junior College, një strukturë që u ofron nxënësve të shkollave katolike një kurs parauniversitar dyvjeçar. Ky ishte takimi i fundit i Papës Bergolgio, në shtegtimin e tij 45-të ndërkombëtar apostolik, para nisjes për në Vatikan.

Papa kritikoi të rinjtë “që nuk rrezikojnë, të cilët kanë frikë bëjnë gabime” në jetë, dhe që zgjedhin “një zonë të rehatshme, sepse kjo i 'shëndosh', por nuk shëndosh trupin, shëndosh mendjen". Prandaj uroj që “të rrezikoni dhe të keni guxim. Më mirë të rrezikosh dhe të bësh gabime sesa të rrish në shtëpi dhe të mos gabosh”.

Françesku, pasi dëgjoi dëshminë e tre të rinjve, te feve të ndryshme, një hindu, një sik e një katolik, i inkurajoi të rinjtë të dialogojnë, t’i "përdorin mediat", por “pa u bërë skllevër të tyre”.
Për Papën, "dialogu ndërfetar midis të rinjve kërkon guxim. Prandaj kini guximin për të ecur përpara". Françesku tha gjithashtu se "ne të gjithë kemi aftësi, por edhe aftësi të kufizuara. Madje edhe Papa. Pra, të gjithë duhet të respektojmë aftësitë e kufizuara të të tjerëve". “Dhe kjo është gjithashtu e rëndësishme edhe në fushën e dialogut ndërfetar – shtoi Ati i Shenjtë – sepse dialogu ndërfetar kërkon respekt”.

13 shtator 2024, 10:47