Vizita e Papës në Xhaminë Istiqlal, ftesë për shtegtim të përbashkët miqësie

Papa duke vizituar Xhaminë Istiqlal, foli për “lidhje që i lejojnë të krishterë e myslimanë të punojnë së bashku, të marshojnë së bashku në ndjekjen e një objektivi, në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, në luftën kundër varfërisë, në promovimin e paqes. Kujtoi Deklaratën e Përbashkët të përgatitur për këtë rast, e cila përmend me përgjegjësi krizat e rënda dhe ndonjëherë dramatike që kërcënojnë të ardhmen e njerëzimit, veçanërisht luftërat dhe konfliktet

R.SH. / Vatikan

Vizitë e jashtëzakonshme, kjo e Papës në Xhakartë: Ati i Shenjtë vizitoi Xhaminë Istiqlal, në Jalan Taman Wijaya Kusuma, Xhakarta Qendrore, cepi verilindor i Sheshit Merdeka. Është pikërisht përballë Katedrales Katolike, për të nënvizuar parimin filozofik të unitetit në larmi, "Bhinneka Tunggal Ika", të dashur për kombin, gdhendur edhe në stemën e Indonezisë.

Dy ndërtesat lidhen me një tunel nëntokësor, i quajtur "tuneli i miqësisë, ndërtuar nga presidenti Joko Widodo, për të lehtësuar lëvizjen nga një ndërtesë në tjetrën dhe për të promovuar bashkëjetesën fetare. E projektuar në vitin 1954 nga arkitekti i krishterë Friedrich Silaban, xhamia u hap për herë të parë për publikun nga presidenti i parë i Indonezisë Sukarno, më 22 shkurt 1978, pas një periudhe ndërtimi 17-vjeçare. Është xhamia më e madhe në të gjithë Azinë Juglindore si për nga struktura ashtu edhe për nga kapaciteti. Strehon deri në 120,000 vetë.

Fjala Istiqlal rrjedh nga arabishtja, do të thotë "pavarësi" dhe u zgjodh për të përkujtuar pikërisht luftën e vendit për pavarësi kombëtare. Struktura shtrihet në pesë nivele, të cilat përfaqësojnë pesë shtyllat e Islamit, mbulon afërsisht nëntë hektarë tokë dhe është e veshur me mermer nga Java Lindore. Ka një kubè 45 m, të mbështetur nga 12 kolona dhe një minare 66,66 m të lartë, sipas numrit të vargjeve në Kuran (6666). Brenda saj bie në sy një dhomë mbresëlënëse drejtkëndëshe lutjesh, e mbuluar me një tapet të kuq dhe e ndarë në seksione të caktuara, në të djathtë, për gratë dhe në të majtë, për burrat. Salla e madhe është pranë një oborri gjithashtu të madh me hapësira individuale drejtkëndëshe për lutje, të gjitha përballë Mekës. Xhamia ka shtatë hyrje, simbol i Shtatë Qiejve të Islamit.

Papa – në xhami

Papa hyri në Xhaminë Istiqlal përmes portës kryesore (Porta Alfattah), pasi u mirëprit nga Imami i Madh jashtë xhamisë. Së bashku, vizituan tunelin e miqësisë. Më pas, arritën në çadrën e madhe, ku u zhvillua takimi, ndërsa këndohej kënga e mirëseardhjes-tradicionale myslimane (Marawis) - Kënga e shkurtër e një fragmenti nga Kurani – dhe ndiqej leximi i shkurtër i Ungjillit sipas Lukës (10,25-37).

Pas kësaj pritjeje, e mori fjalën e mirëseardhjes Imami i Madh. Më pas u lexua dhe u nënshkrua “Deklarata e Përbashkët e Istiqlal 2024” , për të vijuar me fjalën e Papës.

 Fjalim i frymëzuar i Papës, që nisi me urimin:

“Të dashur vëllezër dhe motra, mirëmëngjes!”.

 Për të vijuar me fjalë të ndjera, shprehje të miqësisë.

“I lumtur që jam këtu, në xhaminë më të madhe në Azi, së bashku me të gjithë ju” - këto fjalët e para të përshëndetjes së Papës në xhami - E përshëndes imamin e madh dhe e falënderoj për fjalët që më drejtoi, duke kujtuar se edhe ky vend adhurimi dhe lutjeje është “shtëpi e madhe për njerëzimin”, ku secili mund të hyjë për t’i dhënë hapësirë ​​atij malli për pafundësinë që mbart në zemrën e tij, për të kërkuar takimin me hyjnoren dhe për të jetuar gëzimin e miqësisë me të tjerët.

