Kërko

Timori Lindor, Papa: përhapni Ungjillin me aromën e paqes, dhembshurisë e drejtësisë

Në katedralen e Dilit, Françesku u foli krerëve baritorë të vendit dhe përsëriti se të shpallësh Krishtin do të thotë t'u shërbesh të varfërve, duke vigjëluar mbi veten, sepse "mediokriteti dhe vaktësia shpirtërore janë gjithmonë pas dere". Mos u mbyllni në një praktikë fetare të dembelosur, që ka si pikë referimi veç vetveten, i nxiti ai ipeshkvijtë, meshtarët e rregulltarët, por jepini hov të ri fesë kundër gjithçkaje, që poshtëron dhe shkatërron dinjitetin njerëzor

R.SH. – Vatikan

Është i njohur aspekti "shumëpërmasor", me të cilin na ka mësuar Papa Françesku, sidomos me fjalimet e tij në udhëtimet ndërkombëtare, që marrin parasysh veçoritë kulturore të popujve të vizituar, por u flasin gjithë botës. Kjo duket edhe në Timorin Lindor, ku Ati i Shenjtë Françesku kalon ditën e tij të dytë, në kuadrin e shtegtimit të 45-të apostolik në Azi dhe Oqeani. Drurët aromatikë, që përdoren për parfume të ndryshme e që gjenden kudo në këtë vend, e frymëzuan Papën t’u drejtohet ipeshkvijve dhe klerit të mbledhur në Katedralen e Dilit, pas takimit të Françeskut me fëmijët me aftësi ndryshe në një shkollë katolike, me një koment të pjesës ungjillore ku flitet për Marinë, që ia parfumoi këmbët Jezu Krishtit me erë të mirë. Simbolikisht, feja është kjo lloj esence e çmuar, me aromë të mirë, që duhet ruajtur e përhapur kudo. E Papa shpjegoi si duhet bërë kjo në shoqërinë bashkëkohore të vendit të Azisë Jugore.

Përshëndetja e ipeshkvit Norberto do Amaral

Françesku takohet këto ditë me kombin e ri dhe të vogël timorez - ku 98% e popullsisë më se 1,3 milionëshe është e krishterë e prej saj 86% katolike - 35 vjet pas vizitës së Gjon Palit II, i cili ishte i vetmi kryetar shteti i huaj, që shkeli në vend gjatë pushtimit indonezian. Ishin "kohë të vështira, kur vendi ishte i nënshtruar", kujtoi imzot Norberto do Amaral, kryetar i Konferencës Ipeshkvnore në fjalimin e tij të mirëseardhjes në katedrale. Mjafton të përmendim se pasi fitoi pavarësinë nga Portugalia më 1975, Timori Lindor u pushtua nga forcat indoneziane më 1976. Pasoi një konflikt, gjatë të cilit u vranë mijëra civilë, rreth 60.000-100.000 vetë. Ka hyrë në histori 12 nëntori i vitit 1991, që njihet si "masakra e Dilit", ose si "masakra e Santa Cruz", dita e shtypjes së dhunshme të demonstratave për pavarësinë, që u mbajtën në varrezat e Santa Cruz. Në vitin 1999, Timori Lindor u vendos nën mbikëqyrjen e OKB-së dhe më 20 maj 2002 shpalli pavarësinë nga Indonezia, duke zgjedhur Dilin si kryeqytet. I rilindur nga hiri i shkatërrimit, siç tha imzot Norberto do Amaral, arriti të rimëkëmbej. Tashmë, është i thirrur të jetë “kripë e dritë”, sidomos për moshën e re të popullsisë, forcë shtytëse për ungjillëzimin e ri.

Mediokriteti dhe vaktësia shpirtërore janë gjithnjë pas dere

E kjo shtysë e përtërirë misionare ishte në qendër të fjalës së Papës, i cili, duke kujtuar se Timori Lindor është në kufirin e botës, nënvizoi se pikërisht në kufi, në periferi, gjendet qendra e Ungjillit, sepse periferitë janë në zemrën e Krishtit. Në këtë kufi, Papa vuri në dukje se korpi i Kishës është parfumi i Lajmit të Mirë Ungjillit, por nuk duhet harruar se "parfumi i marrë nga Zoti duhet ruajtur me kujdes".

