Videomesazh i Papës për Med24 në Tiranë: paqja ndërtohet, indiferenca vret
R.SH. - Vatikan
Teksti i plotë i videomesazhit të Papës Françesku për të rinjtë e mbledhur në Tiranë nga 15 deri më 21 shtator në Takimin Med24, me temë “Shtegtarë të shpresës. Ndërtues të paqes”:
Të dashur miq, të dashur të rinj shqiptarë dhe mesdhetarë,
Është gëzim për mua t'ju shoh të mbledhur në Tiranë, dhjetë vjet pas vizitës sime në vendin tuaj të dashur, më 2014: Nuk harroj, eh!, dhe më kujtohet ai udhëtim i paharruar, gjatë të cilit munda të takoj popullin tuaj, një popull me shumë fytyra, por i bashkuar nga guximi. Siç u thashë atëherë të rinjve, “ju jeni brezi i ri i Shqipërisë” (Engjëlli i Tënzot, Tiranë, 21 shtator 2014). Shtoj sot, të dashur të rinj nga pesë brigjet e Mesdheut: ju, brezi i ri, jeni e ardhmja e rajonit të Mesdheut.
Jemi të gjithë shtegtarë të shpresës, duke ecur në kërkim të së vërtetës dhe duke e jetuar fenë përmes ndërtimit të paqes. E paqja duhet ndërtuar... Zoti i do të gjithë njerëzit dhe nuk bën dallim mes nesh. Vëllazërimi ndërmjet pesë brigjeve të Mesdheut, që ju po e krijoni, është përgjigjja – përgjigjja! – përgjigjja më e mirë, që mund t’u japim konflikteve dhe indiferencave, që vrasin. Sepse indiferenca vret.
Mësoni së bashku të interpretoni shenjat e kohës. Kundrojeni larminë e traditave tuaja si pasuri, një pasuri e dëshiruar nga Zoti. Uniteti nuk është uniformitet, dhe ndryshimet mes identiteteve tona kulturore dhe fetare janë dhuratë e Zotit. Rrituni në respekt të ndërsjellë, siç dëshmojnë paraardhësit tuaj.
Vendosni në qendër zërin e atyre që nuk dëgjohen. Mendoj për më të varfërit, që vuajnë kur konsiderohen barrë apo shqetësim. Mendoj për ata që, shpesh tepër të rinj, duhet të largohen nga vendi për një të ardhme më të mirë. Kujdesuni për secilin. Nuk është fjala për numra, por për njerëz e çdo njeri është i shenjtë; është fjala për fytyra, dinjiteti i të cilave duhet të promovohet dhe të mbrohet. Të heqim dorë nga kultura e frikës për të hapur portën e mikpritjes dhe të miqësisë.
Si një liqen i madh i Tiberiadit, që i është besuar kujdesit tuaj, banojini brigjet e këtij pellgu të madh, që ju bashkon: Mesdheu ju bashkon, ju bashkon si një kopsht i bukur për t'u kultivuar. Ruajeni frymën e shërbimit në të gjitha rrethanat, kujdesuni për çdo krijesë, që u është besuar duarve tuaja.
Të dini të ecni në gjurmët e martirëve. Guximi i tyre është dëshmi e gjallë, që mund të frymëzojë më shumë impenjimin tuaj për t'i rezistuar gjithë dhunës, e cila e shpërfytyron njerëzimin, siç bëri e Lumja Marie Tuci, kur ishte vetëm njëzet e dy vjeç.
Ju besoj në duart e Marisë, Nënës së Këshillit të Mirë, e cila, gjithmonë, e ka kthyer vështrimin e saj amnor, plot dashuri e dhimbje, drejt ngjarjeve të tokës suaj. Mësoni nga Zemra e saj e Papërlyer të jeni shtegtarë të palodhur të shpresës dhe të ndiqni shenjat e Zotit, në mënyrë që Mesdheu të rigjejë fytyrën e tij më të bukur: atë të vëllazërimit dhe të paqes. E të mos jetë më varrezë.