Papua Guinea e Re: fe e gjallë, e pasuruar nga puna e Misionarëve
R.SH. / Vatikan
Në pritje të arritjes së Papës Françeskut në Papua Guinenë e Re, etapë e dytë e këtij udhëtimi të 45-të ndërkombëtar apostolik, me moton “Lutuni”, Kryeipeshkvi imzot Rochus Joseph Tatamai, MSC (Misionar i Zemrës së Krishtit) i Kryedioqezës së Rabaul, pohon se vendi mund të jetë "i largët e periferik", por Kishën e ka të gjallë, me të rinj që i mbushin bankat përplot!
Misionarët e Zemrës së Krishtit (MSC) vijojnë të jenë prani e vazhdueshme në Papua Guinenë e Re, që nga mbërritja e tyre, më 29 shtator 1882, gjë që i bën pjesë integrale të historisë dhe misionit të Kishës Katolike në vend dhe pikë referimi për këtë ditë, edhe në sektorët e arsimit dhe të shëndetësisë. Kështu shprehet Kryeipeshkvi i Rabaul Rochus, imzot Joseph Tatamai, MSC, në një intervistë mbajtur pak para arritjes së Papës Françesku në Papua Guinenë e Re sot, 6 shtator.
Në shekullin e XIX Misionarët e Zemrës së Krishtit mbërritën nga pjesë të ndryshme të botës dhe nisën punën baritore: secili grup kujdesej për një zonë të ndryshme të Papua Guinesë së Re. "Francezët dhe zviceranët morën të gjitha vendet e ishullit Yule, i cili tani është dioqeza e Bereinas, në Kerema dhe akoma, të Daru-Kiunga dhe Mendi," shpjegon kryeipeshkvi. "Misionarët Australianë të Zemrës së Krishtit (MSC-të) u kujdesën për Port Moresby dhe Alotau-Sidea, ndërsa gjermanët u kujdesën për Rabaul dhe Kimbe". Misionarët amerikanë dhe irlandezë mbërritën më vonë. Megjithatë, Misionarët e Zemrës së Krishtit nuk ishin katalizatorët e vetëm për ungjillëzimin në ditët e hershme. Maristët, PIME [Instituti Papnor për Misionet e Huaja] dhe, më vonë, Misionarët e Fjalës Hyjnore, luajtën gjithashtu role kyçe.
Ky mozaik misionarësh ardhur nga vende të ndryshme gjeti një tapiceri tashmë të pasur të një vendi shumëkulturor, me mbi 800 gjuhë të ndryshme, ku përhapja e mesazhit ungjillor ndër të gjithë nuk ishte gjë e lehtë. Kryeipeshkvi imzot Joseph Tatamai shpjegon se “që në fillim sfida kryesore ishte ajo e mirëkuptimit, sepse kur erdhën misionarët, asnjëri prej tyre nuk fliste gjuhën vendase”. Izolimi gjeografik i shumë fiseve e keqësoi më tej këtë problem. “Njerëzit që jetonin në kufi, kishin fatin e të folurit të gjuhëve të ndryshme për shkak të lidhjes së tyre me kufij dhe grupe të ndryshme etnike” - shpjegoi ai, ndërsa ata të zonave më të largëta, jo.
Për t’i bërë ball kësaj sfide, misionarët jetuan mes njerëzve dhe mësuan gjuhën e tyre. Duke vepruar kështu, shpjegon imzot Joseph Tatamai, misionarët ishin në gjendje të "kuptonin botën e brendshme, botëkuptimin melanezian" të njerëzve, duke e shndërruar, kështu, pengesën në mundësi ungjillëzimi. "Për mua - shtoi ai - është aq, aq e thellë, sa misionarët e parë, edhe pse Koncili II Kishtar i Vatikanit foli për inkulturimin në fund të viteve 1960, misionarët e parë të Zemrës së Shenjtë, pra, që erdhën në brigjet tona, edhe pse duhet të kapërcenin pengesën e përpjekjes për të kuptuar gjuhën, përdorën menjëherë gjuhët, zakonet e vlerat kulturore, që të mund të integroheshin e, mbi të gjitha, të përpiqeshin për t’ua shpallur njerëzve Lajmin e Mirë!
Më pas intervista u spostua tek figura e Peter To Rot, shpallur i Lum nga Papa Gjon Pali II më 17 janar 1995. Gjatë Luftës II Botërore, katekisti laik, prindërit e të cilit ishin ndër të parët që u pagëzuan nga Misionarët e Zemrës së Krishtit në Papua Guinenë e Re, ua mësoi fenë katolike bashkësive vendase, duke sfiduar urdhrat e forcave pushtuese japoneze. Më pas ai u arrestua dhe u martirizua përfundimisht nga policia japoneze.
"I Lumi Peter To Rot" - kujtoi Kryeipeshkvi Tatamai, gjyshi i të cilit ishte vëllai i Peter To Rot, "për mua përfaqëson bashkëpunimin e fortë ndërmjet misionarëve dhe katekistëve, ndërsa katekisti është personi i mesëm që kupton kulturën vendase, ndaj misionari flet gjithmonë me katekistin dhe katekisti është ai që ua komunikon dhe ua thjeshton këto gjëra vendasve dhe kulturës së tyre. Papa Françesku i hapi rrugën kanonizimit të të lumit, ndonëse data nuk është caktuar akoma. "Njerëzit janë shumë, shumë të lumtur dhe shumë të bindur se ajo që përfaqëson Peter To Rot për ta, është Kisha në Papua Guinenë e Re dhe në Melanezi e, në veçanti, Konferenca e Ishujve Solomone të Papua Guinesë së Re" - pohoi kryeipeshkvi. "Vë në dukje laikët dhe kontributin e tyre në veprën e humanizimit. Gjithçka që Kisha në Papua Guinenë e Re mund të ofrojë në këto çaste, është theksi mbi përshpirtërinë e laikëve dhe pjesëmarrjen aktive në librin e ungjillizimit".
Kryeipeshkvi imzot Joseph Tatamai vuri në dukje edhe çka u tha Papa Françesku misionarëve; “U tha se Peter To Rot përfaqëson tipin e shenjtit, për të cilin kemi nevojë sot, veçanërisht duke pasur parasysh sfidat që po rrëmbejnë bukurinë e sakramentit të martesës dhe bazën e të gjitha shoqërive, jetën familjare". Kryeipeshkvi përfundoi duke shprehur optimizmin e tij për vizitën e Papës Françesku, parë si “rilindje e edhe si zgjimin më të madh të fesë tek të moshuarit, më të moshuarit, më të vjetrit, por edhe tek brezat tanë të rinj”. E, në përfundim, theksoi:
“Edhe pse mund të jemi larg, e në periferi, kemi një Kishë të gjallë, një besim të gjallë e të rinjtë tanë vijojnë të dynden në Kishat tona”.