Më pas Papa kujtoi se kjo xhami është projektuar nga arkitekti Friedrich Silaban, i cili ishte i krishterë dhe fitoi konkursin. Kjo dëshmon se në historinë e këtij Kombi dhe në kulturën e tij, Xhamia, si dhe objektet e tjera të kultit, janë hapësira dialogu, respekti reciprok, bashkëjetese harmonike ndërmjet feve dhe ndjeshmërive të ndryshme shpirtërore. Kjo është një dhuratë e madhe - vijoi Papa - të cilën ju jeni thirrur ta kultivoni çdo ditë, në mënyrë që përvoja fetare të jetë pikë referimi për një shoqëri vëllazërore dhe paqësore dhe asnjëherë arsye mbylljeje dhe konflikti. Kjo, ftesa simbolike e Papës që vizitonte një xhami të ndërtuar nga një arkitekt i krishterë.

Tuneli i miqësisë ndërmjet katolikëve e myslimanëve

 Në këtë drejtim - vijoi Ati i Shenjtë - duhet përmendur edhe ndërtimi i  tunelit nëntokësor – “tuneli i miqësisë” – që lidh Xhaminë Istiqlal dhe Katedralen e Zojës së ngjitur në qiell:

“Kjo është shenjë shprehëse, e cila lejon që këto dy objekte të mëdha adhurimi të jenë jo vetëm ‘përballë’ me njëri-tjetrin, por edhe ‘të lidhur’ me njëri-tjetrin”.

Kjo lidhje lejon takimin, dialogun, mundësinë reale për të zbuluar dhe për të transmetuar "mistikën" e të jetuarit së bashku, të përzierjes, të takimit e   të pjesëmarrjes në këtë valë disi kaotike që mund të shndërrohet në përvojë reale të vëllazërisë, në karvan solidariteti, në shtegtim shenjt (Nxitja Apostolike Evangelii gaudium, 87). Më pas, ftesa për ta vijuar ecjen në këtë rrugë:

 “… që të gjithë ne, të gjithë së bashku, secili duke kultivuar përshpirtërinë tonë dhe duke praktikuar fenë tonë, të mund të ecim në kërkim të Zotit dhe të kontribuojmë në ndërtimin e shoqërive të hapura, të bazuara në respektin reciprok dhe dashurinë e ndërsjellë, të afta për të izoluar ngurtësitë, fundamentalizmat dhe ekstremizmat, të cilat janë gjithmonë të rrezikshme dhe kurrë të justifikueshme”.

Ftesë për shtegtim të përbashkët miqësie

Nuk është thjesht mirësjellje e anasjelltë, diçka formale, jo! – nëvizoi Papa - Është rrugëtim i përbashkët miqësie nisur kohë më parë, mbështetur nga ata që kishin përgjegjësi civile dhe politike, të inkurajuar nga udhëheqës të ndryshëm fetarë, por që u bë i mundur mbi të gjitha falë gatishmërisë së bukur të shpirtit të popullit indonezian. Në këtë këndvështrim, simbolizuar nga tuneli i nëndheshëm, dua t'ju lë dy porosi, për të inkurajuar rrugën e unitetit dhe të harmonisë që e keni ndërmarrë tashmë.

Kërkimi për një jetë më të fortë se vdekja

E para është: shikoni gjithmonë thellë, sepse vetëm atje mund të gjejmë çka na bashkon, përtej ndryshimeve. Ndërsa në sipërfaqe janë hapësirat e Xhamisë dhe Katedrales, të përcaktuara mirë dhe të frekuentuara nga besimtarët e tyre përkatës, nën tokë, përgjatë tunelit, të njëjtit njerëz të ndryshëm takohen dhe mund të hyjnë në botën fetare të njëri-tjetrit. Kjo pamje na kujton një gjë të rëndësishme: që aspektet e dukshme të feve - ritet, praktikat e kështu me radhë - janë trashëgimi tradicionale që duhet mbrojtur, duhet respektuar:

“… por duke u nisur nga ajo që është ‘poshtë’, që rrjedh nën tokë, pikërisht si ‘tuneli i miqësisë’, mund të themi se rrënja e përbashkët e të gjitha ndjeshmërive fetare është vetëm një: kërkimi i takimit me hyjnoren, etja e pafundësisë që i Gjithëpushtetshmi e vuri në zemrën tonë, kërkimi për një gëzim më të madh dhe një jetë më të fortë se çdo vdekje, e cila gjallëron rrugëtimin e jetës sonë dhe na shtyn të lëmë egon tonë për të takuar Zotin”.

