Edifici distrutti a Gaza Edifici distrutti a Gaza

Papa: mjaft dhunë në Lindje të Mesme, përpara me negociata, lironi pengjet

Pas lutjes së Engjëllit të Zotit, Papa u ndal te konfliktet që po shkatërrojnë vende të ndryshme të botës dhe kërkoi të vazhdojnë negociatat në mënyrë që të ndalet zjarri në Lindjen e Mesme. I pikëlluar nga viktimat e shumta të luftërave, Françesku kujton veçanërisht 23-vjeçarin Hersh Goldberg-Polin, të gjetur të vdekur më 10 shtator, nënën e të cilit e pati takuar gjatë audiencës së mbajtur në Vatikan nëntorin e kaluar, së bashku me familarët e pengjeve të tjerë

R.SH. – Vatikan

Thirrje e re e Papës për paqen në Lindjen e Mesme. Pas lutjes së Engjëllit të Zotit, sot në mesditë, në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, Papa kërkoi që të ndalen armët dhe të arrihet një marrëveshje që t'i japë fund armiqësive.

Le të marrë fund konflikti në Palestinë dhe Izrael, le të ndalet dhuna, le të ndalet urrejtja, le të lirohen pengjet, të vazhdojnë negociatat dhe të gjenden zgjidhje paqeje.

Mendimet e Papës shkojnë, mbi të gjitha, për mijëra "viktima të pafajshme" dhe shumë të rinj që vdiqën në luftime.

Mendoj për nënat që humbën fëmijët në luftë. Sa jetë të rinjsh u shkurtuan.

I pikëlluar, Papa Françesku kujtoi, në veçanti, Hersh Goldberg-Polin, 23 vjeç, që "u gjet i vdekur më 10 shtator së bashku me pesë pengje të tjerë në Gaza". Më 22 nëntor të kaluar, Papa gjatë një audience pati takuar nënën e të riut, Rashelin, së bashku me një delegacion të të afërmve të pengjeve dhe gruaja ishte ajo që u ndal më së shumti në bisedë me Papën.

Më preku me humanizmin e saj. Jam afër saj në këtë moment. Lutem për viktimat dhe vazhdoj të jem pranë të gjitha familjeve të pengjeve.

Me një zë të pikëlluar, Papa ftoi gjithashtu të mos harrohen "luftërat që janë duke përgjakur botën" e as "Ukrainën e torturuar" dhe Mianmarin. Në frontin e Evropës Lindore, vazhdojnë sulmet me dronë mes Moskës dhe Kievit, por dje ka pasur një shkëmbim të robërve të luftës, në një marrëveshje të ndërmjetësuar nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Rusia dhe Ukraina liruan secila nga 103 persona. Rusët i liruan të burgosurit e luftës që patën kapur gjatë inkursionit ukrainas në rajonin e Kurskut, tha Moska, ndërsa disa nga ukrainasit, tani të lirë, qenë burgosur kur forcat ruse e pushtuan fabrikën e çelikut Azovstal në maj të vitit 2022.

15 shtator 2024, 19:11