Pritja e Papës në katedralen e Xhakartës, Indonezi Pritja e Papës në katedralen e Xhakartës, Indonezi

Udhëtimi apostolik i Papës Françesku, takim ndërmjet kulturave

Papa shkon në një kontinent si Azia, djep i feve kryesore botërore, të cilat, në këtë territor të pamasë, konfrontohen dhe shpesh punojnë krah për krah. Kisha, e cila vijon të inkulturohet në këtë territor, dëshiron të ketë rolin e saj. Para së gjithash, për të shoqëruar përparimin e shumë kombeve, të cilëve u intereson aftësia e bashkësive katolike për të bashkëjetuar me histori e kultura të ndryshme, duke kontribuar sado pak në zhvillimin e tyre

R.SH. – Vatikan

 Papa Françesku niset për të vizituar katër vende në dy kontinente (Indonezia, Papua Guinea e Re, Timori Lindor dhe Singapori), duke çuar besim dhe shpresë në bashkësitë e krishtera, me një duzinë fjalimesh, katër predikime dhe katër moto. Etapa nga 3 deri më 6 shtator në Indonezi karakterizohet nga motoja "Fe, vëllazërim dhe dhembshuri", ndërsa në logo shihet Papa që bekon njerëzit para emblemës kombëtare të "Garuda"-s së artë (shqiponjës së shenjtë), e cila të kujton pëlhurën 'batik'.

Nga 6 deri më 9 shtator, Ati i Shenjtë ndalet në Papua Guinenë e Re, me moton “Lutuni”, frymëzuar nga pyetja e dishepujve drejtuar Jezusit: “O Zot, na mëso të lutemi”. Logo ka kryqin në qendër. "Feja juaj qoftë kultura juaj" është ndërkaq, motoja e etapës në Timorin Lindor, nga 9 deri më 11 shtator, me logon që ka në qendër Papën, ndërsa bekon. Së fundi, “Uniteti. Shpresa” është motoja e fazës përfundimtare, në Singapor, nga 11 deri më 13 shtator, ndërsa në logo shihet një kryq i stilizuar.

Katër kombe dhe po aq tema

Pra, katër kombe dhe po aq tema, për të vënë në dukje situatën lokale dhe atë kishtare në Azi. Në Indonezi, motoja e zgjedhur përputhet plotësisht me çka dikton e ashtuquajtura “Pancasila”, ose pesë parimet e bashkëjetesës paqësore, që përbëjnë ideologjinë shtetërore indoneziane, e cila ndiqet me skrupolozitet nga vendi-arqipelag, me shumicën e popullsisë myslimane, ku katolikët – 3,1% e popullsisë - luajnë një rol të rëndësishëm dhe të njohur. Pastaj Papua Guinea e Re, vend ndërmjet kontinentit aziatik dhe Oqeanisë, në kërkim të përparimit dhe të përkrahjes, por edhe krenar për identitetin e tij, vend ku Kisha Katolike përfshin e impenjohet për një të katërtën e popullsisë.

Nxitja “Na mëso të lutemi” është në linjë me frymën komunitare lokale të Timorit Lindor, i vetmi realitet në kontinentin aziatik, krenar për fenë e tij katolike së bashku me Filipinet. 97% katolikëve të asaj popullsie u drejtohet motoja "Feja juaj qoftë kultura juaj". Ndërsa problemet e lëna nga lufta e gjatë dhe e përgjakshme për pavarësi, si edhe tensionet e brendshme ndërmjet grupeve etnike, fetare dhe pushtetare po zbehen gradualisht, Kisha Katolike e Timorit Lindor vazhdon të promovojë paqen, bashkimin dhe përparimin. Tjetër realitet, ai i bashkësisë katolike në Singapor, ku është pakicë tejet e vogël, vetëm 6,2% e popullsisë, por e pranishme dhe aktive në një kontekst mirëqenieje, në të cilin nuk mungojnë problemet e varfëria. Siç kuptohet qartë nga motoja “Bashkim-Shpresë”, Kisha Katolike është bartëse e dialogut dhe e vëmendjes për njerëzit në vështirësi.

Pse Papa i kushton kaq vëmendje Azisë?

Pse Papa Françesku i kushton kaq vëmendje Azisë? Një Papë, që vjen nga jugu i botës, është i vetëdijshëm për kufizimet, por edhe për potencialin e një kontinenti, që nuk është më sinonim i varfërisë dhe i konfliktit, por, pavarësisht nga fytyrat e shumta dhe nga kontradiktat e tij, është sot zona më dinamike e planetit, si edhe më e populluara. Ati i Shenjtë është i vetëdijshëm se Azia paraqitet si laborator tensioni dhe bashkëjetese, gjithnjë e më shumë me dinamikën e vet të brendshme, më pak e varur dhe e ndikuar nga prirjet globale. Papa e di se ai kontinent është djepi i feve kryesore botërore, të cilat, në këtë territor të pamasë, konfrontohen dhe shpesh punojnë krah për krah. Kisha, e cila vijon të inkulturohet në këtë territor, dëshiron të ketë rolin e saj. Para së gjithash, për të shoqëruar përparimin e shumë kombeve, të cilëve u intereson aftësia e bashkësive katolike për të bashkëjetuar me histori e kultura të ndryshme, duke kontribuar sado pak në zhvillimin e tyre.

02 shtator 2024, 11:14