 Ta kujtojmë këtë – vijoi Papa pas një pohimi kaq të rëndësishëm për të gjithë shpirtrat njerëzorë - duke parë thellë, duke kapur atë që rrjedh në thellësi të jetës sonë, dëshirën për përsosuri, e cila jeton në thellësitë e zemrave tona, zbulojmë se jemi të gjithë vëllezër, të gjithë shtegtarë, të gjithë në shtegtim drejt Zotit, përtej asaj që na dallon.

Kujdes për lidhjet!

Ftesa e dytë  që kujtoi Papa në vijim, ishte: kujdesuni për lidhjet. Tuneli u ndërtua nga njëra anë në tjetrën për të krijuar lidhje ndërmjet dy vendeve të ndryshme dhe të largëta. Këtë bën kalimi nëntokësor: lidh, domethënë krijon lidhje. Ndonjëherë mendojmë se takimi ndërmjet feve është  çështje kërkimi me çdo kusht për të përbashkëtat ndërmjet doktrinave të ndryshme dhe dogmave fetare. Por, kujdes, mund të ndodhë që një kërkim i tillë të përfundojë duke na ndarë, sepse doktrinat dhe dogmat e secilës përvojë fetare janë të ndryshme. Ajo që me të vërtetë na bashkon, është krijimi i një lidhjeje ndërmjet dallimeve tona, duke u kujdesur për të kultivuar lidhje miqësie, vëmendjeje dhe reciprociteti. Ato janë marrëdhënie në të cilat secili i hap zemrën tjetrit, e vërteta së bashku kërkohet duke mësuar nga tradita fetare e tjetrit; për të na plotësuar në nevojat tona njerëzore dhe shpirtërore:

“Janë lidhje që na lejojnë të punojmë së bashku, të marshojmë së bashku në ndjekjen e një objektivi, në mbrojtjen e dinjitetit njerëzor, në luftën kundër varfërisë, në promovimin e paqes. Uniteti lind nga lidhjet personale të miqësisë, nga respekti i ndërsjellë, nga mbrojtja reciproke e hapësirave dhe ideve të njerëzve të tjerë. Kujdesuni gjithmonë për këtë!”.

Rëndësia e Deklaratës së Përbashkët

Të dashur vëllezër e motra - vijoi Papa - “promovimi i harmonisë fetare për të mirën e njerëzimit” është frymëzimi që jemi thirrur të ndjekim dhe që i jep titull edhe Deklaratës së Përbashkët të përgatitur për këtë rast. Në të kujtojmë me përgjegjësi krizat e rënda dhe ndonjëherë dramatike që kërcënojnë të ardhmen e njerëzimit, veçanërisht luftërat dhe konfliktet, të nxitura fatkeqësisht edhe nga shfrytëzimi fetar, por edhe kriza mjedisore, e cila është bërë pengesë për rritjen dhe bashkëjetesën e popujve. Përballë kësaj skene, është e rëndësishme që vlerat e përbashkëta për të gjitha traditat fetare të promovohen dhe të forcohen, duke ndihmuar shoqërinë ta "mundë kulturën e dhunës dhe të indiferencës" (Deklarata e Përbashkët e Istiqlalit) dhe të promovojë pajtimin dhe paqen.

Në përfundim, ftesa:

“Askush të mos dorëzohet pas sharmit të fondamentalizmit dhe të dhunës,  të gjithë të magjepsen nga ëndrra e një shoqërie dhe një njerëzimi të lirë, vëllazëror dhe paqësor! Faleminderit për buzëqeshjen tuaj të këndshme, e cila shkëlqen gjithmonë mbi fytyrat tuaja!”dhe është shenjë e bukurisë së shpirtit tuaj fisnik. Zoti jua dhëntë gjithnjë këtë dhuratë. Me ndihmën dhe bekimet e Tij ecni përpara,

Bhinneka Tunggal Ika - të bashkuar në larmi! 

Ky takim i jashtëzakonshëm përfundoi me dorëzimin e dhuratës nga Ministri për Çështjet Fetare.

05 shtator 2024, 09:31