Kërko

Papa në meshë, në Singapor Papa në meshë, në Singapor

Singapor, Papa në Meshë: dashuria është qendra e Ungjillit, për ta ndarë me të gjithë

Në stadiumin kombëtar të qytet-shtetit të Azisë juglindore, Françesku kryeson meshën përpara 50 mijë besimtarëve. Ftesa, edhe përballë veprave madhështore të mençurisë njerëzore, për të pranuar se "pa dashuri nuk jemi asgjë" dhe për të përqafuar vëllezërit dhe motrat, që takojmë në udhën e jetës

R.SH. – Vatikan

Bukuria e Singaporit, "arkitektura madhështore dhe e guximshme", që e bën qytetin "aq të famshëm dhe magjepsës", ishte pikënisja e homelisë së Papës Françesku në Meshën e sotme, 12 shtator, në stadiumin kombëtar, ndërsa reflektoi mbi fjalët e Shën Palit apostull: "Dija ta rrit mendjen, por dashuria ndërton”.

Dashuria është themeli i veprave të mëdha

Papa 50 mijë besimtarëve të mbledhur në stadiumin kombëtar të qytet-shtetit të Azisë juglindore, Ati i Shenjtë theksoi se është dashuria e jo vetëm "paraja, teknika apo aftësia inxhinierike" në themel të veprave të mëdha të njerëzve. Duke pranuar se disa mund ta konsiderojnë një deklaratë të tillë naive, Papa nënvizoi se mjafton një reflektim i vogël për të dëshmuar se veprat e mëdha, megjithëse të frymëzuara nga krijimtaria dhe gjenialiteti, realizohen nga puna e një numri të madh "burrash dhe grash të brishta" të motivuara nga dashuria.

“Nuk ka asnjë punë të mirë, në fakt, pas së cilës nuk ka njerëz që janë ndoshta gjenialë, të fortë, të pasur, krijues, por edhe gra e burra të brishtë, si ne, për të cilët pa dashuri nuk ka jetë, nuk ka entuziazëm, nuk ka arsye për të vepruar, nuk ka forcë për të ndërtuar”.

Mesha e kremtuar nga Papa në Singapor
Mesha e kremtuar nga Papa në Singapor

Zoti, themeli i aftësisë sonë për të dashur

Kjo bindje, vazhdoi Ati i Shenjtë, “konfirmohet dhe shndritet” nga feja, e cila na mëson se Hyji, Ati ynë i përbashkët, “është themeli i aftësisë sonë për të dashur dhe për t’u dashur”. Zoti krijoi secilin prej nesh lirisht, për dashuri dhe është dashuria e Hyjit ajo, që na shëlbon dhe na çliron "nga mëkati dhe vdekja, nëpërmjet vdekjes dhe ringjalljes së Birit të Tij të vetëm". Kështu, pohoi Papa, duke cituar paraardhësin e tij, Shën Gjon Pali II, “në dashurinë tonë, ne shohim pasqyrimin e dashurisë së Zotit… dashuri, që karakterizohet nga respekti i thellë për të gjithë njerëzit, pavarësisht nga raca, feja, ose nga çfarëdo që i bën ata të ndryshëm nga ne”.

Ta ndajmë dashurinë e Zotit me të tjerët

“Këto janë fjalë të rëndësishme për ne”, theksoi më pas Papa Françesku, “sepse, përtej mahnitjes para veprave njerëzore, na kujtojnë se ekziston një çudi edhe më e madhe, për t'u përqafuar me admirim dhe respekt edhe më të madh: janë vëllezërit dhe motrat, që takojmë” çdo ditë. Ati i Shenjtë i ftoi të pranishmit dhe gjithë besimtarët ta ndajnë dashurinë e Zotit me të tjerët, t'u përgjigjen bujarisht nevojave të të varfërve, të inkurajojnë të vuajturit dhe të jenë gjithnjë gati për të falur dhe për të shpresuar. Dashuria, nënvizoi ai, duke cituar përsëri Shën Gjon Palin II, "është vetë qendra e Ungjillit!”

“Ndërtesa më e bukur, thesari më i çmuar, investimi më fitimprurës në sytë e Zotit jemi ne: bij të dashur të të njëjtit Atë, të thirrur për ta përhapur dashurinë”.

Papa në meshë
Papa në meshë

Shembulli i shenjtorëve

Papa e përfundoi homelinë duke vënë në dukje shembullin e dashurisë, që japin Zoja e Bekuar dhe Shën Françesk Ksaveri. Në festën e sotme të Emrit të Shenjtë të Marisë, "shohim dashurinë e Atit, që dëshmohet në një nga mënyrat më të bukura dhe më të plota, përmes butësisë së një nëne, që nuk na braktis kurrë”. E në Shën Françesk Ksaverin, i cili gjatë udhëtimeve të tij misionare "u mirëprit shpesh në Singapor", Papa nxorri në pah shenjtorin, “që e kuptoi përparësinë e bamirësisë e të dashurisë hyjnore mbi dijen".

Ati i Shenjtë i ftoi besimtarët të ndjekin shembullin e tyre dhe t’i drejtohen Hyjit me fjalët e Shën Françesk Ksaverit: “Zot, ja ku jam; çfarë dëshiron që unë të bëj?” Këto fjalë, përfundoi Papa homelinë e meshës, që ishte edhe veprimtaria e fundit e kësaj dite të dytë në Singapor, “të na shoqërojnë jo vetëm këto ditë, por gjithmonë, si impenjim i vazhdueshëm për të dëgjuar dhe për t'iu përgjigjur me gatishmëri ftesave për të dashur dhe për të jetuar drejt, ftesa, që vazhdojnë të na vijnë edhe sot nga dashuria e pafundme e Zotit”.

Besimtarët në meshën e Papës, Singapor
Besimtarët në meshën e Papës, Singapor
12 shtator 2024, 13:31