“Kjo do të thotë të jemi të vetëdijshëm për dhuratën e marrë - theksoi Françesku – të mos harrojmë se parfumi nuk është për ne, por për t’i lyer këmbët Krishtit, duke shpallur Ungjillin dhe duke u shërbyer të varfërve. Kjo do të thotë të jemi vigjilentë, sepse mediokriteti dhe vaktësia shpirtërore janë gjithmonë pas dere”.

Purifikoni fenë

“Duhet ta ushqejmë gjithmonë flakën e fesë”, nënvizoi Papa. Nuk mjafton fara e mbjellë nga paraardhësit, ajo duhet rigjallëruar. Që këtej, ftesa e Atit të Shenjtë, i cili citoi edhe Nxitjen apostolike “Evangelii gaudium”:

“Mos e neglizhoni thellimin në doktrinën e krishterë, arritjen e maturisë në formimin shpirtëror, katekistik dhe teologjik; sepse e gjithë kjo shërben për të kumtuar Ungjillin në kulturën tuaj dhe, njëkohësisht, për ta pastruar atë nga format dhe traditat arkaike e nganjëherë, supersticioze. Ka shumë gjëra të bukura në kulturën tuaj, mendoj veçanërisht për besimin në ringjallje dhe në praninë e shpirtrave të të vdekurve; por, e gjithë kjo duhet gjithnjë të purifikohet në dritën e Ungjillit dhe të doktrinës së Kishës”.

Dilni nga praktika fetare e dembelosur

Feja, pohoi më tej Pasardhësi i Pjetrit, nuk mund të konsiderohet pasuri për t’u ruajtur me xhelozi, por duhet jetuar me hovin shtytës, që e bën të dalë në det të hapur, drejt të tjerëve, përndryshe bie në kundërshtim me vetveten. Imazhi i Marisë, që thyen enën e parfumit për të aromatizuar gjithë shtëpinë, është shembull i kësaj. E këtu, Papa përmendi dëshminë e motër Rozës, që së bashku me një meshtar e me një katekist, foli për Kishën në lëvizje, e cila digjet nga pasioni për t'u çuar të gjithëve gëzimin e Ungjillit.

“Ungjillëzimi – përfundoi Papa takimin me ipeshkvijtë e klerin e Timorit Lindor - ndodh kur kemi guximin ta "thyejmë" vazon, që përmban parfumin, ta thyejmë "guackën", e cila, shpesh, na mbyll në vetvete dhe të dalim nga një praktikë fetare e dembelosur, e rehatshme, e jetuar vetëm për nevojat personale”.

Realitetet për t’u shndërruar përmes Ungjillit

Drejtësia, lufta kundër korrupsionit, alkoolizmit, dhunës, mungesës së dinjitetit për gratë: këto janë sipas Atit të Shenjtë, realitetet për t’u shndërruar përmes Ungjillit. E meshtarëve u tha të mos përfitojnë nga respekti i popullsisë, që me dashuri i thërret “Amu” (Zotëri), por gjithnjë të bekojnë, të ngushëllojnë, të jenë të dhembshur e t’u çojnë të gjithëve mëshirën e Zotit, që Timori Lindor të mos përmendet vetëm për drurin aromatik të sandalit, tejet i përhapur në këtë vend, por edhe “për një parfum tjetër, atë të Krishtit e të Ungjillit, që e pasuron jetën dhe e mbush me gëzim”. Në dalje nga katedralja madhështore e Dilit, kushtuar Zojës së Papërlyer, Papa u ndal për të bekuar disa gurë të parë Kishash, ardhur nga tri dioqezat e Timorit Lindor. Para se të hipte në makinë, përshëndeti një grup të sëmurësh.

10 shtator 2024, 08:37